Krerët e shtetit i kanë bërë thirrje Bashkimit Evropian që të ushtrojë presion mbi Serbinë për hapjen e arkivave shtetërore, në Ditën Ndërkombëtare të viktimave të zhdukjes me forcë. Gjatë homazheve në Memorialin për të Pagjeturit në kryeqytet, presidentja Vjosa Osmani deklaroi se Serbia është duke vazhduar krimin e saj duke fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjes me Forcë, presidentja Vjosa Osmani tha se Serbia është duke vazhduar krimin e saj duke fshehur vendndodhjen e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Osmani, e cila bashkë me kryekuvendarin Glauk Konjufca dhe ministra të kabinetit qeveritar bënë homazhe te Memoriali për të Pagjeturit në kryeqytet, theksoi se komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë për hapjen e arkivave.
“I bëj thirrje gjithë komunitetit ndërkombëtar, të gjithë aleatëve dhe miqve të Kosovës. Të gjithë aleatëve të të drejtave të njeriut, që të mendojnë për nënat, për motrat, për vëllezërit, për prindërit, për familjarët, për ata fëmijë të zhdukur që akoma janë nëpër varreza masive në të cilat po fle Serbia edhe 25 vjet pas luftës”, tha Osmani.
Konjufca para familjarëve të personave të pagjetur tha se Kosova duhet të ndërmarrë veprime që ndihmojnë në vetëdijesimin e Bashkimit Evropian për ta detyruar Serbinë t’i bëjë publike lokacionet e varrezave masive.
“Ne çka duhet të bëjmë është që t'i marrim të gjitha masat që janë në dorën e institucioneve të Kosovës, ashtu që të sigurohemi se edhe bashkësia evropiane, edhe Unioni Evropian, edhe faktorë të rëndësishëm të vendimmarrjes, të vetëdijesohen se ka nevojë për një trysni më të madhe mbi Aleksandar Vuçiq dhe institucionet e Serbisë që t'i hapin arkivat e tyre”, tha Konjufca.
E, kryeministri Albin Kurti, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, kërkoi që të sillen para drejtësisë e të dënohen përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për krimet e kryera në Kosovë.
“Serbia ende vazhdon të qëndrojë mbi varre masive teksa i mohon ato. Sot e gjithnjë u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që ta rrisin presionin mbi Serbinë, si përgjegjëse për zhdukjen e qytetarëve tonë, për të zbardhur fatin e tyre dhe për të vënë drejtësi duke dënuar përgjegjësit politikë ushtarakë e policorë për këto krime”, tha Kurti.
Rreth 1600 personat e zhdukur i ka përkujtuar edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinja, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook. Ai theksoi se Kosova qëndron e palëkundër në kërkim të tyre.
“Sot kur e gjithë bota kujton personat e zhdukur, zemra jonë rrah me familjarët që ende presin me ankth për fatin e të dashurve të tyre. Motrat, vëllezërit e fëmijët tanë të pagjetur mbesin plagë e hapur, dhembje që vazhdon. Qëndrojmë të palëkundur, për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë e munguar”, shkroi Haradinaj.
Më 2 maj kryeministri Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq, kanë nënshkruar Deklaratën për të Pagjeturit, përmes së cilës palët u zotuan të lejojnë qasjen në të gjitha dokumentet në posedim të tyre, përfshirë ato të shënuara si konfidenciale. Por arkivat e Ushtrisë dhe të Policisë serbe deri më tani kanë mbetur të paprekshme.