LAJMET E MBRËMJES

Dështimi dyshifror

Dhjetë përpjekje nuk u kanë mjaftuar deputetëve ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit. Si në vazhdimin paraprak, edhe të shtunën kryesuesi nuk ftoi përfaqësuesit e Vetëvendosjes ta propozojnë kandidatin për kryeparlamentar, por synoi ta çojë përpara nismën për të siguruar votim të fshehtë. Përfaqësues të partive parlamentare shkëmbyen akuza ndaj njëri-tjetrit edhe pas dështimit të sërishëm për ta përmbyllur seancën konstituive

Deputetët e rinj nuk i kanë dhënë zgjidhje ngërçit politik të krijuar prej dy javësh. As të shtunën kur është bërë tentimi i dhjetë, nuk kanë arritur ta konstituojnë përbërjen e re të Kuvendit.

Përpjekja zgjati gjithsej shtatë minuta. Ajo dështoi meqë Lëvizja Vetëvendosje (LVV) nuk siguroi vota të mjaftueshme për ta miratuar vendimin që votimi për zgjedhjen e kryeparlamentarit të jetë i fshehtë, siç ka propozuar kryesuesi Avni Dehari në dy vazhdimet e fundit të seancës konstituive.

Dehari ftoi subjektet që ishin në opozitë në mandatin e shkuar, të propozojnë anëtarët në komisionin që do ta mbikëqyrte votimin.

“Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Hekuran Muratin, ndërsa partitë, subjektet që nuk kanë propozuar kandidatin për komision janë PDK, LDK, AAK, Serpska Lista, Nisma Socialdemokrate. Lus PDK-në që ta propozojë kandidatin për anëtarë të komisionit për zgjedhjen për anëtarë të Komisionit”, ka thënë Dehari.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, refuzoi të japë propozim.

“I nderuar kryesues, ju ftoj që përkundër presionit që keni nga partia që i takoni, mos u bëni pjesë e shkeljes ligjore dhe kushtetuese dhe mos i vendosni vetës këtë njollë”, ka thënë Krasniqi në foltore të Kuvendit.

Fjalën ia ndali Dehari, pasi u akuzua se po e shkelte Kushtetutën nëpërmjet synimit për ta ndërruar formën e votimit.

“Ju lutem, nuk ka diskutime, nëse keni të propozoni kandidatin, nëse jo do të detyrohem të ua ndërpresë fjalën.... Regjia, mikrofoni të ndalet”, ka qenë reagimi i Deharit.

Ai ftoi me radhë përfaqësuesit e partive të tjera politike për t’i propozuar anëtarët.

“Lus LDK që ta propozoj kandidatin për anëtarë të komisionit”, ka kërkuar kryesuesi.

LDK-ja iu përgjigj me heshtje.

Në foltore u paraqit deputeti i Listës Serbe Igor Simiq, i cili nuk propozoi anëtar, por kritikoi Vetëvendosjen. Fjalimi i tij nxiti reagime.

Pavarësisht kundërshtimeve, Dehari e hodhi në votim përbërjen e komisionit me anëtarë që i propozuan partitë dy ditë më parë. Një pjesë e deputetëve nuk morën pjesë në votim. Dehari ua citoi atyre detyrimin për pjesëmarrje, të përshkruar në një prej aktgjykimeve të Kushtetueses.

“Më duhet t’jua rikujtoj që aktgjykimi i Kushtetutës... kërkon të votoni për, kundër ose abstenim por jo të mos votojnë, deputetët të mos votojnë”, ka thënë ai.

Nga 106 deputetët e pranishëm në sallë, pro themelimit të komisionit votuan 54, 1 kundër dhe nuk pati abstenim.

Kryesuesi Dehari konstatoi se rezultati i votimit tregoi mungesë kuorumi për vendimmarrje. Pasi ndërpreu seancën, kumtoi se vazhdimi i 11-të do të jetë të hënën në orën 10:00.

Pas dështimit të tentimit të dhjetë për ta konstituuar legjislaturën e re, partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit nuk e mori përgjegjësinë për këtë.

Përfaqësues të LVV-së ua bartën përgjegjësinë partive deri tash në opozitë, meqë thanë se po refuzojnë ta votojnë të propozuarën e LVV-së për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Deputetja Donika Gërvalla, tha se pasi asnjëri tabor politik nuk i ka votat, është në interes të opozitës të blejë kohë e ta mbajë pezull situatën deri në sigurimin e numrave për qeveri.

E për këtë, ajo tha se PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja janë në pritje të dritës së gjelbër nga ndonjë zyrtar ndërkombëtar drejt zhbllokimit të situatës, edhe nëpërmjet koalicionit me Listën Serbe.

“Vetëm dy alternativa ka, ose koalicioni fitues e bën Qeverinë ose opozita e bën qeverinë së bashku me Listën Serbe. Prandaj, opozita po heziton sepse e di dëmin politik që e shkakton një koalicion me Listën Serbe dhe siç duket pret ndihmë nga jashtë. Cila është ndihma nga jashtë? Pritet ndonjë ndërkombëtar që do t’u jap arsyetimin që ‘ja ne nuk deshëm, por na e thanë ndërkombëtarët’ apo ‘na tha ky apo ai’”, ka thënë Gërvalla.

Refuzimin e dytë për t’i dhënë mundësi votimit të fshehtë, Gërvalla e kualifikoi shpërfaqje të mosbesimi që drejtuesit opozitarë e kanë karshi deputetëve të tyre. E për LVV-në tha se nuk përfshihet në pazare politike.

“Ne alternativa kemi ofruar në vazhdimësi për të dalë nga kjo bllokadë. Çfarë ne nuk kemi ofruar kanë qenë pazaret. Nëse përvoja e së kaluarës është që vetëm pazaret çojnë në zhbllokim të kësaj situate, atëherë duhet të llogarisni se nuk do të ketë zhbllokim”, ka thënë ajo.

E përfaqësues të partive opozitare e akuzuan Vetëvendosjen se nuk ka interes për të prodhuar alternativa.

“I ftojmë që ta ndërrojnë kandidatin, që të vijnë e të sjellin një propozim, i cili vërtet mund të jetë rrugëdalje, që mund të marrë shumicën e votave të deputetëve, ta konstituojmë Kuvendin dhe t’i japim rrugë afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë. E dimë edhe ne, siç e dini ju, që Albin Kurti nuk ka vota për t’u bërë kryeministër dhe kjo është arsyeja kryesore pse po e mban peng shtetin”, ka thënë kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka akuzuar partinë fituese.

“Nuk i kanë votat për formimin e këtij komisioni, nuk i kanë votat për lojërat e tyre politike që po i bëjnë dhe nëse nuk ndryshojnë qasje, kështu do të vazhdojnë dhe faji është i Lëvizjes Vetëvendosje”.

E përfaqësues të LDK-së nuk lëvizën nga qëndrimi kundër mbështetjes si të votimit të hapur, ashtu edhe atë të fshehtë për kryeparlamentar.

“Lëvizja Vetëvendosje ka ndryshuar strategji, në vend që të vendosë aty emrin e Albulena Haxhiut, ka bërë një taktikë. Po kërkon votë për një komision për votim të fshehur, e cila tashmë e kemi diskutuar, e kemi argumentuar, jo vetëm ne por edhe njerëz dhe profesionistë që janë jashtë Kuvendit të Kosovës dhe që nuk përfaqësojnë parti politike, që është shkelje ligjore dhe kushtetuese ndryshimi i mënyrës së votimit në proces”, ka thënë deputetja Hykmete Bajrami.

Pas dështimit për gjashtë herë të votimit të Haxhiut, kryesuesi Avni Dehari në dy vazhdimet e fundit të seancës i ndërpreu punimet menjëherë pas kundërshtimit të formimit të Komisionit për votim të fshehtë.