LAJMET E MBRËMJES

BE-ja i sheh zgjedhjet në veri si zgjidhje për krizën

Shpalljen sa më parë të zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë, e kanë kërkuar të enjten nga Bashkimi Evropian. Përderisa veprimet e ndërmarrë nga Qeveria e Kosovës në funksion të shtensionimit të situatës në veri i ka kualifikuar si hapa në drejtimin e duhur, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka theksuar se nevojiten të bëhen edhe veprime të tjera. Ai ka përmendur zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e plotë dhe të pakusht të serbëve në këtë proces

Bashkimi Evropian e sheh shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë, si hap të radhës në funksion të shtensionimit të situatës në veri. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, nuk ka qenë konkret në përgjigjen që i është drejtuar të enjten nga gazetarët, në një konferencë shtypi në Bruksel, nëse shpallja e zgjedhjeve do të ndikojë në heqjen e masave ndëshkuese që blloku i ka vendosur Kosovës shkaku i mospërmbushjes së kërkesave për shtensionim.

Stano ka thënë se veprimet e fundit që janë ndërmarrë nga Kosova përbëjnë hapa në drejtim të duhur, porse nevojiten edhe të tjerë. Qeveria e Kosovës ka ulur deri në masën 50 për qind praninë e policisë në dhe përreth objekteve komunale në veri, në kuadër të marrëveshjes së arritur me BE-në për shtensionimin e situatës.

“Janë hapa shumë të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por duhen hapa të tjerë. Si me çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorën tonë, ato varen nga aftësitë e palëve për të ofruar në kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Për ta zgjidhur krizën aktuale, kemi thënë shumë herë, duhen të shpallen zgjedhjet e parakohshme në të katër komunat në veri, e atë sa më shpejt që të jetë e mundur. Zgjedhjet të organizohen në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse, që nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pakusht të serbëve të Kosovës dhe është shumë e rëndësishme që të ketë rikthim në dialog mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Stano në konferencë.

Ai ka theksuar se për bllokun evropian, si lehtësues i dialogut Kosovë-Serbi, është shumë e rëndësishme që ky proces të rinisë, në mënyrë që palët të mund të trajtojnë çështjet e rëndësishme.

“Dhe çështjet më të rëndësishme janë Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi i saj”, tha Stano, duke iu referuar marrëveshjes së arritur në Bruksel në shkurt, dhe aneksit të saj të arritur në Ohër një muaj më pas. Kjo marrëveshje synon që të shtyjë palët drejt normalizimit të plotë të raporteve.

E në korrik Kosova dhe BE-ja arritën dakordimin për hapat që duhet të ndërmerren, në një takim të zhvilluar në Bratislavë midis kryenegociatorit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, dhe emisarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak. Sipas marrëveshjes, Kosova është pajtuar që ta bëjë zvogëlimin e pranisë policore në dhe përreth objekteve komunale, që të bëhet vlerësimi i gjendjes së sigurisë mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, që të organizojë zgjedhje të reja në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok pas verës, si dhe të ketë takim mes kryenegociatorëve të dy vendeve për finalizimin e planit të sekuencimit të Marrëveshjes drejt normalizimit, pas të cilit theksohet se do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes.

Sipas autoriteteve kosovare, dakordimi është respektuar dhe se ka ardhur koha që BE-ja të heqë masat e vendosura. Pas vlerësimit të situatës së sigurisë është vendosur që të bëhet reduktimi i dytë prej 25 për qind i policisë në veri, përderisa për organizimin e zgjedhjeve, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) ka nisur procedurat për ta rregulluar ligjërisht mbajtjen e një peticioni për shkarkimin e kryetarëve të komunave veriore.

Por kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se zgjedhjet e reja nuk mund të mbahen pa shtensionimin e plotë të situatës.

Zëdhënësi i BE-së, Stano, ka thënë të enjten se kërkesat e bllokut për shtensionim kanë qenë të qarta qysh në qershor. Ai ka theksuar se “Kosovës i ishte kërkuar që të mos sillej në mënyrë përshkallëzuese”.

Stano e ka theksuar urgjencën që të plotësohen hapat e nevojshëm për shtensionim dhe që palët t’i rikthehen tavolinës së bisedimeve.

“Palët duhet të fillojnë të punojnë si duhet në normalizim, të ecin para në agjendën evropiane, pasi nëse nuk ka progres në dialog, nuk ka progres edhe në rrugën evropiane. E ka cekur BE-ja këtë në disa raste”, ka thënë ai.

Lidhur me qëndrimet e Bashkimit Evropian, KOHA ka pyetur në Qeverinë e Kosovës porse gjatë të enjtes nuk ka marrë përgjigje.

Institucionet shtetërore vendosjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës e kanë kualifikuar si të padrejtë. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë aprovuar vendosjen e masave në qershor për “mosdëgjimin e kërkesave të ndërkombëtareve, karshi situatës në veri të Kosovës”.

Para BE-së, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përjashtuar Kosovën nga pjesëmarrja në ushtrimet ushtarake “Defender Europe”. Masat ndëshkuese kanë pasuar tensionimit e situatës në komunat veriore, kur serbët lokalë e kundërshtuan me protesta vendosjen e kryetarëve të rinj në objektet komunale, me përcjelljen e Policisë së Kosovës. Kryetarët e rinj janë zgjedhur në procesin elektoral të 23 prillit, i cili ishte bojkotuar nga Lista Serbe dhe nga banorët serbë në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan.