LAJMET E MBRËMJES

Në Ditën Botërore të Mjedisit fëmijët e kopshtit pikturojnë planetin që e duan

Në Ditën Botërore të Mjedisit, në Prishtinë u mbajt aktiviteti “Piktorët e Planetit” me fëmijë të një kopshti. Organizatorë të aktivitetit thanë se këso ngjarjesh organizohen çdo vit me qëllim edukimin dhe ndërgjegjësimin për mjedisin

Në letra të bardha po pikturojnë planetin. Në një klasë të improvizuar në sheshin “Zahir Pjaziti”, të hënën, fëmijë të një kopshti në Prishtinë zhvilluan aktivitetin “Piktorët e Planetit” për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit, që është 5 qershori.

“Po e vizatoj tokën, me ujë, me bari”, ka theksuar një fëmijë.

E një tjetër ka thënë se “Po i vizaton qytetin, njerëzit dhe kafshët”.

Dorentina Bekaj, hulumtuese në “INDEP”, tha se ideja e ngjarjes ishte që fëmijëve t’u jepet mundësia të shprehen se si duan ta shohin planetin.

“Këtë vit së bashku me ministrinë e mjedisit dhe komunën e Prishtinës e kemi organizuar aktivitetin, piktorët e planetit me një kopsht “Xixëllonjat”. Për t’i shprehur dëshirat e tyre se si e shohin mjedisin dhe ta shprehin atë nëpërmjet vizatimeve”, ka theksuar Bekaj.

Egzona Shala, drejtoreshë e organizatës “EcoZ”, ka thënë se institucionet duhet ta kenë prioritet përmirësimin e gjendjes së mjedisit.

“Jemi në situatë alarmante për sa i përket përkujdesit ndaj mjedisit, qoftë burimeve natyrore, qoftë cilësisë së ajrit, qoftë përkujdesit tonë apo edukimit mjedisor që e kemi si shtet. Çka duhet të ndërmirret, është një mobilizim institucional, nuk ka një dorë të fortë të shtetit që mirret me mjedisin, nuk ka përkrahje të mjaftueshme të iniciativave mjedisore”, ka deklaruar Shala.

Nga Zyra për komunikim me publikun në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës kanë thënë se në bashkëpunim me shumë institucione, për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit janë organizuar aktivitete të shumta në disa qytete me qëllim edukimin dhe ndërgjegjësimin për mjedisin.