Partia Socialdemokrate përmes një aksioni simbolik ka kundërshtuar pranimin në parim të Planit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi nga kryeministri Albin Kurti. Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka shkelur vullnetin e qytetarëve të shprehur më 2015 përmes një peticioni. Ai ka paralajmëruar edhe protestë kundër këtij propozimi
Mijëra fleta të peticionit të realizuar më 2015 me 205 mijë nënshkrime kundër Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, janë vendosur të hënën para ndërtesës së Qeverisë nga Partia Socialdemokrate (PSD).
Kryetari i kësaj partie, Dardan Molliqaj, përmes këtij aksioni ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për pranimin në parim të propozimit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, duke paralajmëruar protestë në fund të marsit ose në fillim të prillit.
“Jo vetëm që e ka braktisur, por e ka shkelur në mënyrë brutale atë vullnet politik. Me marrëveshjen që është nënshkruar praktikisht ose që është dakorduar që do të nënshkruhet, kufiri mes Kosovës dhe Serbisë është bërë edhe më i dobët sesa që ka qenë më herët, pra nuk ekziston më fjala kufi apo border”, ka deklaruar Molliqaj.
Molliqaj ka thënë se në propozimin që është pranuar nga Kurti nuk ekziston fjala Republikë e as kërkesa ndaj Serbisë për ta njohur Kosovën.
“Le të bëhet sa më e dukshme dhe sa më e qartë që kryeministri aktual nuk përfaqëson vullnet politik. Në Kosovë tani ka edhe matje që janë bërë nga organizata kredibile që janë publikuar ditëve të fundit, 97 për qind të respondentëve të Kosovës janë kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka theksuar Molliqaj.
Por, ndaj aksionit ka reaguar Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP), e cila ka bërë thirrje që të respektohet kuadri ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale.
“AIP u bën thirrje subjekteve mediatike/portaleve, ashtu si edhe qytetarëve që përdorin rrjetet sociale, të respektojnë kuadrin ligjor në fuqi në mbrojtjen e të dhënave personale, që gjatë transmetimit apo njoftimit me lajmin të mos publikojnë të dhënat personale të qytetarëve që gjenden në listat e shpërndara duke aplikuar efektet e mjegullimit”, thuhet në reagim.
Më 27 shkurt të këtij viti, në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për ta nënshkruar Planin evropian, porse Serbia nuk ishte e gatshme. Në plan përfshihet zbatimi i marrëveshjeve të deritashme, e në mesin e tyre është edhe ajo për themelimin e Asociacionit.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.
Ditë më parë Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk e dobëson funksionalitetin e shtetit të Kosovës dhe se në tavolinë janë 16 modele evropiane.