Shpërthimi, i cili ka ndodhur si pasojë e një sulmi me mjet shpërthyes në një kioskë të lagjes që përdoret si pikë kontrolli e Policisë së Kosovës, ka nxitur shqetësimin e qytetarëve shqiptarë të Mitrovicës së Veriut, komunë kjo e banuar kryesisht me serbë. Për këtë sulm, i dyti i këtillë brenda kësaj një jave, dyshohet se është përdorur një mjeti piroteknik, i kombinuar me lëndë djegëse
Krisma e një shpërthimi në lagjen “Tre rrokaqiejt” në Mitrovicën e Veriut është bërë shkak që Denis Hajrullahu, banor i kësaj lagjeje, të zgjohej nga gjumi në orën tre të mëngjesit të së enjtes.
Shpërthimi, i cili ka ndodhur si pasojë e një sulmi me mjet shpërthyes në një kioskë të lagjes që përdoret si pikë kontrolli e Policisë së Kosovës, ka nxitur shqetësimin edhe të qytetarëve të tjerë të kësaj komune të Kosovës, të banuar kryesisht me serbë. Për këtë sulm, i dyti i këtillë brenda kësaj jave në Mitrovicë të Veriut, dyshohet se është përdorur një mjeti piroteknik, i kombinuar me lëndë djegëse.
Hajrullahu thotë se rastet e tilla, të cilat janë shpeshtuar që nga 26 maji, po ua vështirësojnë jetën banorëve të kësaj pjese.
“Kur jemi zgjuar nga gjumi, kemi parë tym e zjarr dhe ka qenë shumë frikësuese sepse nuk kemi pasur as policë që kanë qenë këtu... Shpërthimet janë tepër shqetësuese, sidomos për banorët, por është shqetësim edhe më i madh për fëmijët, për shkak fëmijët ende nuk e dinë sesi është situata. Zakonisht kjo u bëhet si traumë”, thotë ai.
Për t’ua bërë jetesën aty më të sigurt, Hajrullahu ka një kërkesë për institucionet.
“Institucionet e Kosovës të mos dorëzohen në asnjë pikë që të dalin të dobët ndaj këtyre strukturave kriminale serbe dhe kërkesa ime për institucionet qendrore, sidomos për Ministrinë e Punëve të Brendshme, është që ta shtojnë më shumë sigurinë, veçmas në ato lagje ku ka banorë shqiptarë, për shkak se vetëm po janë për disa orë, për disa minuta, e pastaj po largohen”, shprehet ai.
Kioska që u bë cak i sulmit është larguar nga lagjja në mëngjesin e hershëm të së enjtes, pasi është djegur si pasojë e shpërthimi. E sulmi ndaj tij është kualifikuar nga Policia si një vepër terroriste.
Veton Elshani, zëdhënësi i Policisë për Mitrovicën e Veriut, bëri të ditur se ende nuk ka ndonjë të arrestuar lidhur me sulmin.
“Varësisht nga angazhimet dhe planifikimet tona, ne edhe i angazhojmë policët tonë. I shihni që janë pikë statike ashtu siç edhe thash, janë këtu, mirëpo këta lëvizin kohë pas kohe dhe sidomos gjatë natës ka lëvizje të ndryshme që ne ta mbulojmë komplet territorin e veriut… Për momentin nuk kemi të dyshimtë”, ka thënë ai.
Sulmet me mjete shpërthyese janë shpeshtuar qëkur vendimi i Qeverisë për shoqërimin me forca policore i kryetarëve të rinj të komunave veriore në objektet komunale nxiti protesta të dhunshme nga serbët lokalë në Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok. Cak sulmi në fillim të javës ka qenë objekti komunal i Mitrovicës së Veriut. Si pasojë e hedhjes së granatës së dorës, godina dhe dy automjete zyrtare pësuan dëmtime.
Që nga ky vendim i 26 majit, serbët lokalë i kanë vazhduar protestat e përditshme përpara objekteve komunale. Por ditëve të fundit ka nisur të bjerë numri i protestuesve.
Gjatë pasdites të së enjtes, para godinës komunale në Zubin-Potok nuk është parë asnjë protestues. E në objekt vazhdon të qëndrojë i ngritur flamuri i Kosovës, përderisa përreth tij janë të vendosur pjesëtarët e Policisë së Kosovës.