“Duhet të ketë përparim të dukshëm në mes të Serbisë dhe Kosovës. Gjermania dëshiron të kontribuojë duke vazhduar bisedimet në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, pas zgjedhjeve”, ka thënë të premten Baerbock, pas takimit me presidentin e Serbisë
Përfundimin e zgjedhjeve presidenciale serbe, është duke e pritur Gjermania për të ndërmarrë veprime konkrete në bisedimet Kosovë-Serbi.
Annalena Baerbock, kryediplomate e këtij shteti, ka thënë se pret intensifikim të zhvillimeve rreth dialogut pas 3 prillit.
“Duhet të ketë përparim të dukshëm në mes të Serbisë dhe Kosovës. Gjermania dëshiron të kontribuojë duke vazhduar bisedimet në arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse, pas zgjedhjeve”, ka thënë të premten Baerbock.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se janë të gatshëm për të biseduar me Kosovën, kurdo që ftohen. Por, ai ka theksuar dallimet që ka me Gjermaninë për Kosovën.
“Sa u përket raporteve Kosovë-Serbi, ne kemi qëndrime të ndryshme. Gjermania e ka njohur pavarësinë e Kosovës, e Serbia jo. Por kemi folur rreth kësaj dhe jemi pajtuar se dialogu është zgjidhja”, ka thënë Vuçiq, në daljen para mediave me kryediplomaten gjermane.
Për dialogun, kryediplomatja gjermane ka folur edhe gjatë vizitës së saj në Kosovë, një ditë më parë. Ajo ua ka bërë të qartë institucioneve se nuk mund të ketë anëtarësim në BE e madje as aplikim për statusin e vendit kandidat, para rezultateve konkrete nga bisedimet me Serbinë. Ajo ka kërkuar nga të dyja palët guxim për marrjen e vendimeve të vështira në procesin e bisedimeve. Një gjë të tillë, sipas saj, të dyja palët duhet ta bëjnë që gjeneratave të reja t’iu ofrojnë një mundësi për të ardhme më të mirë.
“Unë si ministre e Jashtme du të bëj gjithçka që t’ju ndihmojmë dhe t’ju mbështesim, të jemi në anën tuaj, t’ju shoqërojmë që ju të përshkoni këtë rrugë, në mënyrë që ky dialog të përparojë”, ka deklaruar të enjten ministrja Baerbock, pas takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, e paraprakisht edhe me presidenten Vjosa Osmani.
E, pas vizitës në Beograd, ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë ka lavdëruar Serbinë për punën e bërë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndonëse ka thënë se për shkak të procedurave nuk mund të thotë nëse anëtarësimi do të ndodhë së shpejti.
“Serbia ka përparuar më shumë, krahasuar me disa shtete të tjera, që as që e kanë marrë statusin e kandidatit për anëtarësi në BE. Në Serbi janë hapur kapituj të ndryshëm. Aktualisht, negociatat po zhvillohen me vështirësi, por kemi folur se si mund të fuqizohen këto negociata dhe të ketë përparim në këtë drejtim”, ka thënë Baerbock, në konferencën me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Ne duam që Serbia të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Serbët kanë të drejtë të jetojnë në paqe dhe prosperitet dhe kjo është arsyeja pse nevojiten reforma në sundimin e ligjit. Mesazhi im është se Gjermania do të tregojë një prani më të madhe në Ballkanin Perëndimor. Ballkani Perëndimor do të ketë vëmendjen që meriton”, ka deklaruar Baerbock.
Ndërkaq, presidenti serb ka theksuar se për Serbinë “Gjermania është partner kyç politik” dhe i rëndësishëm në aspektin e integrimit evropian dhe bashkëpunimit ekonomik.
E, gjatë vizitës së saj në Kosovë, kryediplomatja gjermane ka kërkuar edhe një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët për realizimin e votimit në zgjedhjet e Serbisë.
Para Serbisë e Kosovës, shefja e diplomacisë gjermane ka qëndruar edhe në Bosnjë-Hercegovinë.