Gjykata e Apelit ia ka kthyer në rivendosje vendimin për hedhje poshtë të aktakuzave për rastin e trafikimit dhe të dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, ku të akuzuar janë pesë persona. Gjykata Themelore në Prishtinë kishte konstatuar më 13 janar se dy aktakuzat e Prokurorisë Themelore të Prishtinës ishin jo të plota, derisa Apeli të enjten vendosi në favor të ankesës së Prokurorisë
Gjykata e Apelit e ka aprovuar të enjten ankesën e Prokurorisë Themelore të Prishtinës lidhur me hedhjen poshtë të aktakuzës nga Themelorja për njërin nga rastet e trafikimit dhe dhunimit të një 11-vjeçareje në Prishtinë, në gusht të vitit 2022.
Apeli ka konfirmuar ankesën e Prokurorisë Themelore dhe e ka vlerësuar të paqartë vendimin e Gjykatës Themelores.
Lidhur me rastin, të akuzuar janë dy persona madhorë dhe tre të mitur.
“Gjykata e Apelit, pas shqyrtimit të shkresave të lëndëve, aktvendimeve ankimore dhe ankesave të Prokurorisë, por edhe sipas detyrës zyrtare, ka gjetur se aktvendimet e ankimuara duhet anuluar dhe kthyer çështjet në rivendosje, për shkak se aktvendimet janë të përfshira në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 par. 1 pika 1.12 lidhur me nenin 370 të Kodit të Procedurës Penale, sepse gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme ligjore kur ka hedhur aktakuzat e lartcekura, respektivisht arsyet të cilat janë dhënë nga gjykata e shkallës së parë për hedhjen e aktakuzave, janë të paqarta dhe kundërthënëse në vetvete dhe në kundërshtim me bazën ligjore për hedhjen e aktakuzës”, thuhet në njoftimin e Apelit.
Gjyqtari Adnan Isufi më 13 janar e kishte hedhur poshtë aktakuzën e prokurores Sheribane Selimi-Muçaj, pasi kishte konstatuar se në të nuk ishin përshkruar me saktësi lidhja e secilit të akuzuar për secilën vepër penale. Sipas aktgjykimit të Isufit, aktakuza nuk ishte plotësuar as pas dhënies së kohës shtesë për plotësim.
“Gjykata nuk ka kërkuar sqarime se kë e akuzon organi i ndjekjes dhe as nuk ka theksuar që organi i ndjekjes nuk duhet të ngarkojë dikë për ndonjë vepër. Ajo që ka kërkuar gjykata është thjesht ndarja e dispozitivëve për veprimet inkriminuese të secilit person të dyshuar veç e veç dhe përshkrimin e saktë të veprimeve individuale inkriminuese që materializohen në dispozita materiale të Kodit Penal… Më datën 11.01.2023, Gjykata ka pranuar një njoftim të paraqitur nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë-Departamenti për të mitur. Organi i ndjekjes në këtë njoftim ka theksuar që akti i akuzës, përkatësisht aktakuza është në përputhshmëri në dispozitat ligjore dhe nuk ka arsye që akti i akuzës të kthehet në plotësim dhe korrigjim”, thuhej në aktvendim të Themelores.
E prokurorja Selimi-Muçaj, në ankesën e saj në Apel, ka vlerësuar se aktakuza ishte hartuar në përputhje me legjislacionin penal.
“Në rastin konkret aktakuza dhe propozimi, gjegjësisht dispozitivët janë plotësisht të qartë dhe të kuptueshëm dhe përshkrimi faktik është në përputhje të plotë me kualifikim juridik të veprave penale, gjithnjë duke u mbështetur në provat në të cilat është mbështetur aktakuza dhe propozimi”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.
Verën e 2022-s Kosova u trondit me rastin e dhunimit të 11-vjeçares. Viktima dyshohet se më 27 gusht u trafikua e u keqpërdor për pornografi. Në bazë të përshkrimit të aktakuzës, E. R. e ka dhunuar e më pas e ka trafikuar duke i ofruar shërbimet seksuale të viktimës te persona të tjerë. Sipas këtij përshkrimi, Sh. K. dyshohet se ka pranuar shërbimet seksuale të viktimës dhe se e ka dhunuar atë.
Ndaj tre të akuzuarve të mitur rëndojnë akuzat për dhunim dhe keqpërdorim të fëmijëve në pornografi, derisa një prej tyre akuzohet edhe për trafikim.
Zëdhënësja e Gjykatës në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka konfirmuar se ndaj të gjithë të akuzuarve është në fuqi masa e paraburgimit. Në rastin tjetër penal, lidhur me dhunimin e trafikimin e 11-vjeçares, të akuzuar janë 8 persona të tjerë.