Emri i Blerim Isufajt për kryeprokuror nuk është duke u pëlqyer nga vendorë e ndërkombëtarë.
Propozimi i Këshillit Prokurorial për emërimin e tij, pas organizatave joqeveritare që e kanë monitoruar procesin, është kritikuar edhe nga ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Zyra e Bashkimit Evropian e ambasadori i Gjermanisë në Kosovë.
Ambasadori i SHBA-së, Jeffrey Hovenier, në një reagim në Tëitter, ka thënë se procesi i zhvilluar ka dëmtuar besimin e SHBA-së në Këshillin Prokurorial.
“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e panelit shqyrtues bie ndesh me atë standard. Shtetet e Bashkuara nuk kishin një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi gjykuar kualifikimet e kandidatëve individualë. Jemi të shqetësuar se mënyra se si KPK i ka zhvilluar këto procedura ka dëmtuar besimin e publikut kosovar dhe besimin tonë në KPK si institucion publik”, ka thënë Jeffrey M. Hovenier, aAmbasador i ShBA-së në Kosovë.
Sipas vërejtjeve nga shoqëria civile, paneli ka vlerësuar kandidatët në mënyrë të pabazuar e trajtuar ata në mënyrë të pabarabartë, si dhe se KPK-ja ka dështuar që gjatë procesit të intervistimit të sqarojë e të sigurojë për integritetin e kandidatit për kryeprokuror të shtetit.
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szynoyg, është shprehur i zhgënjyer me veprimet e KPK-së.
“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, u shpreh Tomas Szuynog.
Derisa ka shpërndarë reagimin e Szunyog, ambasadori gjerman, Jorn Rohde, të enjten ka thënë po ashtu se zgjedhja e Isufajt është zhgënjyese.
“Kjo vërtet është zhgënjyese dhe jomënyrë për të ecur para. Veçanërisht kur edhe organizatat joqeveritare të njohura në Kosovë, si IKD e GLPS, shprehin shqetësimin e njëjtë”, tha Rohde.
E në Ambasada e Britanisë së Madhe thanë se shpresojnë që KPK-ja të zbatojë rregulloren e tyre. Nga kjo ambasadë janë shprehur të gatshëm që të bashkëpunojnë sërish me Këshillin Prokurorial, nëse këta të fundit janë të gatshëm të përfshihen në projektin e rekrutimit.
Por, me reagimet nuk pajtohen nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në një përgjigje me shkrim për televizionin, nga ky institucion kanë thënë se i gjithë procesi është zhvilluar në përputhje me aktet ligjore në fuqi.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës thekson se ky proces është plotësisht legjitim, sepse është përcjellë me objektivet, me transparencë, me gjithëpërfshirje dhe është bazuar në meritokraci. Propozimi për emërim në pozitën e kryeprokurorit të shtetit të z. Blerim Isufaj do të dërgohet për dekretim te presidentja e Kosovës sipas afateve të parapara ligjore”, thuhet në përgjigjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
KOHA ka pyetur në Zyrën e presidentes nëse pas reagimeve do të dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror, por të enjten nuk ka marrë përgjigje.
Derisa, ditë më parë, presidentja Vjosa Osmani pati deklaruar se në këtë pozitë do të emërohet një person me integritet.