LAJMET E MBRËMJES

Sandra Lyn Mitchel thotë se ka bërë vizita në vende të ndalimit të UÇK-së, por s’u lejua të hynte brenda

Ish-drejtoresha e sektorit të të drejtave të njeriut të misionit që e drejtonte William Walker gjatë luftës ka dëshmuar në Gjykatën Speciale. Ajo tha se kishte kërkuar të shihte brenda vendeve të ndalimit, porse nuk iu lejua asnjëherë hyrja në to.

Sandra Lyn Mitchel, ish-drejtorja e sektorit për të drejtat e njeriut në Misionin Verifikues të Kosovës në kuadër të OSBE-së, ka thënë se UÇK-ja nuk e mohonte faktin që kishte objekte ndalimi.

Gjatë dëshmisë së saj tha se më 18 shkurt të 1999-tës e takoi komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, në Llapashticë, ku ishte edhe një qendër ndalimi e ku mbaheshin tetë persona.

Prokurorja Deborah Mayer e pyeti lidhur me një raport që e ka shkruar nga kjo vizitë, që sipas dëshmitares ishte bërë për t’u informuar për gjendjen e të ndaluarve.

Të ndaluarit shqiptarë, sipas saj, ishin duke filluar prej rasteve për vjedhjeve e po ashtu për dyshime për bashkëpunim me Serbinë, ndërsa të ndaluarit serbë ishin më së shpeshti policë të Serbisë.

“Bashkëpunimi ishte një term që përdorej gjerësisht mund të kishte e një shqiptari që kishte pirë një birrë me një serb, mund të nënkuptohej si personi që kishte shkuar në stacion të policisë për të pyetur në lidhje me vendodhjen e ndonjë personi apo për të raportuar një krim, pra kuptimi i këtij termi ishte shumë i gjerë dhe përfshinte çdo kontakt ndëretnik midis shqiptarëve dhe serbëve, veçanërisht nëse serbët perceptoheshin si pjesë e policisë apo forcave të ushtrisë”, tha Mitchel.

Dëshmitarja amerikane tha se shqetësime lidhur me vendet e ndalimit u shprehte edhe komandantëve të zonave të UÇK-së, përfshirë Ramush Haradinajt.

Mitchel theksoi se kishte kërkuar të shihte brenda vendeve të ndalimit, porse nuk iu lejua asnjëherë hyrja në to, por vetëm takimet me të ndaluarit kur ata silleshin prej pjesëtarëve të UÇK-së.

Për Hashim Thaçin tha se e kishte parë para marsit të 1999-tës kur atij iu kërkua ta lehtësonte kalimin e stafit të OSBE-së në mënyrë të sigurt për bartjen e kufomave të masakrës së Reçakut, meqë ato ishin zhvendosur nga vendi i krimit nga forcat serbe.

Ajo kaotike e quajti periudhën e pasluftës, ku tha se OSBE-ja i ankohej për pjesëtarët e UÇK-së.

“Dan Everts kishte një punë gati të pamundur sepse ishte përgjegjës për rindërtimin e forcës policore përmes akademisë së policisë, zgjedhjet, formimin e qeverisë, plus aspektet e të drejtave të njeriut. Ishte pjesë e strukturës që po përpiqej ta bënte qeverinë sërish funksionale dhe që shqiptarët të punonin me njëritjetrin dhe UCK-ja në këtë moment ishte forca dominuese në terren parashtrimi i problematikave, sjelljeve të tyre, krimeve që ishin kryer çështjet e zhdukjeve së personave nuk ishin shumë të lehta veçanërisht kur e ke ditur çfarë përgjigje do të marrësh: do të thonin se nuk dimë asgjë”, tha Mitchel.

Dëshmia e saj pritet të vazhdojë edhe të mërkurën. Dëshminë gjatë ditës e përmbylli edhe ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative Pashtrikut, Sadik Halitjaha, i cili tha se është i bindur se UÇK-ja nuk kishte gjykata ushtarake e as burgje.