Qytetarët i kujtojnë si momente të rënda ditët e prillit kur shumë prej tyre u dëbuan nga forcat serbe. Teksa bombardimet e NATO-s po vazhdonin, agresioni i Serbisë mbi popullatën civile vetëm sa rritej. Në prillin e 1999-s rreth gjysmë milioni qytetarë u dëbuan në drejtim të Maqedonisë, në atë që njihet si “Eksodi masiv Bllaca 1999”
Fotografia e Sherife Lutës me foshnjën që po e ushqente me gji, teksa ishte në kolonën e shqiptarëve të dëbuar nga forcat serbe, kishte zënë ballinat e gazetave më të mëdha ndërkombëtare.
24 vjet pas prillit të vitit 1999, kur nga Kosova u dëbuan rreth gjysmë milioni shqiptarë, ajo kujton vuajtjet e mëdha për në Maqedoni, ku ikën shumica e atyre që lanë prapa shtëpitë e tyre.
“E kemi përjetuar shumë rëndë, e kemi pasë shumë vështirë, kemi pasë një udhëtim shumë të gjatë me vajzën në krah, e lodhur, shumë e rëndë ka qenë për të gjithë...Unë kam qenë me vajzën, e në ndihmë kam pasë babën, vjehrrën dhe kunatën, sepse burri ka qenë në luftë...Shumë e rëndë ka qenë, sepse gjatë gjithë kohës pas udhëtimit e kam pasë vajzën në gji, nuk kemi pasë me ngrenë diçka, tërë kohës duke ecur, rrugë e gjatë...Momenti më i vështirë ka qenë kur ja kam kthyer shpinën Kosovës, dhe momenti tjetër më i rëndë ka qenë kur jemi nda me burrin. Burri është ndalë në luftë e ne kemi marrë rrugë”, tha Sherife Luta.
Të hënën, në 24-vjetorin e eksodit masiv “Bllaca 1999”, në Han të Elezit u hap një ekspozitë me fotografi të realizuara nga dëbimi i shqiptarëve. Shumë qytetarë kthyen në kujtesë ato ditë të tmerrshme për ta dhe Kosovën.
“E kam përjetuar shumë rendë, sepse jemi ardhur prej një lufte të madhe që atë ditë i kanë vra gjithë fshatin dhe pasi i kanë vra të gjithë ne nuk kemi ditur asgjë për familjarët. Na kanë vendos me dhunë në këta trena dhe me e keqja që kam përjetuar është kur serbët na tregonin tre gishtat e ne tu e lëshuar Kosovën...Na u ndalke edhe fryma, e shikonim Kosovën si për herë të fundit dhe nuk kemi qenë në dijeni nëse do kthehemi sërish. Ka qenë një tmerr, për familjarë nuk kemi ditë asgjë”, tha qytetarja Lumnije Kelani.
“Mandej, dhimbja ishte shumë e madhe sepse nuk kishte strehim, jemi dalë dhunshëm pa bukë, ujë e pa ditë ku janë fëmijët e familjet. Dhe më e keqja këtu se ikëm nga një okupator i cili na ndiqte në çdo hap dhe erdhëm këtu ku gjetëm një okupator tjetër, sepse këtu u ndanë më së shumti familjet mes vete...Aty u pa edhe solidariteti i popullit tonë, dhe më vjen keq që pas 24 vjetëve nuk është më ai solidaritet i cili ishte në ato vite, sikur u harrua, kjo është e dhimbshme, pra, harresa”, tha qytetarja Nazife Grajqevci.
Autori i ekspozitës, Asllan Krasniqi, ka folur për dhimbjen që përcjellin këto fotografi.
“E kam përjetuar shumë keq, shumë dhimbje e emocione dhe kam akoma sot e sa herë të përmendet. Vetëm t'i shohësh fotografitë me këto fytyra se sa kanë vuajtur duke pritur në autobus, mjafton...Në përgjithësi më prekin të gjitha fotografitë, ku shihet shpresa, i moshuari që ka qenë 101-vjeçar e të gjitha janë të prekshme”, tha fotografi dhe autori i ekspozitës Asllan Krasniqi.
Dëbimi, si krim lufte, ka qenë një prej fakteve për të cilat janë dënuar ish-zyrtarë të lartë të Serbisë. Më 2014, për dëbim e krime të tjera lufte, Tribunali i Hagës i dënoi zëvendëskryeministrin e ish-Jugosllavisë, Nikola Shainoviq me 18 vjet burgim, kreun e Ministrisë së Brendshme të Serbisë, Sreten Lukiq, me 20 vjet, komandantin e Armatës së tretë jugosllave, Nebojsha Pavkoviq, me 22 vjet burgim, dhe komandantin e Korpusit të Prishtinës, Vladimir Lazareviq, me 14 vjet.