LAJMET E MBRËMJES

Lajçaku thotë se s’do të ketë marrëveshje pa Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe

Pa Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ketë as marrëveshje mbi bazën e propozimit të Bashkimit Evropian, ka thënë nga Beogradi emisari evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Këtë qëndrim ai e ka shpalosur në një intervistë për televizion publik serb RTS, pas takimeve me udhëheqësit dhe me liderët e subjekteve opozitare në Serbi. Lajçaku ka përsëritur se synim i planit nuk është që njëra palë të dalë fituese, ndërsa tjetra humbëse në këtë proces.

“Qëllimi është që të kërkojmë një situatë të favorshme dhe të hapim derën evropiane”, tha Lajçak.

Asociacioni ka qenë temë kryesore në diskutimet që Lajçaku ka zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Mediet serbe kanë raportuar se diplomati evropian u ka thënë liderëve të opozitës serbe se çështja themelore është formimi i Asociacionit.

Paraprakisht Lajçaku qëndroi në Prishtinë, prej ku e shprehu qëndrimin se pritjet e tij pas takimeve me liderët institucionalë dhe ata partiakë janë përmbushur.

Në prag të takimit në Ohër, shtytje palëve do t’u jepet edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar për KOHËN se i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë kësaj jave do t’i vizitojë Kosovën dhe Serbinë.

“Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Emisari i Departamentit Amerikan për Ballkanin Perëndimor, Escobar, po udhëton në rajon për ta mbështetur këtë proces”, thuhet nga DASH-i.

Në Beograd, Escobar është paraparë që të zhvillojë takime të ndara me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe me kryeministren serbe, Ana Bërnabiq.

Edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joep Borrell, këtë javë do të qëndrojë në rajon. Ai fillimisht do të takohet me udhëheqësit e Qeverisë së Shqipërisë dhe më pas edhe me ata të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të Këshillit të Stabilizim-Asociimit.

E më 18 mars është caktuar takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.