LAJMET E MBRËMJES

Kurti kritikohet për situatën në veri, i kërkohet ta shfuqizojë Asociacionin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të premten është kritikuar nga opozita se me vendimet që po merr, po cenon sovranitetin në veri të vendit. Deputetët opozitar i kërkuan atij që për të gjitha veprimet të bashkërendohet me ndërkombëtarët dhe t’i dëgjojë këshillat e tyre. Në përgjigje të kritikave, Kurti tha se i pranon këshillat e ambasadorëve, porse vendimmarrja i takon atij. Kryeministrit iu kërkua ta shfuqizojë edhe Asociacionin, të cilin dikur e kishte kundërshtuar fuqishëm

Deputetët e opozitës i kanë cilësuar të pamatura veprimet e ndërmarra në veriun e Kosovës nga kryeministri Kurti.

Sipas ligjvënësve opozitarë, Qeveria po e cenon atë pjesë të vendit duke marrë vendime ad-hoc e pa koordinim me aleatët ndërkombëtar.

“Jemi të shqetësuar me gjendjen në atë pjesë të territorit të Kosovës. Na duhet koordinim i madh me SHBA. Nuk duhet të lejojmë që kjo pjesë e territorit të jetë në diskutim në tryezën në Bruksel”, ka thënë shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

“Këshillat kryeministër që i ke marrë prej ndërkombëtarëve nuk po i dëgjon para se të bëhet dëmim, por pasi po bëhet”, ka deklaruar deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha.

E kryeministri u shpreh se janë në dakordim të plotë me ndërkombëtarët, por se vendimet duhet t’i marrë Qeveria e jo ambasadorët e QUINT-it.

“Janë ambasadorë të QUINT-it, por ata s’bëhen dot ministra. Ministrat janë qytetarë të këtij vendi, aktualisht në Qeverinë tonë. Qeveritë vijnë e shkojnë por shteti ngelet. Ai është caku ynë. Andaj, bashkërendimi me faktorët ndërkombëtarët nuk mund të jetë në mënyrën që ne t’i trajtojmë ata si ministra e ne vetë të bëhemi zëvendësit e tyre”, ka thënë Kurti.

Me kryeministrin polemizoi edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili e pyeti atë se pse nuk po e shfuqizon në Kuvend marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Unë kam qenë pikërisht në vendin e ministrit të Financave tash, kur ju me keni gjuajtur me sprej dhe kam vendosur një fletore para që të ruaj sytë nga spreji. Në rregull ka qenë qëndrim politik. Por pse nuk po i ndërmerr veprimet tash, ligji ta mundëson. Sille në Kuvend dhe unë do të votoj për”, është shprehur Hoti.

“Është e vërtetë, unë kam bërë si aktivist politik kundërvajtje, por deputeti Hoti, unë kam mbajtur burg për këtë punë. Shteti i së drejtës nuk është ende siç duhet, sepse janë ca kriminelë të tjerë që s’janë ende prapa grilave”, ka thënë Kurti.

Ky debat i parapriu trajtimit të disa projektligjeve në mesin e të cilave atij për zyrtarët publikë dhe Projektligjit për paga.