Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Levits: Partneriteti për Paqe, hapi i Kosovës drejt NATO-s

Presidenti i Letonisë, Egils Levits, gjatë takimeve me liderët e institucioneve, ka premtuar mbështetje për Kosovën në proceset e integrimeve evropiane dhe të anëtarësimit në NATO. Referuar luftës në Ukrainë, ai ka thënë se duhet të ripërtërihet arkitektura e sigurisë dhe e vetë Evropës

Përfshirja në Partneritetin për Paqe është hapi që Kosova duhet të ndjekë në rrugëtimin e saj drejt aleancës euroatlantike, NATO, ka thënë të premten në Prishtinë presidenti i Letonisë, Egils Levits. Në takimet me liderët institucionalë të Kosovës, Levits ka premtuar mbështetjen e Letonisë në këtë dhe proceset e tjera integruese të Kosovës.

“Është me rëndësi që të zgjerojmë bashkëpunimin mes NATO-s e Kosovës. Si hap i parë së paku, është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet Partneritetit për Paqe dhe mendoj që tani është koha e duhur për ta bërë këtë hap. Varet nga NATO-ja, NATO-ja është ajo që vendos rreth kësaj, sepse është shumë me rëndësi që të fuqizohet bashkëpunimi mes inkuadrimit në NATO dhe Lituania është duke e përkrahur këtë hap”, ka deklaruar Levits, në konferencën për media, pas takimit me presidenten Vjosa Osmani.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Partneriteti për Paqe është program në kuadër të NATO-s, nëpërmjet së cilit synohet që të ndërtohen marrëdhënie të sigurta, të rritet stabiliteti e të zvogëlohen kërcënimet ndaj paqes mes vendeve partnere dhe NATO-s, por edhe ndërmjet vendeve partnere. Derisa më parë përmes këtij programi është synuar që të hiqen barrierat mes vendeve e ofrohet siguri nëpërmjet dialogut e bashkëpunimit, tani ky program përfshin edhe trajtimin e sfidave të sigurisë.

E pikërisht rishikimi i konceptit të sigurisë ishte një nga aspektet që e përmendi presidenti i Letonisë në konferencën për media.

“Arkitektura e sigurisë dhe e Evropës duhet të ripërtërihet dhe të bazohet në realitet. Realiteti është që duhet të ballafaqohemi me një Rusi agresive dhe natyrisht shtetet evropiane, NATO-ja dhe aleatët më të rëndësishme ushtarak në botë, patjetër të gjitha shtetet evropiane duhet t`i bazojnë, vendosin ato konceptet e mbrojtjes së tyre bazuar në realitetin”, deklaroi Levits.

Më tej ai shtoi se e mbështesin Kosovën në procesin e saj integrues në BE, por që e shohin të rëndësisë së veçantë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. “Do të përmendja këtu para së gjithash Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës është një organizatë e shteteve demokratike që bazohet në sundimin e ligjit, kjo do të thotë se Kosova i përket familjes së Këshillit të Evropës sepse është një shtet demokratik që bazohet në sundim të ligjit. Ne do të mirëpritnim aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne po ashtu mund të shkëmbejmë përvojat tona për të gjetur rrugën drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.

Sa i përket dialogut me Serbinë, presidenti i Letonisë ka thënë se nuk duhet te jetë pengesë për Kosovën në ndërtimin e raporteve e integrimit në fusha të tjera.

“Po e vërej që ekzistojnë disa probleme të ndryshme në dialogun Kosovë-Serbi, por shpresoj që këto bisedime do të përparojnë. Nëse nuk kemi progres të madh, kjo nuk duhet të jetë pengesë për Kosovën në drejtime dhe raporte të tjera. Dialogu Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm, por edhe nëse nuk ka progres, ka mënyra të tjera se si Kosova të jetë më shumë e integruar në kornizat evropiane”, ka deklaruar Levits.

Për ngecjet në bisedimet me Serbinë, presidentja Vjosa Osmani ia ka lënë regjimit në Beograd, duke e kritikuar atë për moszbatim të marrëveshjeve të arritura e bllokimin e tyre. Sipas Osmanit, një gjë e tillë është duke u bërë nga Serbia, për shkak se, siç tha ajo, shteti fqinj nuk i pranon standardet evropiane.

Osmani teksa është pyetur për dështimin e marrëveshjes për targat, ka thënë që tentimet për të arritur një marrëveshje do të vazhdojnë edhe më tej.

“Jo vetëm marrëveshja permanente për targat, por edhe marrëveshjet e tjera, të cilat ne si Republikë e Kosovës i kemi shtyrë përpara në përputhje të plotë me parimet dhe standardet evropiane, për fat të keq janë bllokuar nga ana e Serbisë. Për një arsye të vetme sepse Serbia nuk po i pranon këto parime dhe standarde evropiane... Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar BE-ja, në përputhje me kriteret dhe parimet dhe standardet e Bashkimit Evropian, por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po e shkakton pala tjetër, në këtë rast po e shkakton pala serbe”, ka deklaruar Osmani, në konferencën e përbashkët me presidentin letonez.

Ajo kërkoi nga shteti i Letonisë mbështetjen në procesin e integrimeve.

“Duke qenë se Letonia është një zë kyç në NATO dhe në Bashkimin Evropian, kam kërkuar mbështetjen e presidentit Levits në rrugëtimin tonë drejt integrimit tonë euroatlantik dhe kam theksuar se këto aleanca duhet t’i kenë gjithnjë dyert e hapura për shtetet si Republika e Kosovës, duke treguar përkushtimin dhe plotësimin e kritereve për të qenë pjesë e saj”.

Presidenti letonez është pritur edhe nga kryekuvendari, Glauk Konjufca, e kryeministri, Albin Kurti.

Konjufca, sipas njoftimit të Kuvendit, ka falënderuar presidentin Levits për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Letonisë ka ofruar për Republikën e Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese, duke shprehur njëherësh mirënjohje edhe për kontributin e trupave letoneze që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
“Duke folur për situatën aktuale politike dhe sfidat e sigurisë, si pasojë e agresionit të paprovokuar rus në Ukrainë, kryetari Konjufca theksoi se Rusia dhe aleati i saj, Serbia, përbëjnë kërcënim serioz për paqen e stabilitetin rajonal dhe më gjerë. Prandaj është nevojë urgjente integrimi euroatlantik i Ballkanit Perëndimor, theksoi ai, duke kërkuar nga presidenti Levits mbështetjen e Letonisë ndaj Kosovës në këtë rrugëtim”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit.

Ndërsa, sipas njoftimit nga Qeveria, kryeministri Kurti e ka informuar presidentin e Letonisë me angazhimin për të siguruar stabilitet politik e zhvillim ekonomik. Nga presidenti i Letonisë, sipas njoftimit nga ekzekutivi, kanë marrë mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe për përfshirjen në Programin e Partneritetit për Paqe.

“Në takim u bisedua edhe për situatën e sigurisë në Evropë dhe në rajon, pas invazionit dhe agresionit të Federatës Ruse në Ukrainë. Që të ruhet paqja dhe stabiliteti afatgjatë, kryeministri Kurti tha se është i domosdoshëm integrimi sa më i shpejtë dhe i plotë i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe në NATO”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Levtis qëndroi në Kosovë me ftesë të presidentes, Vjosa Osmani.