LAJMET E MBRËMJES

Lista Serbe thotë se e pengoi planin e Kurtit, analistët e shohin si dobësim të pozicionit të Vuçiqit

Me bojkot të seancës e kanë filluar mandatin 10 deputetët e rinj, 9 prej të cilëve janë pjesë e Listës Serbe. Pak pas leximit të tekstit të betimit nga kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca dhe nënshkrimit nga ana e tyre, ata e lëshuan sallën e Kuvendit.

Pak minuta më gjatë ka qëndruar deputeti Cvetko Velkoviq, nga subjekti politik Iniciativa Qytetare për Liri, Drejtësi dhe Qëndrueshmëri.

Sipas Listës Serbe, kjo ishte një strategji për ta penguar siç kanë thënë, planin e Albin Kurtit dhe kolaboracionistëve të tij, që ta ndryshojnë Kushtetutën.

“Synimi i Kurtit dhe Rada Trajkoviqit, e të tjerëve si ajo, është që të votonin ndryshimet Kushtetuese që do të çonin në shfuqizimin e komunave serbe, marrjen e pronave nga Kisha Ortodokse Serbe, heqjen e gjuhës serbe dhe të drejtat e përfaqësimit në institucione”, thuhet në një reagim të Listës Serbe.

Ndërkohë, shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se kthimi i Listës Serbe në Kuvend nuk do të thotë kthim i serbëve në institucione.

“Dua të jem absolutisht i qartë, arsyeja e verifikimit të këtyre mandateve nga përfaqësuesit e Listës Serbe është vetëm se ne kemi marrë informacionet e fundit se Kurti po përgatit një plan djallëzor të hakmarrjes ndaj popullit serb në Kosovë”, ka theksuar Petkoviq.

Por, sipas Rada Trajkoviq nga Iniciativa qytetare për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, me betimin e deputetëve të Listës Serbe, është penguar përfundimisht komuniteti serb në Kosovë që të ketë përfaqësues të vërtetë politikë.

“Sapo më njoftuan se Lista Serbe ka marrë nëntë mandate të reja në Kuvendin e Kosovës për ta penguar hyrjen time në të dhe për të mos e lejuar komunitetin serb në Kosovë që të marrë përfundimisht përfaqësues të vërtetë politikë. Shpjegoni këtë kthesë të papritur Aleksandar Vuçiq?”, ka thënë Trajkoviq.

Kthimi i paparalajmëruar i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, sipas analistëve politikë, tregon se pozita negociuese e Serbisë dhe e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, është dobësuar.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, ka theksuar se largimi i Listës Serbe ka qenë një “akt lufte” që i është shpallur Kosovës.

“Kthimi i deputetëve të Listës Serbe në Kuvend siç duke tregon se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i ka rënë pishman për veprimet që ka bërë, pasi siç duket ka pritur reagime të tjera nga ndërkombëtarët për tërheqjen nga institucionet. Ka pritur ndonjë presion më të madh mbi Qeverinë Kurti, por kjo nuk ka ndodhur dhe është frikësuar që zëvendësimi i deputetëve të rijnë me lista tjera ja humb fuqinë politike atij në Kosovë dhe është kthyer mbrapa”, ka thënë Spahiu.

E sipas analistit Dushan Janjiq, Lista Serbe do të kthehet në Qeveri të Kosovës. Kjo sipas tij, do të jetë shuplakë e madhe për gjithçka që ka bërë Vuçiqi dhe që ka thënë në muajt e fundit.

“Vuçiqi nuk arriti të krijojë një vakum institucional në Kosovë. Tani ka duhet t’i kthejë serbët në institucione të Kosovës që t’i shmangë zgjedhjet lokale në veri”, ka theksuar Janjiq.

Dhjetë ditë më parë, deputetë të Listës Serbe kanë hequr dorë nga mandati në shenjë pakënaqësie për fillimin e zbatimit të vendimit që parasheh masa sanksionuese për qytetarët serbë që nuk i konvertojnë targat nga ato ilegale, në RKS.