Për shkak të mungesës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-deputetëve Dardan Molliqaj e Frashër Krasniqi, si dhe të katër të akuzuarve të tjerë, të cilët ngarkohen për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”, gjyqtari Eroll Gashi ka vendosur për veçimin e procedurës së tyre prej tre të akuzuarve që janë paraqitur në gjykatë: ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, zyrtari i këtij subjekti, Pajtim Demaj, dhe Afrim Hoxha. Gashi ka thënë se për ata që nuk janë paraqitur në seancën e së mërkurës pritet që Gjykata t’i përcaktojë veprimet procedurale
Vetëm tre nga dhjetë të akuzuarit për huliganizëm gjatë protestës së 27 qershorit të 2013-s kundër Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe janë paraqitur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë për shqyrtimin fillestar të rastit.
Për shkak të mungesës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ish-deputetëve Dardan Molliqaj e Frashër Krasniqi, si dhe të katër të akuzuarve të tjerë, të cilët ngarkohen për “pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”, gjyqtari Eroll Gashi ka vendosur për veçimin e procedurës së tyre prej tre të akuzuarve që janë paraqitur në gjykatë: ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në Komunën e Prishtinës, Egzon Azemi, zyrtari i këtij subjekti, Pajtim Demaj, dhe Afrim Hoxha.
“Sot do të vazhdojmë me tre të pandehurit, ku do ta veçojmë procedurën për këta tre të pandehur, ndërsa për të tjerët gjykata do të marrë veprimet procedurale se ndaj kujt do të lëshojë urdhërarrest, ndaj kujt do të lëshojë urdhëresë për sjellje. Do të vendoset në bazë të shkresave të lëndës”, ka thënë gjyqtari Gashi.
Azemi, Demaj dhe Hoxha nuk janë pajtuar për veçimin e procedurës, porse gjykata e mori këtë vendim bazuar në nenin 35 të Kodit të Procedurës Penale.
Pasi prokurori Besart Gashi ua ka lexuar aktaktuzën, Azemi dhe Demaj i quajtën politike akuzat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. E derisa Demaj dhe Hoxha janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barë, Azemi nuk i ka dhënë përgjigje konkrete pyetjes mbi fajësinë.
Më pas, i akuzuari Azemi i ka kërkuar gjyqtarit që ta lirojë nga seanca, me justifikimin se ka të caktuar termin mjekësor për analiza shëndetësore dhe ka ofruar si dëshmi dokumentacionin shëndetësor. Por gjyqtari Gashi ka konstatuar se në dokumentacionin e ofruar nuk tregohej se termini ishte i caktuar për të mërkurën.
“Unë avokaten në fjalë e njoftova me disa dokumentacione shëndetësore për të cilat patjetër më duhet të shkoj. Fatkeqësisht i kam me terminë e fatkeqësisht edhe seanca filloi me 15 minuta vonesë, më duhet ta liroj sallën. Është e pajisur avokatja me dokumentet që i kam dhe nuk mund të qëndroj më gjatë në këtë seancë”, ka thënë Azemi. “Jo, jo, ulu ti aty se s’ke të drejtë të dalësh nga salla pa të dhënë leje. Ulu aty. Ulu aty, tash e shohim dhe e konstatojmë ne këtu. Konstatojmë se kemi kushte për mbajtjen e shqyrtimit gjyqësor”, iu përgjigj gjyqtari Gashi.
Azemi ka insistuar në pretendimin se e ka të pamundur të qëndrojë në seancë.
“Ju kërkoj falje, por është e pamundur ta vazhdoj këtë proces. Nëse tentoni kështu një person qe disa herë ju ka ardhur në këto seanca”, ka thënë ai, teksa gjyqtari ka insistuar në kërkesën që ai të mos largohet nga salla.
“Uluni. Disa herë ke ardhur (në seanca) e disa herë nuk ke ardhur. Ulu, ulu, ulu aty”, i ka thënë Gashi, për ta nxitur kundërshtimin e të akuzuarit. “Nuk po ulem”, ka thënë Azemi, për ta zënë më pas vendin e tij në gjykatore.
Pas kësaj, gjyqtari e ka njoftuar Azemin se mund të marrë vërejtje dhe gjobë deri në 1 mijë euro për pengimin e zhvillimit të seancës.
Në vazhdimin e seancës, gjyqtari ka përcaktuar mospranimin e fajësisë ndërsa u ka dhënë të akuzuarve 30 ditë kohë për të parashtruar kërkesa rreth hedhjes poshtë të aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
Në këtë rast të akuzuar kanë qenë edhe Sami Avdiu, Besnik Qelaj dhe Bekim Shkodra, për të cilët gjithashtu janë veçuar procedurat. Në aktgjykimin e 2 gushtit të 2022-s, gjykata ka dënuar Shkodrën me 6 muaj burgim, ndërsa Qelajn me 1 vit burgim me kusht.
Seanca e shqyrtimit fillestar rreth rastit ka dështuar të mbahej më 9 mars, shkaku i mungesës së të akuzuarve Dardan Molliqaj, Agron Kabashi, Egzon Ademi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi e Nol Nushi.
Aktakuza i ngarkon ata për hedhje të gurëve, të ngjyrës, të sferave të qelqit, shisheve dhe mjeteve piroteknike në drejtim të disa zyrtarëve policorë të angazhuar për sigurinë gjatë protestës së 2013-s kundër Asociacionit. Në këtë protestë patën pësuar lëndime katër policë, ndërsa qenë dëmtuar edhe katër vetura zyrtare.