LAJMET E MBRËMJES

Borrell në Tiranë: Koha për integrimin e Ballkanit në BE

Në një situatë më të vështirë sesa vitin e kaluar, kryeministri Albin Kurti vlerëson se janë takimet e nivelit të lartë në kuadër të dialogut me Serbinë. Sipas Kurtit, qasja e Serbisë karshi Rusisë në agresionin e saj në Ukrainë ndikon në bisedimet që mund të kenë në Bruksel. Në anën tjetër, një shpresë për anëtarësimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimor e ka ndezur serish BE-ja

Integrimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian i ka ardhur koha, ka deklaruar të martën në Tiranë përfaqësuesi i lartë i BE-së, Joseph Borrell. Në konferencën për media, pas takimit me kryeministrin Edi Rama, ai nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë proces, por ka thënë se situata pas agresionit rus në Ukrainë ka bërë që “stabiliteti dhe të qenit të bashkuar të jenë më të rëndësishëm se kurrë më parë”.

“Ka ardhur koha tashmë që të rigjallërohet procesi i zgjerimit. E di që ndoshta këtë e keni dëgjuar edhe herëve të tjera në të shkuarën, ju sidomos z. kryeministër keni thënë disa herë se nuk na duhen fjalë por vepra, dhe kjo është e vërtetë. Por, është po ashtu e vërtetë që ka ardhur koha që të rijetësohet, rigjallërohet procesi i zgjerimit dhe të integrohet Ballkani Perëndimor, në mënyrë të pakthyeshme në Bashkimin Evropian”, i ka thënë Borrelli Ramës.

Ndonëse nuk e ka përmendur Kosovën në veçanti, integrimi në BE, për dallim nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, është duke u parë më i vështirë nga njohës të zhvillimeve në vend.

Violeta Haxholli, e cila është hulumtuese në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë se pengesë vazhdon të jetë mosnjohja e Kosovës nga pesë shtetet anëtarë të BE-së. “Në rastin e Kosovës perspektiva evropiane e Kosovës mbetet e largët, sidomos duke e pasur parasysh faktin se janë 5 vende të BE-së, që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Prandaj edhe Kosovës i vështirësohen procedurat e integrimit në BE dhe është më larg në proces të integrimit sesa vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, ka thënë Haxholli.

Ajo shton se institucionet duhet të jenë më aktive në këtë proces dhe të shfrytëzojnë mundësitë e krijuara. “Normalisht se duhet të ketë aktivizëm më të madh nga ana e institucioneve tona që të shfrytëzohen të gjitha mundësitë në një situatë të re dhe një qasje të re të BE-së ndaj Ballkanit dhe ne të kryejmë atë pjesën tonë”.

Që nga nisja e krizës në Ukrainë, mandej edhe lufta atje, krerët e institucioneve, në mënyrë të theksuar kanë përmendur nevojën për anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE, por edhe në aleancat e tjera.

Krahas kësaj, kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se do të mbajnë premtimin e dhënë, se brenda këtij viti do të aplikojnë për statusin e vendit kandidat të BE-së. Por që javën e kaluar kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, gjatë qëndrimit në Kosovë theksoi se para anëtarësimit në BE e madje edhe para kërkesës për statusin e vendit kandidat, Kosova duhet të shënojë rezultate konkrete e të përmbyllë bisedimet me Serbinë.

Sipas profesorit Daniel Serwer, në këtë aspekt ka shumë gjëra që mund të arrihen nëse ka vullnet politik për t`i bërë.

“Nuk më takon mua për të vendosur, por sigurisht që llogaritja e personave të zhdukur dhe zgjidhja e çështjeve financiare janë dy që duhet të jenë të mundshme. Kosova duhet të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit. Serbia kërkon falje për spastrimin etnik të shqiptarëve nga regjimi i Millosheviqit. Ka shumë gjëra që mund të bëhen, nëse ka vullnet politik për t'i bërë ato”, ka thënë Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins.

Por, derisa kërkohen këto rezultate, në korrik bëhen një vit kur për herë të fundit janë zhvilluar bisedime të nivelit të lartë në kuadër të dialogut me Serbinë. Një takim mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë ka kohë që është paralajmëruar, por i njëjti nuk pritet të ndodhë para zgjedhjeve të 3 prillit në Serbi.

E një takim me Vuçiqin, pas situatës së krijuar në Ukrainë, sipër kreut të ekzekutivit, do të jetë më i vështirë, sesa ato të vitit të kaluar.

“Besoj që situata është më e vështirë sesa dikur. Varet se kur na vjen ftesa nga Brukseli, por pas invazionit rus në Ukrainë dhe agresionit shokues ushtarak të Kremlinit mbi popullin e Ukrainës, që po zhvillon luftë të paepur çlirimtare, me ç’rast ne edhe shprehëm gatishmërinë tonë për të marrë 20 gazetarë dhe deri në 5 mijë refugjatë, por edhe iu bashkuam sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së, ndërkohë që Serbia praktikisht u vendos në anën e federatës ruse takimet janë në një situatë tejet më të vështirë sesa në vitin e kaluar”, ka thënë ai të martën në Prishtinë, i pyetur nga gazetarët.

Të martën, lidhur me rezultatet konkrete që priten nga dialogu, aplikimin për statusin e vendit kandidat e ndikimin e situatës në Ukrainë, KOHA ka kërkuar përgjigje nga Zyra e Kryeministrit e ajo e Presidentes, por nuk ka marrë ndonjë të tillë.