LAJMET E MBRËMJES

Opozita akuzon Qeverinë për ndërhyrje në të hyrat vetjake të komunave

Është pjesë e partisë në pushtet, por deputeti Fatmir Humolli nuk është pajtuar me ndarjet buxhetore me Projektbuxhetin e 2023-tës, i cili u miratua të enjten në parim në Kuvendin e Kosovës.

Votën kundër e ka arsyetuar duke thënë se ky buxhet dëmton sigurinë e vendit dhe anashkalon veteranët e luftës, sigurimin e policisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Ky projekt-buxhet e dëmton sigurinë e vendit për arsye se motivimin për mbrojtje të vendit e pengon duke anashkaluar çështjen e veteranëve të luftës, duke anashkaluar sigurimin e Policisë, duke anashkaluar sigurimin e FSK-së. Nëse ne nuk i sigurojmë këta, atëherë me çfarë motivi kanë mundësi me u përballë me vështirësitë në kohën kur Serbia për çdo ditë na kërcënohet”, ka theksuar Humolli.

Më të ashpër në kritika ishin deputetët e partive opozitare.

Parashikimi i mbi 270 milionëve si kontigjencë në kuadër të Ministrisë së Financave pa specifikuar se ku do të shpenzohen dhe ndërhyrja në të hyrat e komunave ishin kritikat më të shpeshta të deputetëve opozitarë.

“Buxhetit të Kurtit i mungon ambicia zhvillimore, ndërlidhja me premtimet e tij elektorale dhe me kërkesat qytetare dhe zbatimi i ligjit të pagave në sektorin publik”, ka deklaruar deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.

Debati për buxhetin në Kuvend u përcoll edhe me akuza mbi Ligjin për çmimet tavan, të cilin e mbrojti ministri i Financave, Hekuran Murati.

“Vetëm dikush hipokrit dhe që mund të ketë interesa të përbashkëta me supermarkete e dërgon një ligj të tillë në Gjykatën Kushtetuese. Ky është fakti, përndryshe kot e keni nëse qaheni këtu se si qytetarëve iu është vështirësuar jeta, ndërsa në anën tjetër tentoni të bllokoni çdo tentativë për të lehtësuar jetën e qytetarëve”, ka theksuar Murati.

sipas deputetit të LDK-së, Besian Mustafa, me atë ligj shkatërrohen bizneset e vogla dhe të mesme. “Me atë ligj shkatërrohet secili market i vogël dhe i mesëm në Republikën e Kosovës dhe mbizotërojnë, po dëshironi me shndërruar atë sektor në oligarki ku vetëm një numër shumë i vogël i supermarketeve mbizotërojnë", ka theksuar Mustafa.

Shefi i Grupit Parlamentar tw PDK-sw, Besnik Tahiri, ka thwnw se ministri Murati wshtw njeriu mw i dobët nw kabinetin qeveritar.

“Unë e kuptoj ministrin Murati, i cili ka arritur jo vetëm të mashtrojë, por me qenë njeriu më i dobët në kabinetin qeverisës, por nuk po kuptoj si një ministër i financave del këtu dhe mbështet një buxhet, i cili në esencë e rrezikon funksionimin e shtetit të së drejtës, sigurinë kombëtare dhe rrezikon secilin sektor vital të shtetit”, ka theksuar Tahiri.

Por të kundërtën e ka pohuar kryeministri Albin Kurti në prezantimin e projektbuxhetit duke e quajtur atë historik dhe që rrit buxhetin në shëndetësi, siguri, arsim dhe mirëqenie sociale.

“Për sa i përket projekteve specifike ato reflektojnë në programin tonë qeverisës. Kemi shtuar 240 pozita të reja për inspektoratet, kjo nënkupton më shumë inspektorë të punës që të mbrohen të drejtat e punëtorëve. Kemi ndarë 296 milionë euro për shëndetësi, më së shumti ndonjë herë që nga prej shpalljes së pavarësisë. Në kontekstin aktual, mbështetja në sektorin e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme, andaj kemi shtuar 300 pozita të reja për policinë dhe kemi rritur buxhetin për blerje të armatimit modern për ushtrinë tonë. 123 milionë euro parashihet buxheti i përgjithshëm për Ministrinë e Mbrojtjes”, ka theksuar Kurti.

Buxheti për 2023-tën i miratuar në parim është në vlerë prej 3.2 miliardë eurosh.