Kulturë

“Zatra Blue” me harmoninë nga distanca të treshes së jazzit të Kosovës

Një vepër miqsh mund të konsiderohet “Zatra Blu” e publikuar mbrëmjen e së hënën. Bën bashkë tre shokë, emrat e të cilëve janë në piedestalin e muzikën jazz në Kosovë. Pianisti Ilir Bajri, bateristi Enes Bajramliqi dhe kitaristi Taulant Mehmeti s’njohin kufij e distanca njashtu sikurse muzika. Është diçka që buron brenda tyre, harmonia vjen natyrshëm në binarët e vet. Mjafton që njëri ta nisë lojën në instrumentin që zotëron, të tjerët do ta ndjekin pas. Bashkë bëjnë muzikë që shumë vështirë mund të përthekohet brenda një zhanri, ani pse fjalën kryesore e ka jazzi. Por kur i kërkohet ta emërojë, Mehmeti, më i riu nga grupi, do ta quante “jazz të Kosovës”. Është kombinim i shijeve, kreativitetit dhe melodive të instrumentistëve. Instrumentali ka elemente të folklorit, pak funk, fusion jazz e world music. Gjithçka është bërë në distancë e duke shkëmbyer materialet që muzikantët kanë krijuar në shtëpitë e tyre, përmes internetit. Bajri e Bajramliqi nga Prishtina e Mehmeti nga New Yorku, ku ka kryer studimet e tash zhvillon karrierën e tij.

Kishte qenë pianisti Ilir Bajri ai që do ta kontaktonte bateristin Enes Bajramliqi, i njohur në skenën e muzikës si Enes Beu, për të bërë një incizim duke luajtur në tupanët e tij. Bajri i kishte thënë të luante sipas dëshirës e preferencave të tij personale.

“Fatmirësisht Enesi e ka ndihmën dhe përkrahjen e Gëzim Berishës, i cili është një teknik i zoti sa u përket audio-incizimeve. Pastaj Enesi më ka dërguar videon dhe audio-incizimin e atij sesioni. Mandej unë kam shtuar pjesë të klavijaturave dhe e kam zhvilluar idenë muzikore mbi atë incizim të Enesit”, ka thënë Bajri për KOHËN. Të njëjtin incizim ia kishte dërguar Taulant Mehmetit si demo, në mënyrë që ai ta realizonte pjesën e kitarës.

“I ka incizuar pjesët e tij me audio dhe video dhe pastaj unë, të gjithë materialin bashkë e kam miksuar në kompjuterin tim”, ka thënë Bajri. E ka pasur të rëndësishme që të theksonte se të gjitha aplikacionet e përdorura për këtë projekt janë të hapura dhe gratis.

“Është thjesht fantastike se sa shumë mundesh që të realizosh dhe çfarë niveli mundesh të arrish sot me një kompjuter, jo shumë të fortë dhe me disa aplikacione që ofrohen në internet”, ka thënë ai. Ka shtuar se kushdo që është i interesuar për të mësuar për të njëjtat mund ta kontaktojë. Pastaj nga procesi i punës ka kaluar te melodia që ai ka krijuar për këtë projekt.

“Nuk kam paraprakisht ndonjë tendencë ose qëllim të përcaktuar qartë kur filloj me zhvillimin e një ideje muzikore. Elementi i folklorit është vazhdimisht pjesë e punëve të mia, por nuk insistoj domosdo në të. Ai nuk është as pikënisja e as qëllimi, por është mjet për shprehje që përmban karakteristika të caktuara estetike e kulturore”, ka thënë ai. Ka shtuar se veçanërisht nuk i intereson aspak aspekti etniko-gjeografik e historik i tyre.