Mbledhja e mbajtur të hënën e Komisionit Hetimor për Rezervën Shtetërore është e para e suksesshme që nga themelimi i tij. Për disa muaj në të nuk kanë marrë pjesë anëtarët/deputetë të LVV-së. Në këtë mbledhje Komisioni ka miratuar buxhetin prej 26 mijë e 650 eurosh
Katër deputetë të partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, kanë marrë pjesë në mbledhjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për Rezervat Shtetërore, të hënën, pas disa muajsh bojkot. Me praninë e tyre u mundësua votimi i buxhetit dhe iu bë thirrje për aplikim ekspertëve që do t’i përpilojnë raportet për komisionin.
Deputeti i VV-së, Driton Hyseni, ka propozuar uljen e gjithmbarshme të shpenzimeve të komisionit.
“Ne edhe ashtu jemi mbledhur për ta trajtuar një çështje që është menduar dhe është propozuar nga opozita, në të cilën dyshohet që ka keqpërdorime të rezervave shtetërore dhe e kemi parë që dyshimi për këtë çështje nuk e kalon një vlerë shumë më të madhe sesa ky buxhet i cili është i planifikuar për këtë komision hetimor. Po konsideroj që ndoshta me pajtimin e kolegëve e shohim mundësinë që këtë buxhet ta reduktojmë. Më duket që është kosto e lartë në fund të fundit”, ka thënë Hyseni.
Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku, ironizoi me propozimin e VV-së ia përmendi edhe mungesën prej katër muajve në komision.
“Unë jam dakord që ta miratojmë këtë buxhet kështu si është dhe shpenzimet të cilat nuk i bëjmë kthehen në kodet tona, kthehen mbrapsht, kështu që mos ta luajmë rolin e ‘shumë të arsyeshëm që jemi’ që neve shumë po na intereson për këtë buxhet, kur s’ju ka interesuar qe katër muaj të merrni pjesë që kemi pasur dyshime për keqpërdorime”, tha Bunjaku.
Diskutimet u zhvilluan edhe lidhur me atë se a duhet apo jo domosdo të kenë licencë të ekspertëve gjyqësorë, personat që do të angazhohen nga Komisioni.
Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, përkrahu angazhimin e ekspertëve si në gjyqësor.
“Mënyra se si funksionon për shembull në sistem të drejtësisë është që janë disa ekspertë të licencuar sepse ka arsye që licencimi, kalon në njëfarë procesi të filtrimit dhe të aspektit profesional të secilit”, tha Kica-Xhelili.
Këtë e kundërshtoi deputeti Salih Zyba, pasi sipas tij, në Kosovë ka ekspertë të cilët nuk janë të përfshirë në listën e ekspertëve gjyqësorë.
“Ka ekspertë që nuk futen në lista për mëditje për honorare dhe për ekspertiza. Veç mos ta kufizojmë se do të bindemi më pas se kemi njerëz, jo detyrimisht në listë të ekspertëve të gjykatës ose prokurorisë apo në mekanizma të tjerë që bëjnë ekspertiza”, ka theksuar Zyba.
Deputetë miratuan propozimin për t’i pranuar edhe aplikimet e personave me ekspertizë në prokurim, kontabilitet dhe financa e që janë pa certifikata ekspertësh.
Propozimi i partisë në pushtet kaloi dhe shpenzimet e komisionit u ulën nga 28.950 euro në 26.950 euro për tre muaj. U bë po ashtu edhe thirrje për ekspertët që të aplikojnë deri të premten. Kategori në tabelën e shpenzimeve për sjelljen e dëshmitarëve nga jashtë vendit u shkri në me shpenzimet e tjera kontigjente në një total prej 10.000 eurosh.
U miratuan edhe pagesat 270 euro në muaj për anëtarët e komisionit. Në këtë mbledhje të komisionit deputetët dhe përfaqësues të administratës bënë të ditur se shpenzimet e parapara që nuk realizohen i kthehen buxhetit.
Një pjesë e madhe e mbledhjes kaloi me diskutime për shpenzimet në bufe. Anëtarët aprovuan buxhetin e komisionit ku parashihen 690 euro për shpenzime në bufe për periudhë tremujore.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje fillimisht e kanë bllokuar konstituimin e tij dhe kanë munguar me muaj pas konstituimit, me arsyetimin se nuk i kanë marrë ftesat me kohë, se janë bërë ftesa për kohë që ka rënë ndesh me komisionet e tjera dhe me arsyetimin se opozita po tentohen ta bëjë punën e prokurorisë me komisionin nga pjesëtarët e opozitës – kur çështja e skandalit të rezervave është në hetim penal.
Në kuadër të hetimit penal janë sekuestruar dokumente në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, si dhe janë intervistuar tre persona - biznesmen i angazhuar për procesin e furnizimit me rezerva shtetërore, Ridvan Muharremi, drejtor i Departamentit për Rezervat Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, si dhe ish-sekretari i MINT, Irfan Lipovica.
Deputetët opozitarë e kanë akuzuar vazhdimisht për pengim të qëllimshëm të punës së komisionit. Viti 2024 është paralajmëruar si vit zgjedhjesh. Komisioni hetimor i ka edhe dy muaj mandat, ndërsa për zgjatjen e mandatit duhet të bëhet një votim tjetër në Kuvend. Më 21 shtator 2023, Kuvendi i Kosovës votoi themelimin e Komisionit për të hetuar dyshimet lidhur me keqpërdorimin gjatë furnizimit të Rezervës shtetërore. Dyshimet e Prokurorisë Speciale janë se buxheti është dëmtuar me mbi 600 mijë euro duke u shkelur kontratat për blerje të grurit, vajit e sheqerit.