LAJMET E MBRËMJES

Kryeministri Kurti lë fajtor Serbinë për dështimin e takimit

Dy ditë pasi dështoi të mbahet takimi i nivelit të lartë në kuadër të dialogut me Serbinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se arsyeja pse ka ndodhur një gjë e tillë, duhet të kërkohet në Beograd. Kurti ka ndërlidhur mungesën e progresit në bisedimet me raportin që Serbia ka me Rusinë. Në anën tjetër, në mbledhjen e kabineti qeveritar, u miratuan një varg vendimesh, por propozimi për hartimin e një projektligji për mbrojtjen e konsumatorëve nga çmimet e papërballueshme në treg, ka nxitur reagimin e ish-kryeministrit Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk arritën të thyejnë akullin e të ulën në tavolinën e bisedimeve në kuadër të dialogut. Me gjithë paralajmërimet, takimi Kurti-Vuçiq, nuk ndodhi në fillim të kësaj jave, e një i tillë tani emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, synon ta aranzhoj deri në muajin shtator.

Kreu i Qeverisë, ka thënë se arsyeja e mosmbajtjes së takimit të 18 korrikut, duhet të kërkohet në Beograd. Sipas Kurtit, Serbia është duke shkaktuar të gjitha vonesat për konstituimin e institucioneve të saj e pengesa në procesin e dialogut, vetëm që t`i ikë sanksionimit të Rusisë. Kurti ka thënë se ndaj Serbisë duhet të ushtrohet më shumë presion nga Bashkimi Evropian e Shtetet e Bashkuara të Amerikës në mënyrë që të përcaktohet qëndrimi i saj. “Neutraliteti është cinizëm, nuk mund të jesh neutral midis zjarrit e zjarrfikësit. Në luftën që po ndodhë në Ukrainë nuk mund të jesh neutral mes Kremlinit edhe popullit ukrainas që po bënë luftë çlirimtare Prandaj, besoj që pengesat shtesë që na janë shkaktuar në këtë vit, në bisedimet e Brukselit kanë të bëjnë pikërisht me Beogradin i cili po e vonon konsolidimin e brendshëm në mënyrë që të mos detyrohet t`i vendos sanksione federatës ruse”, ka thënë kryeministri Albin Kurti, në një konferencë për media, të mërkurën.

Duke folur për mosrespektimin e afateve të përcaktuara për zbatimin e udhërrëfyesit për energjinë, Kurti tha se presin që të reagojë Brukseli. Ai tha se nuk mund të pritet më që qeveria të paguaj rrymën e shpenzuar në veri. “Me çmimet të cilat ishin në dhjetor të vitit të kaluar të gjithë e kanë të qartë se nuk mund të kemi përsëritje të së njëjtës edhe në dimrin që vjen por Brukseli e ka evidentuar që qasja destruktive e Serbisë është faktori e fajtori për moszbatimin e deritanishëm të udhërrëfyesit ashtu siç ishin paraparë oraret.”, ka thënë Kurti, duke shtuar se si palë janë “konstruktiv e të përkushtuar”.

Një ditë më parë, emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në një intervistë për televizionin publik të Kosovës, deklaroi se Kosova dhe Serbia janë “dy fjalë afër ose larg” marrëveshjes për personat e zhdukur.

E për këtë temë, kreu i ekzekutivit, nuk është edhe aq optimist sa Lajçak. Kurti, në konferencën për media, tha se duke pas parasysh “përvojën e hidhur” me Serbinë, i duket i nxituar që të thotë se janë “tepër afër”, marrëveshjes për të pagjeturit. Sipas shefit të Ekzekutivit, problemi qëndron te insistimi që Kosova ka që të theksohet se zhdukja e personave ka ndodhur me dhunë. “Beogradi insiston që të quhen vetëm persona të pagjetur ndërkohë që ne insistojmë që të theksohet se kjo është bërë me forcë është bërë me dhunë. Sepse ata nuk janë persona të pagjetur si shkas i fatkeqësive natyrore të llojit të vërshimeve, zjarreve apo tërmeteve, por ne kemi familjarë që e dijnë se personi i caktuar, i uniformuar ose jo ua morri vajzën, djalin babën ose nënën , burrin, motrën, kushëririn e kështu me radhë. Pra, bëhet fjalë për kidnapime, për rrëmbime të cilat janë bërë me dhunë”, ka deklaruar kryeministri Kurti.

Qeveria javë më parë vendosi reciprocitet për Serbinë në përdorimin e dokumenteve identifikuese. Sipas vendimit, nga 1 gushti, të gjithë shtetasit e Serbisë, në pikë-kalimet kufitare do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të identifikimit personal. Një masë e tillë, është aplikuar nga Serbia për kosovarët. Përveç për letërnjoftimet, qytetarët që kanë përdorur tabelat jo legale deri më tani, qeveria iu ka dhënë dy muaj kohë që t`i ndërrojnë ato në “RKS”.

Për hyrjen në fuqi të këtyre vendimeve, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se janë duke i bërë të gjitha përgatitjet, derisa nuk ka hedhur poshtë mundësitë që i zbatimi i tyre mund të nxisë reagime. Duke iu referuar nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq, Kurti ka thënë se personave si ai, iu intereson destabilizimi i veriut.

“Ata të cilët janë në listën e zezë të thesarit amerikan, ata të cilët kane fletë arreste në Kosovë, ata të cilët kanë punuar e punojnë për struktura ilegale,, natyrisht se kanë në interes destabilizimin. Problem është kur interesi I tyre gjen mbështetje politike në Beograd. Unë besoj që faktorët ndërkombëtarë do të duhet të mbajnë shënim me shkronja të theksuar për këtë mbështetje politike që iu vjen këtyre kriminelëve që e duan destabilizimin e Kosovës sepse e luftojnë shtetin e Kosovës”, ka deklaruar Kurti, të mërkurën.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Listës Serbe, e cila përmes një komunikate për media, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti, se është ai i cili është duke kërcënuar paqen në rajon. “Me lëvizjet e njëanshme, Albin Kurti po synon të marrë poenë të lirë politikë, duke provokuar popullin duarthatë serb dhe në këtë mënyrë është i vetmi që kërcënon drejtpërdrejt paqen në këtë rajon, i vetëdijshëm se nuk është në gjendje të përmirësojë jetën e shqiptarëve, e as të përmbushë ndonjë premtim të vetëm të fushatës”. Kjo parti u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që “të mos heshtin ndaj kërcënimeve ndaj paqes” dhe që “të ndalin Kurtin nga provokimi i konflikteve”.

Paraprakisht, Kurti drejtoi mbledhjen e kabinetit qeveritar. Në këtë mbledhje, qeveria shpalosi synimet e saj që mbrojtjen e qytetarëve nga rritja e çmimeve të produkteve bazë ta bëjë përmes hartimit të një projektligji. Të mërkurën, ekzekutivi i ka caktuar vetes afatin e 10 gushtit, kur duhet ta miratojë Projektligjin për Mbrojtjen e Furnizimit me Produkte Themelore. Kryeministri Albin Kurti, në prezantimin e projektligjit, tha se me këtë projektligj do adresojnë “gjendjen e krijuar në treg”. “Kësaj radhe po bëjmë përditësimin e agjendës legjislative në mënyrë që të hartojmë rregulla që do ta mbrojnë qytetarin nga vendosja e çmimeve të papërballueshme në sigurimin e furnizimit të ushqimit me produktet bazë. Për të adresuar gjendjen e krijuar në treg është e pashmangshme që projektligji për mbrojtjen e sigurimit në produktet themelore të hartohet sa më parë, konkretisht deri në fillim të muajit gusht”.

Ndaj këtij vendimi të qeverisë së drejtuar nga Kurti, ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti. Ai ka thënë se qasja e tillë e qeverisë për luftimin e inflacionit është jokushtetuese dhe joprofesionale. Sipas Hotit, zbutja e krizës nga inflacioni nuk mund të bëhet me propozimin e një projektligji. “E para, në asnjë vend demokratik dhe me ekonomi të tregut, inflacioni nuk mund të luftohet me ligje, por me politika fiskale dhe monetare. E dyta, edhe pse kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, procedurat e miratimit të këtij ligji marrin së paku tre muaj. Pra, po flasim për muajin nëntor kur ky ligj në rastin më të mirë mund të hyj në fuqi”, ka shkruar deputeti i LDK-së në Facebook, duke shtuar se pasojat e qasjes së qeverisë do të vazhdojnë të i bartin të gjithë.

Në ndryshimin që i bëri agjendës legjislative, kabineti qeveritar shtyu për disa muaj miratimin e Ligjit për Shëndetësinë. Në mbledhjen e Qeverisë, u vendos që të vazhdohet edhe mbështetja për stafin shëndetësor. Sipas këtij vendimi, stafi shëndetësor do të vazhdojnë të marrin shtesa prej 10 për qind të pagës bazë deri në fund të këtij viti. “Mbështetja fillestare ka qenë e paraparë të vazhdojë deri në fund të muajit qershor 2022. Mirëpo me rikthimin e numrave dhe ndryshimin e situatës konsiderojmë se mbështetja duhet të vazhdojë për stafin shëndetësor, 10 për qind mbi pagën bazë. Konsiderojmë të nevojshme të ketë staf të motivuar dhe angazhuar në luftën kundër COVID-19. Në lidhje me këtë parashihen të ndahen mjete në shumën financiare prej 5.5 milionë euro”, deklaroi ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Të mërkurën, qeveria ndau po ashtu 255 mijë euro për mbështetjen e sigurimit të librave për nxënësit në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e emëroi Bordin e drejtorëve të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Gjakova. Përmes këtij vendimi, Urim Gashi, ëhstë emëruar kryesues i bordit derisa anëtarë janë emëruar: Arianeta Nura, Vildane Maloku, dhe Jeton Haxhijaha.