LAJMET E MBRËMJES

Cramon: Gabim i madh që palëve nuk iu kërkua nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit

Pavarësisht mungesës së nënshkrimeve në Marrëveshjen e Ohrit, gjë të cilën e cilësoi të gabuar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon ka thënë se obligimet duhet të përmbushen. Sipas saj, situata mund të komplikohet nëse nuk ka përparim në dialog para zgjedhjeve të BE-së, që mbahen më 9 qershor. Tek ka folur për këtë, Cramon e ka përmendur faktin se pas gjashtë muajsh presidencën e BE-së e ka Hungaria me kryeministër Viktor Orbanin, i njohur për qëndrimet e tij kundër Kosovës

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, e ka quajtur gabim të madh mosnënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit nga Kosova e Serbia. Pavarësisht kësaj, Cramon, në një konferencë për media në Prishtinë ka thënë se obligimet që derivojnë për palët nuk janë të reja dhe se ato duhet të përmbushen.

“Pavarësisht kësaj unë mund të them se Bashkësia e Komunave serbe nuk është diçka e re, dhe ajo vjen nga 2013-a. Është diçka që 11 vjet, e që në një pikë të caktuar Kosova duhet të vijë me një propozim dhe një marrëveshje të ratifikuar. Të gjitha gjërat duhet të jenë të vendosura si duhet. Është dëshirë e jona që të vijmë me një njohje de-facto, para se të bëhet Bashkësia e Komunave serbe, pasi është kërkesë legjitime e juaja”, ka thënë Cramon.

Në fakt, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur i gatshëm të firmos Marrëveshjen e Brukselit, si dhe Aneksin e Ohrit, mirëpo jo edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Von Cramon foli për rëndësinë që Kosova të shënojë përparim në procesin e dialogut, para zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, të cilat mbahet më 9 qershor.

“Një kompozim i ri i Bashkimit Evropian mund të ketë efekt direkt në relacion me Kosovën dhe shtetet tjera, të cilat potencialisht mund të jenë edhe shtete kandidate të Bashkimit Evropian. Çfarë është brengosëse për mua, është që në pjesën e dytë të vitit 2024 do të kemi presidencën me Viktor Orbán të Hungarisë dhe do ta kemi edhe parlamentin e ri”, është shprehur ajo.

Dialogu Kosovë-Serbi ka qenë temë diskutimi edhe në takimin që Cramon ka pasur me zëvendëskryeministrin, Besnik Bislimi. Sipas komunikatës së Qeverisë, me të u diskutua mbi angazhimin e përkushtimin e Kosovës drejt integrimit evropian, çështjet në lidhje me procesin e dialogut si dhe zhvillimet në vend, rajon e më gjerë.

E kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj në takim me Cramonin ka kërkuar heqjen e masave sanksionuese të cilat BE-ja vazhdon t’i mbajë në fuqi ndaj Kosovës.

“Shpreha vlerësimin tonë pozitiv për liberalizimin e vizave, ndërsa theksova nevojën që anëtarësimi në NATO dhe rrugëtimi i Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në BE, është imperativ i kohës. Theksova se heqja e sanksioneve nga ana e BE-së për Kosovën është e domosdoshme për shkak të ndikimit negativ që kanë ato në jetën e qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Haradinaj në “Facebook”.

Edhe Cramon, i ka quajtur të dëmshme masat e Bashkimit Evropian nga të cilat sipas saj po e pësojnë komunat që nuk mund të aplikojnë për fondet e BE-së.

“Masat duhet të hiqen sepse kemi dëm kolateral dhe kryetarët e komunave të cilët dëshirojnë të aplikojnë për fonde të Bashkimit Evropian janë duke vuajtur për arsye të këtyre masave. Unë jam kundër dhe do të jem kundër. Shpresoj që të largojmë këto masa sa më shpejt që është e mundur”, ka deklaruar Von Cramon.

Ajo ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, duke e mohuar se ka pasur zbutje karshi këtij agresioni.

“Unë jo personalisht, mirëpo nuk jam e sigurt se çfarë kam thënë në fillim në deklaratat e mia që i kam bërë në Twitter. Nuk jam e sigurt se a e kam përmendur fjalën sulm terrorist apo jo. Mirëpo, ka qenë një involvim serioz prej grupeve të ndryshme të armatosura nga Serbia dhe ka qenë e rëndësishme të kuptohet se si këto forca të armatosura do të reagojnë dhe si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të reagojnë dhe ka rrezik për një luftë të shpejtë. Fatmirësisht ne i kemi ushtarët e KFOR-it këtu dhe mendoj se është mirë që NATO-ja ka vendosur të rrisë praninë e numrit të ushtarëve në Kosovë’, ka thënë Von Cramon.

Sa u përket zgjedhjeve në veri, raportuesja e PE-së për Kosovën ka thënë se ato duhet të mbahen mbështetur në procedurat që tashmë janë vendosur, e që qytetarët fillimisht duhet të kërkojnë shkarkimin e kryetarëve aktualë përmes peticionit.