Strategji e dobët, e përgatitur me mënyrën “copy paste” dhe që nuk reflekton ndryshimet që kanë ndodhur në botë këtë vit, është konsideruar nga deputetët e opozitës Strategjia për siguri 2022 – 2027.
Thirrjet e deputetëve të opozitës që dokumenti të kthehet në Qeveri dhe të plotësohet nuk u dëgjuan nga deputetët e pushtetit, të cilët votuan për të.
Në votim nuk morën pjesë deputetët e opozitës. Por, abstenimi i deputetit të Vetëvendosjes, Fatmir Humolli, i cili e kritikoi strategjinë, mundësoi miratimin e saj.
“Mënyra si është ofruar është e gabueshme dhe nëse vjen si dokument në Komision e të kalojë pa debat dhe pa plotësime prej nesh, atëherë pse ne ta ngrisim dorën për të votuar për këtë”, tha Humolli.
“Nga përmbajtja e draftit, e kuptova që ky dokument nuk është serioz, por e kam kuptuar që me hartimin e Strategjisë është marrë vetëm një njeri, një person, i cili nën presionin e kohës dhe përvojës së vogël për punë ekipore e ka kompletuar dokumentin duke bërë ‘copy-paste’ të paragrafëve të strategjive të shteteve të Ballkanit”, tha deputeti i LDK-së, Anton Quni.
“Kjo strategji ka nevojë që të plotësohet dhe të merren parasysh kontributet e të gjithë atyre që kanë dhënë komente e që nuk është marrë parasysh asnjë në fazën kur kjo strategji ka qenë në diskutim publik”, tha deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
“Kurrkund nuk flet për synimin strategjik. O njerëz, synimi jonë, i kësaj strategjie është për të hyrë në NATO, për t’u siguruar një herë e përgjithmonë në politikën armiqësore të Serbisë. Kjo strategji nuk është strategji, ky është dokument analitik, por nuk e jep drejtimin”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga deputetët që të mos shtyhen për NATO-n dhe SHBA-në, pasi, siç ka thënë, të gjithë i duan njësojë.
“Ata që nuk i duan, si Grup Parlamentar, nuk janë në Parlamentin e Kosovës hiç, nuk po marrin pjesë. Ju të tjerët, si njëjtë më dukeni të gjithë kështu”, tha Konjufca.
Ndërsa, kryeministri Albin Kurti ka thënë se synimi strategjik i Kosovës është anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian si parakushte për sigurinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës.
“Ne synojmë anëtarësim sa më të shpejtë në partneritetin për paqe, përveç se edhe në mekanizma të tjerë ndërkombëtarë të sigurisë”, tha Kurti.
Edhe vazhdimi i seancës të hënën është përcjellë me mungesë të kuorumi në vendimmarrje. Dy projektligjet, ai për Qeverinë dhe i Noterisë nuk u aprovuan as në këtë seancë.
Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë një anëtarë të bordit të Radio Televizionin e Kosovës.
Asnjëri nga kandidatët në garë nuk ka marrë votat e mjaftueshme për t’u bërë pjesë e këtij institucioni.