Kulturë

“Zoti në kinema” si pikëpamje filozofike mbi filmat

Në disa raste pandehet se Zoti është regjisori i filmit të madh që është globi. E nga një tjetër pikëpamje del që njerëzimi ka bërë regjinë ku e ka futur edhe Zotin si diçka imagjinare. Dritan Dragusha me “Zoti në kinema” shtron pyetje. Filmat janë vetëm si një pikënisje trajtimesh filozofike

Dritan Dragusha e ka futur Zotin në kinema. Nga një tjetër perspektivë e ka gjetur atë aty herë si regjisor a producent, herë si aktor e edhe si personazh që hesht. Në librin “Zoti në kinema” në shtatë ese zbërthen marrëdhënien e njeriu me Zotin. Është nisur nga një vështrim filozofik për disa nga filmat që ka parë. Për të, Zoti nuk është diçka absolute siç e përcakton religjioni. Ia ndërron vendet. Në disa raste pandehet se Zoti është regjisori i filmit të madh që është globi. E nga një tjetër pikëpamje del që njerëzimi ka bërë regjinë ku e ka futur edhe Zotin si diçka imagjinare.

Dragusha, i cili filozofinë e ka studiuar deri në shkallë masteri, libërthin e tij të botuar nga shtëpia botuese “Bard Books” e ka promovuar të martën mbrëma në kafe-librarinë “Dit’ e Nat’” në Prishtinë.

Audienca, jo aq e madhe në numër, ka dëgjuar pikëpamjet e Dragushës, të botuesit Ag Apolloni e publicistit Blerim Shala. Temë bashkëbisedimi ka qenë qasja autentike e autorit mbi atë që ka shkruar.

Në rolin e botuesit, shkrimtari e kritiku Ag Apolloni ka thënë se libri “Zoti në kinema” është një pamje filozofike mbi filmat.

“Trajtohen disa filma që janë të vlerësuar edhe nga të tjerët. Por qasja e Dritanit është autentike. Ai ndërton një teori të veten në raport me këta filma”, ka thënë Apolloni. Eseja e parë e veprës mban titullin e njëjtë me librin. Aty merret në shqyrtim filmi “Tundimi i fundit i Krishtit”. Sipas Apollonit, krejt eseja e parë flet për heshtjen e Zotit në raport me krimet që i ndodhin njerëzimit. Ai ka treguar se në vepër trajtohen edhe filma të tjerë që nuk flasin direkt për Zotin, por flasin për njerëz që ndihen zot, siç janë diktatorët.

“Pastaj për producentë që e bëjnë njeriun që stimulacioni të duket si realitet. Nuk ka fusnota, por ka shumë referenca të nënkuptuara. Autori ia lë lexuesit që t’i bëjë këto lidhje. Është edhe një thirrje për një lexim aktiv”, ka thënë Apolloni.

Publicisti Blerim Shala ka thënë se libri i Dragushës mund të lexohet për një pasdite të qetë. Sipas tij, vepra merr kohë sa për të shikuar një film. Shala ka thënë se për ta shkruar një libër të tillë nuk duhen vetëm javë apo muaj.

“Librat si ky kanë një parahistori të veten që është bërë në katedra, në lexime e shikime filmash bashkë me përvoja njerëzore”, ka thënë ai.

Në leximin e tij, ky rrëfim i Dragushës nuk ka fillim e as fund. Ka thënë se temat vijnë nga amshimi, kalojnë në këtë kohë dhe i kthehen amshimit. Ka treguar se në libër ka vetëm pyetje absolute, por asnjëherë edhe përgjigje absolute.

“Dragusha shfaq pyetjet dhe rishfaq përgjigjet. U kthehet rrënjëve teologjike dhe filozofike midis raportit të njerëzores dhe hyjnores”, ka thënë Shala.

Ka ngritur disa pyetje. Ka pyetur nëse Zoti regjisor suprem, që e ka bërë filmin e madh të quajtur jetë, dhe njeri ku të gjithë luajnë pa një skenar të qartë dhe ku të gjithë luajnë vetëm duke e ditur se në fund do të vdesin.

“Apo ne jemi regjisorë të filmit ku e dimë se Zoti është një vepër e jona filozofike, religjioze dhe artistike”, ka thënë ai. Nëpërmjet fjalës së tij, të shkruar, ai ka thënë se e gjithë dija njerëzore grumbulluar me mijëra vjet është e pafuqishme për të siguruar dijen për Zotin.

“Nëse ka Zot ai ka një antivirus të përsosur për të gjitha përpjekjet tona”, ka thënë Shala.

Në perspektiven e tij, njeriu mendon se disi është refugjat i parajsës dhe do të kthehet atje prej nga është dëbuar pasi nuk mund ta bindë veten që vdekja është absolute. Ka thënë se kur rrëzohet një aeroplan e para që bëhet pas kërkimit të të shpëtuarve është gjetja e kutisë së zezë, sepse aty gjendet e vërteta për aksidentin fatal.

“Veshja e njeriut me këmishën e vdekjes ka në vete edhe këtë kutinë e zezë me zbardhjen e së cilës ne merremi me mijëra vjet përmes pyetjeve absolute e përgjigjeve relative. Këtë zaten e bën edhe Dritan Dragusha në librin e tij”, ka thënë Shala.

Vetë Dragusha pas studimeve ka punuar si një nga drejtuesit e emisionit “Filozofema” në televizionin publik. Është kolumnist i rregullt dhe ka kohë që mban emisionin “Prizma” në televizionin T7.

Autori që është edhe redaktor në revistën kulturore “Symbol”, ka thënë se në përditshmërinë e tij nuk mund t’i ndajë tri gjera. Ka përmendur filozofinë, letërsinë dhe filmin. Ka treguar se për filmat që ka shkruar, janë filmat e tij, ashtu siç i ka parë ai.

“Është karakteristike heshtja që vjen nga Zoti”, ka thënë Dragusha derisa ka folur për esetë e tij brenda veprës, sidomos për të parën. Derisa ka sqaruar analizën që ua ka bërë filmave, ka thënë se janë momente të caktuara të cilat nis t’i bluajë në mendje dhe t’i trajtojë në shkrim. Përderisa ka folur për filmin “Tundimi i fundit i Krishtit”, ka thënë se secili në jetën e vet e ka një tundim të fundit ku sodit se çfarë ka bërë e çfarë do të bëhet me të. Dragusha është tunduar nga disa filma e nga përvoja e tij në lexime e jetë. Produkt i këtij tundimi është edhe “Zoti në kinema”. Por tundimi i tij vazhdon. Këtë e ka bërë të qartë edhe në vepër, duke u marrë me përgjigje relative të cilave nuk u vendoset asnjëherë një pikë në fund.