LAJMET E MBRËMJES

KEK-u me vetëm një bllok në funksion, kritikohet mosadresimi i problemeve

Vetëm një nga 7 blloqet e dy termocentraleve të Korporatës Energjetike të Kosovës ka qenë në funksion gjatë së mërkurës. Blloku B2 me kapacitet prej 250 megavatësh ka dalë jashtë operimit mëngjesin e hershëm të së mërkurës shkaku i një avarie. Problemet më rënien e blloqeve, sipas njohësve të fushës së energjisë, janë shkak i dështimeve të institucioneve në mosadresimin me kohë të problemeve

Nga shtatë blloqet sa i kanë dy termocentralet e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), të mërkurën ka qenë në funksion vetëm ai “A4”, pasi që puna në njësinë “B2” është ndalur në mëngjesin e hershëm, si pasojë e një avarie. 

Kjo ka ndikuar që vendi të mbetet me më pak se 160 megavatë prodhim, 113 megavatë prej të cilave nga njësia e vetme në funksion.

Furnizimi i qytetarëve me energji elektrike aktualisht është duke u bërë kryesisht nga importi, një pjesë të së cilës është duke e siguruar vetë KEK-u.

“Ekipet e mirëmbajtjes dhe e ekspertëve teknikë të KEK-ut janë në gatishmëri të plotë për të filluar procesin e sanimit të gypave të dëmtuar. Bazuar në vlerësimet paraprake, pritet që ky proces të zgjasë rreth 48 orë. KEK-u ka arritur të sigurojë rreth 5,000 MWh energji elektrike nga burime të jashtme, që është afërsisht rreth 90 për qind të kapacitetit të planifikuar të prodhimit të njësisë B2”, kanë thënë në KEK.

Nga fundi i muajit mars jashtë funksionit është edhe blloku “B1”, i cili i është nënshtruar remontit. 
Adhurim Haxhimusa, njohës i fushës së energjisë, i ka kualifikuar telashet me rënie të blloqeve si dështim të institucioneve në mosadresimin me kohë të problemeve.

“Tash ka filluar puna në riparimin e Kosovës B e ne nuk e dimë, absolutisht nuk e dimë, se cila është kostoja shtesë që e paguajmë për të importuar energji elektrike si rrjedhojë e ndaljes së këtij blloku. Nuk e di nëse institucionet tona janë përkujdesur që të kenë një kontratë afatgjate dy, tre apo katër muaj me ndonjë prodhues jashtë vendit, i cili na ofron energjinë elektrike me çmim më të ulët sesa që e kishim blerë në tregun ditor evropian”, ka theksuar ai. “Kemi dështim institucional për të adresuar këto probleme, kemi dështim të korporatës për të shtyrë përpara këto probleme dhe për të pasur vullnet politik për t’i çuar këto procese përpara, prandaj jemi këtu ku jemi”.

E përgjegjësinë për mosinvestimin me kohë në termocentrale, ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ua ka faturuar qeverive të kaluara, ani se qeverisja aktuale është në pushtet që nga viti 2021.

“Në 2017 është bërë studimi i fizibilitetit. Sikur të ndodhte atëherë në një kohë kur çmimi i importit ka qenë 46 euro dhe sakrifica afatshkurtër do të ishte më e vogël. Duhet të bëhen investime kur importi është më i lartë, por që ia vlen se po bëhet për një periudhë afatgjate e rrit sigurinë e investimet”, ka thënë ajo.

Rizvanolli ka theksuar po ashtu se në fund të muajit prill do të fillojnë punimet në rehabilitimin e bllokut “B2” dhe në modernizimin e turbinës së tij. 

Investimet në dy blloqet e termocentralit “Kosova B”, sipas Rizvanollit, do të vazhdojnë edhe gjatë viteve 2026 dhe 2027, për çka pritet të shtohen kapacitetet për 80 megavatë.

“Siguria e furnizimit do të rritet shumë, pasi ne aktualisht jemi duke funksionuar me termocentrale 46-vjeçare, të cilave nuk u dihet kurrë kur do të dalin nga sistemi, kur do të kenë probleme, e kur do të kthehen, që na bën shumë problem”, ka theksuar ministrja në detyrë e Ekonomisë.

Konsumi i energjisë gjatë së mërkurë është sjellë rreth 850 megavatë për orë, prej të cilave rreth 700 megavatë janë importuar. Çmimi mesatar i importit të energjisë elektrike është rreth 100 euro.