Kulturë

Zëri i personave të zhdukur me dhunë thërret në Kuvend me “Babai dhe babai”

Në hollin e Kuvendit të Kosovës, zërat e personave të zhdukur me dhunë kanë folur nëpërmjet teatrit. Është një vijë e hollë midis asaj që ngjan në skenë dhe realitetit. Atij që familjarët e tyre e jetojnë përditë. “Babai dhe babai” me tekst të Jeton Nezirajt në regji të Kushtrim Koliqit është reprizuar në objektin e legjislativit, me një qëllim të prerë: thirrje e alarm për vendimmarrësit

Artistët zakonisht hyjnë në Kuvendin e Kosovës në ndonjë ditë feste. Më së shpeshti ndodh për Ditën e Pavarësisë, sikurse sivjet kur Filharmonia e Kosovës interpretoi disa vepra në një koncert të shkurtër. Por mbrëmjen e së enjtes artistët kanë qenë aty për një tjetër mision: atë të përçimit të ndjesisë së familjeve që tash e gati çerekshekulli jetojnë me veshët katër duke pritur ndonjë lajm për të afërmit e zhdukur në luftën e fundit.

Holli i institucionit më të lartë të Kosovës është shndërruar në një ambient që ngjan me ndonjë teatër eksperimental. Por bëhet fjalë për shfaqje profesioniste, jo veç si realizim, por edhe për nga depërtimi tek ana emocionale e publikut. Realisht në skenë janë dy veta. Por për dikë janë tre. Për gruan e nënën që ka humbur bashkëshortin gjatë luftës, Dini (Bujar Ahmeti) ekziston. Kurse për Lolën (Kosovare Krasniqi) i ati nuk është më. Sara (Ilire Vinca) nuk heq dorë nga ai. Ajo bashkëbisedon me të, e sheh gjithandej. Për dallim nga e bija, Sara jeton me të çdo ditë. Orvatet që t’i gjejë punë, e nxit që ta mësojë përdorimin e kompjuterit, pasi Dini para luftës shkruante veç në makinë të shkrimit, e sillet sikur lufta të mos ekzistonte fare në raport me plagën që i ka shkaktuar. Por realisht shfaqja tregon se lufta asaj i ka lënë një plagë të thellë nga e cila nuk del dot.

Situata e familjes bën që më së rëndi atmosfera të përjetohet nga Lola. Ajo jeton me të ëmën e cila ka një botë paralele ku nuk ia pranon dot vetes realitetin. Me profesion rrobaqepëse Sara hyn te kategoria e njerëzve që lufta i ka bërë të përballen me vetveten dhe t’i mund shpresa që shpesh kthehet edhe në halucinacion.

Shfaqja “Babai dhe babai” nën regji të Kushtrim Koliqit e me tekst të Jeton Nezirajt ka bërë që për më shumë se një orë, deputetët, qeveritarët e pranishëm e një pjesë e korit diplomatik, të “hyjnë” në shtëpinë e një familjeje që ka anëtarë të zhdukur në luftën e fundit. Kjo është bërë pikërisht në Ditën Kombëtare të të Zhdukurve. Në luftën e fundit në Kosovë, 1.617 veta janë zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë.

Image
Për gruan e nënën që ka humbur bashkëshortin gjatë luftës, Dini (Bujar Ahmeti) ekziston. Kurse për Lolën (Kosovare Krasniqi) i ati nuk është më. Sara (Ilire Vinca) nuk heq dorë nga ai. Fle me të...

Ambienti familjar që për më shumë se një orë është zhvendosur në Kuvendin e Kosovës, nuk provokon. Prek ndërgjegjen e shoqërisë e sidomos të pushtetarëve. Është një shfaqje që zhvesh përditshmërinë e familjeve që tash e 24 vjet përballen me mungesën e anëtarëve të tyre. Madje edhe me mungesën e një informate për ta.

Situatat midis nënës dhe së bijës flasin për traumat që përjetohen. E krejt ekipi i shfaqjes këtë e bën me një mjeshtri të hollë e pa sforcuar asnjë moment. E zonja e shtëpisë flet vazhdimisht me bashkëshortin, përderisa e bija përballet me momente surreale. Që të dyja vuajnë shumë. Njëra nga mospranimi i realitetit e tjetra se të ëmën nuk e bind dot se babai nuk ekziston. Është njëfarë lufte e brendshme sa shpirtërore aq edhe psikologjike që vjen e shkaktuar nga një luftë e Serbisë në Kosovë që ka lënë mbi 10 mijë veta të vrarë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka çmuar shfaqjen pasi ajo trajton plagën më të dhimbshme, e cila nuk shërohet kurrë.

“Plagë që na përcjell gjatë gjithë jetës dhe është shumë thellë në jetën tonë shpirtërore. Kjo për faktin se populli ynë ka kaluar nëpër vështirësi të mëdha e sakrifica të paimagjinueshme”, ka thënë ai. Sipas Konjufcës, shumë prej familjeve kanë humbur më të dashurit e tyre dhe nuk e dinë ende se ku ata ndodhen. Ka thënë se dihet qartë se ata ndodhen në Serbi dhe shteti serb duhet të japë përgjegjësi për këtë.

“Shfaqja e paraqet atë plagë shpirtërore dhe fizike me të cilën jeton populli ynë”, ka thënë Konjufca. E ka përshkruar si projekt që zhvillohet tërësisht përbrenda konturave klasike të dramës e teatrit. E në këtë rast ka thënë se katarsisi që përjeton publiku është i plotë.

Image
Për më shumë se një orë, deputetët, qeveritarët e pranishëm e një pjesë e korit diplomatik, kanë “hyrë” në shtëpinë e një familjeje që ka anëtarë të zhdukur në luftën e fundit

“Të bën pjesë të saj dhe kjo ishte edhe arsyeja që me sa pashë, të pranishmit e përjetuan fuqishëm këtë shfaqje. Ajo e transmetonte në mënyrë të drejtpërdrejtë e të sinqertë atë që e kalojnë çdo ditë tash e 24 vjet shumë prej familjeve tona që janë prekur nga lufta e kanë humbur të dashurit e tyre”, ka thënë Konjufca. “Babai dhe babai”, sipas tij, është shfaqje e bukur e njëkohësisht tronditëse.

“Do të bëja apel te secili që të shkojë e ta shohë këtë shfaqje pasi na ngrit në një nivel tjetër shpirtërore, na bën më të vetëdijshëm na vendos në lëkurën dhe shpirtin e njerëzve që për 24 orë e përjetojnë këtë ndjenjë”, ka thënë ai.

Shfaqja që premierën e kishte në maj të vitit 2022 në “Emingjik”, është dhënë në Kuvend me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se është hera e dytë që e sheh këtë shfaqje dhe pavarësisht kësaj kishte ndjesinë e njëjta.

Ka thënë se “Babai dhe babai” ngjall shumë emocione, dhimbje e lot.

“Siç e keni parë sot kishte edhe shumë lot nga të pranishmit. Tema e personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës është temë shumë e ndjeshme, është një dhimbje shumë e madhe për popullin e Kosovës”, ka thënë ajo. Ka treguar se bashkë me kryetarin e Kuvendit janë dakorduar që kjo shfaqje të jepet në institucionin më të lartë në vend, në mënyrë që të shprehin vullnetin por edhe rëndësinë që duhet ta ketë kjo temë.

E regjisori Kushtrim Koliqi ka thënë se shfaqja shtëpinë e vet e ka në “Emingjik”, por ka pasur shumë rëndësi ta japin edhe në Kuvend, jo veç si një pjesë artistike që i kushtohet temës, mirëpo edhe si thirrje dhe alarm.

“Thirrje e alarm për vendimmarrësit që kanë fuqi shumë më shumë se ne si artistë dhe më shumë se vetë familjarët e personave të pagjetur për të kontribuuar në këtë kauzë”, ka thënë ai. Sipas Koliqit, për çështje e të pagjeturve duhet avokuar vazhdimisht.

“Kjo shfaqje në Kuvend është një piskamë, një thirrje e radhës ndaj politikanëve që kanë fuqi vendimmarrëse që ta trajtojnë sa më seriozisht që është e mundur çështjen e personave të pagjetur”, ka thënë ai.

Nga ajo që është parë në publik me ndjesitë e familjeve që u mungojnë anëtarët, janë prekur shumica. Por për dallim prej publikut, për ato mbi 1.500 familje nga Kosova që kanë familjarë të zhdukur, “Babai dhe babai” është brenda shtëpive të tyre, çdo moment.