LAJMET E MBRËMJES

Qeveria ndalon eksportin e peletit dhe të lëndëve tjera djegëse me bazë drurin

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ka vizituar Korporatën Energjetike të Kosovës, ku ka njoftuar se blloku A3 është kthyer në punë më herët sesa ishte planifikuar. Ka thënë se blloku A4 pritet të kthehet në operim në ditët e para të muajit tetor, ndërkohë që po ashtu ka bërë të ditur se Qeveria do të marrë vendim për ndalimin e eksportit të peletit dhe lëndëve të tjera në bazë drurin

Kriza energjetike që ka kapluar vendet evropiane e ka shtyrë Qeverinë që të martën të marrë vendim për ndalimin e eksportit të peletit dhe të lëndëve të tjera djegëse me bazë drurin.

Lajmin e ka bërë të ditur Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, në kuadër të një vizite të saj në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).

“Duke qenë se e kemi analizuar situatën në treg dhe kemi parë që ka një rritje të çmimeve që nuk arsyetohet me rritjen e kostos së prodhimit dhe nga ana tjetër kemi një mungesë peleti në treg në krahasim me vitet e kaluara dhe në krahasim me nevojën, andaj si hap i parë kemi vendosur që të ndalojmë eksportin e peletit dhe lëndëve djegëse të tjera me bazë drurin. Ndërsa Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë pritet që shumë shpejt të sjellë në Qeveri dhe pastaj në Kuvend për ratifikim Ligjin për Produktet Esenciale-rregullimin e çmimeve të produkteve esenciale në të cilën është përfshirë edhe peleti”, ka thënë ajo.

Ministrja Rizvanolli po ashtu ka bërë të ditur se pas katër ditësh sa ishte jashtë funksionit, blloku A3 i termocentralit “Kosova A” është rikthyer të martën në funksion duke i shtuar 125 megavate energji.

Ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë për reduktime të energjisë gjatë dimrit, tek ka shtuar se kriza energjetike këtë vit është më e rëndë sesa ajo e fundvitit të kaluar, duke iu bërë thirrje qytetarëve që të kursejnë energjinë.

“Përderisa vitin e kaluar si rezultat i rritjes së kërkesës në periudhën pas pandemisë ka shkaktuar rritje të çmimeve në treg, sivjet jemi në një situatë shumë më të rëndë ku për shkak të luftës në Ukrainë dhe përdorimit të gazit dhe energjisë si armë nga ana e Putinit, kemi mungesa në treg duke përfshirë edhe ndaljen e gazit, e të cilat e bëjnë në një masë dimrin e paparashikueshëm dhe gjithashtu e bëjnë të qartë se dimri do të jetë i vështirë jo vetëm për ne, por për tërë Evropën”, ka thënë Rizvanolli.

Ministrja Rizvanolli njëkohësisht ka njoftuar se ka kërkuar nga KEDS-i që ta bëjë maksimumin për ndalimin e vjedhjes së energjisë.

Përveç me Shqipërinë, Kosova nuk ka marrëveshje me shtetet e tjera për shkëmbim të energjisë. Por, ministrja Rizvanolli ka thënë se janë duke diskutuar edhe me to.

“Ne kemi pasur diskutime në nivel politik me Republikën e Maqedonisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Me Republikën e Maqedonisë dhe Bullgarinë janë duke vazhduar dhe do të vazhdojnë negociatat në nivel teknik të operatorëve për të marrë mundësitë qoftë për këmbim apo blerje... Aktualisht nuk kemi (marrëveshje)... Jo, nuk e kemi, siç e thashë, Maqedonia ka qenë në negociata deri para disa ditësh, nuk e di nëse është përfunduar një marrëveshje e tillë”, ka shtuar ajo.

Ndërsa kryetari i Bordit të KEK-ut, Skënder Haziri, ka njoftuar për hapjen e tenderit për qymyrin, ku theksoi se janë hapur ofertat.

“Për aq sa kemi informata janë hapur ofertat. Është në proces të vlerësimit të ofertave. Vlera minimale e një toni me qymyr, vlera prag në të cilën KEK-u pret të marrë është 30 euro për një ton. Ndërsa kemi të bëjmë me një sasi prej 100 mijë tonëve që i bie që 3 milionë euro do të jetë përfitimi i KEK-ut, mirëpo cila do të jetë vlera të cilën kompania do ta fitojë, kjo do të varet prej procesit të vlerësimit”, ka deklaruar ai.

KEK-u është duke operuar me dy njësi të termocentralit “Kosova B” dhe një të “Kosova A”. Por burime të KOHËS kanë bërë të ditur se kjo korporatë e ka furnizuar KEDS-in dhe KOSTT-in me energji, në bazë të planifikimeve të këtyre ndërmarrjeve.

Me rekomandim të Komitetit për Energji, KEK-u është obliguar që të bëjë edhe import të energjisë me 7 milionë euro që i kanë mbetur nga subvencionimi prej 20 milionë eurosh, i cili ishte bërë në fund të vitit të kaluar pas krizës energjetike në Kosovë.