LAJMET E MBRËMJES

Miratohet deklarata e PE-së për Banjskën, s’kalojnë rezolutat e opozitës

Deputetët e Kuvendit i kanë dhënë miratim deklaratës mbështetëse të rezolutës së Parlamentit Evropian, e cila e dënon sulmin e grupit paraushtarak serb ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit. Në të janë shtuar edhe disa sugjerime dhe kërkesa për institucionet evropiane. Ndërsa dy rezolutat e opozitës, njëra për mbështetjen financiare të Policisë dhe tjetra për rritjen e koeficientit të pagave, nuk kanë marrë miratim, pasi që deputetët e partisë në pushtet nuk i kanë dhënë përkrahjen. Krahas kësaj, Kuvendi ka zgjedhur Fitim Veliun për anëtar të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) teksa është rikthyer në pikën zero konkursi për plotësimin e një pozite tjetër në këtë komision

Me 86 vota për, Kuvendi e ka miratuar të enjten deklaratën mbështetëse të rezolutës së Parlamentit Evropian (PE), e cila e dënon ashpër sulmin e grupit paraushtarak serb ndaj Policisë së Kosovës, të ndërmarrë më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

Me anë të deklaratës Kuvendi i ka vlerësuar qëndrimet politike dhe thirrjet e adresuara në rezolutën e PE-së që Serbia të mbahet ndërkombëtarisht përgjegjëse, po qe se dëshmohet lidhja e drejtpërdrejtë e Beogradit zyrtar me rastin.

Deputetët janë dakorduar që deklaratës t’i përfshihet kërkesa adresuar PE-së që planifikuesit dhe pjesëmarrësit e sulmit të ekstradohen sa më parë në Kosovë. Krahas kësaj, deklarata i vlerëson edhe qëndrimet e Parlamentit Evropian që Kosovës t’i hiqen masat ndëshkuese, të vendosura nga Bashkimi Evropian (BE) pas ngjarjeve të fundmajit në veri, teksa sugjeron që masa politike dhe financiare të vendosen kundër Serbisë.

Parlamenti Evropian dhe institucionet e tjera të BE-së nëpërmjet këtij dokumenti janë ftuar që të luajnë rol në ndryshimin e qëndrimit të pesë vendeve anëtare mosnjohëse ndaj pavarësisë së Kosovës dhe të shqyrtojnë dhe të mbështesin anëtarësimin e Kosovës në BE e NATO.

“Kuvendi fton Parlamentin Evropian që përmes grupeve politike dhe parlamentare të luajë rol akoma më të fuqishëm në lidhje me rëndësinë që ka ndryshimi i qëndrimeve nga pesë vendet anëtare, Greqia, Romania, Sllovakia, Qiproja dhe Spanja, duke e njohur pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata evropiane dhe ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e miratuar.

Por ndryshe nga rasti i deklaratës, në seancën e së enjtes të Kuvendit miratim nuk kanë arritur të marrin edhe dy rezoluta të propozuara nga opozita.

Pro rezolutës së propozuar më herët nga Partia Demokratike (PDK) për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës kanë votuar 25 deputetë të opozitës, teksa kanë abstenuar 59 ligjvënës nga partia në pushtet.

Miratim nuk i është dhënë as rezolutës që e shpreh nevojën për ngritjen në 129 euro të koeficientit të pagave, pasi që 52 deputetë nga shumica parlamentare votuan në kundërshtim të saj.

Në debatin që i parapriu votimit, deputetët nga radhët e subjekteve opozitare e shprehën nevojën që rezoluta ta marrë “po”-në në Kuvend.

Besnik Tahiri, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se vlera e koeficientit të pagave, e cila me anë të projekt-buxhetit për vitin 2024 është rritur 105 në 110 euro, është e ulët.

“Debati për koeficientin në seancën e kaluar që ka përfunduar, është parë që nuk ka vullnet nga mazhoranca dhe rrjedhimisht ka ardhur një buxhet me një rritje prej 5 eurosh. Në qoftë se sot votohet kjo rezolutë, e cila nuk është obliguese për Qeverinë, neve na hapet rruga në Komisionin për Buxhet, në kuadër të Kuvendit të Kosovës, që ta ngremë këtë çështje përmes amendamentimit. Buxheti i cili ka ardhur me këtë ngritje nuk është ngritje, por është zvogëlim i pagave”, është shprehur Tahiri.

E deputeti i Lidhjes Demokratike (LDK), Avdullah Hoti, ka theksuar se rritja e vlerës së koeficientit nuk e ka reflektuar as rritjen e inflacionit. Ai ka thënë se kjo rrethanë është dashur të merrej parasysh në projekt-buxhet.

“Me propozimin e Qeverisë vlera koeficientit për paga është vlerësuar të rritet nga 105 në 110 euro, që i bie 4.7 për qind rritje e pagave për vitin e ardhshëm. Por, inflacioni sivjet është 5.6 për qind ose 5.7. Pra, rritja e propozuar është më pak se rritja mesatare e inflacionit, që në fakt, vlera reale e pagave për vitin e ardhshëm është më e vogël se që ka qenë sivjet”, ka theksuar ai.

E deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka sugjeruar që vlera minimale monetare e koeficientit të jetë 132 euro.

“Nëse paga minimale është 264 euro dhe koeficienti më i vogël në sektorin publik është 2, atëherë logjikisht i bie që 132 euro duhet të jetë koeficienti. Nuk ka logjikë që paga minimale të jetë 264 euro, koeficienti të jetë 2 në sektorin publik, më i ulëti dhe të miratohet ligj i pagave në sektorin publik nën pagën minimale”, ka argumentuar Haxhiu.

Me gjithë diskutimet, rezoluta nuk është miratuar teksa është përcaktuar që çështja e koeficientit të diskutohet në seancën e buxhetit për vitin e ardhshëm.

Gjatë seancës grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka tentuar që me anë të mocionit ta përfshijë në rend dite shkarkimin e Agron Bekës nga pozita e anëtarit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK). Mocioni, i cili nuk ka marrë miratim, është përcjellë me kritikat e deputetëve opozitarë.

E pa votën e tyre është miratuar në lexim të dytë Projektligji për Parqet Industriale dhe Teknologjike teksa në parim janë kaluar Projektligji për Administrimin e Procedurave Tatimore dhe Projektligji për promovimin e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë. Miratim ndërkaq nuk ka marrë Projektligji për kadastër të pronës së paluajtshme.

Kuvendi ka zgjedhur Fitim Veliun për anëtar të Komisionit të Pavarur për Media (KPM) teksa është rikthyer në pikën zero konkursi për plotësimin e një pozite tjetër në këtë komision.

Do të përsëritet edhe konkursi për zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nga radha e komunitetit serb, pasi nga 63 deputetët e pranishëm në sallë të pavlershme u shpallën të 63 votat.