Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka përmendur si opsion braktisjen e dialogut me Serbinë. Pas takimit që e pati me kryetarin e Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, Konjufca tha se nëse çmimi që duhet paguar në këtë proces janë shkatërrimi i Kosovës dhe minimi i themelit të shtetit, atëherë është mirë të thuhet: mirupafshim
Një prej tre zyrtarëve më të lartë shtetërorë ka përmendur si opsion braktisjen e dialogut Kosovë-Serbi. Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha të hënën se nëse provohet të shtyhet një zgjidhje që e defunksionalizon shtetin, atëherë duhet larguar nga dialogu.
Pas takimit që e pati me kryetarin e Kuvendit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, kryeparlamentari Konjufca tha se Kosova është pjesë e procesit për shkak se beson në njohje të ndërsjellë.
“Besojmë që dialogu është për njohje të ndërsjellë dhe e dimë që çfarëdo rregullimi për serbët e Kosovës është në kuadër të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Konjufca. “Nëse ky proces e ka çmimin e shkatërrimit të shtetit të Kosovës, e minimit të themelit të shtetit tonë, atëherë është mirë të themi: mirupafshim! S’po ka interes këtu. Interesi është vetëm kur është i dyanshëm. Interesi ynë është që korniza e dialogut të jetë drejt njohjes së ndërsjellë”.
Shtetet e BE-së dhe SHBA-ja mbështetën një plan për dialogun, të propozuar nga Gjermania dhe Franca, por i cili nuk përmban njohjen e ndërsjellë. Ai u pranua nga Kosova dhe Serbia, meqë u paralajmëruan pasoja për palën që e refuzon.
Plani obligon të dyja vendet t’i zbatojnë marrëveshjet e deritashme, përfshirë atë për Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë dallime të mëdha.
Kryeparlamentari i Austrisë, Wolfgang Sobotka, e ka vlerësuar sfiduese situatën aktuale në Kosovë dhe u bëri thirrje palëve që t’i bëjnë interpretim të njëjtë Planit evropian me të cilin janë pajtuar.
“Çka është sfiduese, është situata e tanishme në Kosovë dhe marrëdhëniet me Serbinë janë një prej sfidave që duhet të zgjidhen gjatë rrugës së dialogut dhe ne çdoherë do të përpiqemi që për të dyja shtetet të ofrojmë një mundësi që t’i afrohen një hap më tutje njëri-tjetrit. Edhe Marrëveshja e Ohrit është shumë e rëndësishme dhe shpresojmë që të dy shtetet t’i bëjnë interpretim të njëjtë kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Sobotka.
Plani evropian, mes tjerash, përmban një pikë në të cilën theksohet se Serbia nuk do ta pengojë Kosovën në procesin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.
Por, Beogradi zyrtar ka shprehur qëndrimin se do ta kundërshtojë secilën përpjekje të Kosovës për t’u bërë pjesë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Veç kësaj, ka lobuar dhe ka votuar kundër që Kosovës t’i pranohet aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kryeparlamentari Konjufca tha se homologut të tij austriak ia ka shpalosur shqetësimin për shkeljen e Marrëveshjes së Ohrit nga ana e Serbisë.
“Kosova me shumë vullnet të mirë e pranoi Marrëveshjen e Ohrit, por ne po jemi dëshmitarë se si Serbia e lexon në mënyrë krejtësisht të kundërt marrëveshjen që e ka pranuar, prej asaj se si e lexon Republika e Kosovës. Unë jam i bindur, ne kemi argumente shume të fuqishme dhe është e shkruar e zeza në të bardhë që kjo marrëveshje i përmban dy dimensione dhe shtylla e parë në këtë marrëveshje është njohja de fakto e Serbisë për Kosovën”, ka thënë Konjufca.
Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë temë diskutimi edhe në takimet e tjera që kryeparlamentari austriak i ka realizuar gjatë vizitës në Kosovë, përfshirë edhe në atë me kryeministrin Albin Kurti.
Në këtë takim kryeministri ka thënë se marrëveshja bazë që derivon nga propozimi evropian duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.
“Kryeministri Kurti theksoi kontributin dhe angazhimin konstruktiv të Kosovës në të gjitha takimet dhe përgjatë gjithë procesit, si dhe rëndësinë që Marrëveshja bazë, që derivon nga propozimi evropian, me përfshirje të drejtpërdrejt të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime”, thuhet në njoftim.
Serbia vazhdon ta kushtëzojë zbatimin e marrëveshjes me themelimin paraprak të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, por plani për zbatimin e marrëveshjes kërkon që pikat e dokumentit të jetësohen pa ndonjë kusht.