Me reagime të shumta është përcjellë procesi zgjedhor i së dielës në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Udhëheqësit institucionalë e fajësuan Serbinë për daljen e ulët të qytetarëve në votim, tek i premtuan mbështetje udhëheqjes së re. E me gjithë pranimin e rezultatit, në BE thanë se zgjedhjet me numër të ulët votuesish nuk ofrojnë zgjidhje afatgjate
Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti kanë mbajtur fajtore Serbinë për numrin e ulët të qytetarëve të dalë në zgjedhjet e së dielës në katër komunat e veriut të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë.
Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror Zgjedhor të drejtën për votë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan e shfrytëzuan 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47 për qind.
Me gjithë shifrat, kryeministri Kurti e bëri zotimin se do të mbështesë kryetarët e sapozgjedhur dhe e shprehu pritjen që institucionet në veri të konstituohen sa më parë.
“Fushata e egër e Beogradit zyrtar, e cila u ekzekutua edhe nga elemente kriminale në terren, në veri të Kosovës padyshim se ishte një fushatë e shantazhit, frikësimit dhe kërcënimit, e cila për pasojë pati daljen e ulët të qytetarëve. Mua më vjen keq që parti të caktuara politike atje kanë ftuar për bojkot, në fakt thirrja nuk është e tyre, thirrja e është e Beogradit”, tha Kurti.
E nga zyra e presidentes Osmani, angazhimi i Serbisë për pengimin e procesit zgjedhor është kualifikuar si veprim kundër frymës së Marrëveshjes së arritur në Bruksel.
“Angazhimi i vazhdueshëm dhe i hapur i Serbisë për ta penguar zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Republikën e Kosovës është kundër frymës dhe shkronjës së Marrëveshjes së fundit të arritur në Bruksel, së bashku me planin implementues. Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, thuhet nga Zyra e Presidentes.
E ministri për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq, e kualifikoi të rrezikshëm paralajmërimin e nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojiciq, ndaj udhëheqjes së dalë nga zgjedhjet në veri.
“Kjo deklaratë është e rrezikshme dhe unë lus nëse mund të dëgjoja ata që bëjnë deklarata të tilla, i lus që të përmbahen nga deklarata që në mënyrë direkte ose indirekte potencojnë që mund të ketë një pengesë të marrjes së pushtetit. Prapë e di që ndoshta kjo është jo e fjalëve, në këtë rast ndoshta mund të thoni që nuk ka legjitimitet, por megjithatë aty ka legalitet. Ose më mirë me fjalë të shkurta edhe pesë njerëz të dalin në zgjedhje llogaritet se ai që merr 5 i fiton zgjedhjet”, tha Rashiq.
Por në Serbi, presidenti Aleksandar Vuçiq i quajti zgjedhjet dështim të asaj që e quajti regjim të Kurtit.
“Nën një, zgjedhjet e 23 prillit janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it. Nën dy, ky është një rezultat historik, sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”, tha Vuçiq.
E në Bashkimin Evropian vlerësuan se dalja e ulët e qytetarëve në votim, zgjedhjet nuk ofrojnë një zgjidhje politike afatgjate për katër komunat veriore.
“Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjate për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe duhet të finalizohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet nga BE-ja.
Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar garën për kryetarë të Mitrovicës së Veriut dhe të Leposaviqit, derisa Partia Demokratike, atë në Zubin-Potok e Zveçan.