Kulturë

“Vizita e zonjës plakë” me pushtetin e parasë që përmbys të kaluarën

Një grua rreth të shtatëdhjetave bëhet shkas për ta përmbysur përditshmërinë e banorëve të një province. Lajmi për ardhjen me tren të gruas me emrin Claire Zachanassian në qytetin e Gylenit i bën banorët të përgatiten disa ditë para ardhjes, madje me entuziazëm.

Claire, e cila mezi ecën, është kthyer në qytetin e saj të lindjes, aty ku para më shumë se katër dekadave kishte jetuar një histori dashurie e që ishte bërë shkas për ta braktisur qytetin për shkak të një përvoje goxha të dhimbshme e të padrejtë. Kishte ikur e poshtëruar para dyzet vjetëve, por kthimi i saj si një grua e pasur që gëzon vëmendjen e madhe të shtypit i kishte bërë banorët që ta prisnin me nderimet më të mëdha.

Claira, e cila ka lënë prapa shtatë martesa, kthehet për të kërkuar drejtësi. Ajo insiston të hakmerret në këmbim të një miliard eurove të cilat do t’ua dhurojë banorëve të qytetit. Në këmbim të kësaj kërkon vrasjen e ish të dashurit të saj, i cili kishte mohuar atësinë e fëmijës së saj. E kishte braktisur në kohët më të vështira. Kjo i nxjerr banorët para një dileme të madhe: mes varfërisë dhe vrasjes. Porositet vrasja e Alfredit (Arben Marevci) i cili e përjeton çdo moment si ankth.

“Vizita e zonjës plakë” mblodhi një ekip prej gjashtëmbëdhjetë aktorësh në skenën e teatrit “Adriana” në Ferizaj, të cilët e sollën në skenë komedinë tragjike të shkruar në vitin 1956 nga dramaturgu zviceran Friedrich Dürrenmatt. Shfaqja e dërgoi publikun ferizajas nëpër situata komike, por gjithnjë në pritje të fundit tragjik.

Regjisori i saj, Sylejman Rushiti, nëpërmjet gjashtëmbëdhjetë aktorëve e ka portretizuar jetën e të gjithë banorëve të vendit ku ndodh ngjarja, që nga kryetari i bashkisë, deri tek polici e mjekët. Premtimi për 1 miliard euro në këmbim të vrasjeve i bën të gjithë që të shohin përtej mjerimit në të cilin jetojnë. Regjisori Rushiti tregon se skena e teatrit “Adriana” kishte qenë cak i ëndrrës së tij pesëvjeçare për ta shtjelluar tekstin e autorit zviceran.

“Vizita e zonjës plakë” mblodhi një ekip prej gjashtëmbëdhjetë aktorësh në skenën e teatrit “Adriana” në Ferizaj, të cilët e sollën në skenë komedinë tragjike të shkruar në vitin 1956 nga dramaturgu zviceran Friedrich Dürrenmatt, nën regji të Sylejman Rushitit

“Kam pasur dëshirë ta vendos këtu, mbase për shkak të asaj se çfarë ofron vetë trupa e aktorëve, energjia e tyre dhe laramania. Këtu kam gjetur tiparet e karaktereve që i kisha konceptuar tek aktorët e këtij teatri”, ka treguar Rushiti për KOHËN. Ka thënë se kjo është një prej përvojave të tij më të mira teatrore.

Aktorja Vjosa Abazi është ajo që për dy orë, sa zgjat shfaqja, portretizon gruan që paratë ia kanë dhënë pushtetin për të mposhtur të kaluarën e hidhur. Me kthimin e saj sfidon ndërgjegjen e secilit e lakminë për para. Në çdo skenë të saj kthen ndonjë moment nga e kaluara e ngulmon ta blejë drejtësinë e vjedhur në vitet e rinisë. Aktores ferizajase për këtë rol i është dashur të mishërohet me tiparet e gruas së pasur shtatëdhjetëvjeçare, por që fuqia e tekstit që në lexim të parë thotë se ia ka shtruar rrugën që gjatë gjithë lojës t’u qëndrojë besnike tipareve të personazhit të cilin e luan.

“Zakonisht në ditën e parë të leximit e bëj lidhjen me tekstin e kur teksti më pëlqen qysh në ditën e parë, e di se rolin do ta realizoj ashtu siç unë dua, dhe ky tekst më ka bërë menjëherë për vete”, ka treguar Abazi.

Abazi tutje ka thënë se për të prezantuar siç duhet rolin e një gruaje në të shtatëdhjetat i është dashur që rolit t’i qaset me dashuri e sakrificë.

“Roli ka qenë shumë sfidues, pasi që Claire Zachanassian është në moshë shumë më të madhe sesa mosha që unë kam, pastaj unë jam si natyrë shumë energjike dhe kur je natyrë shumë energjike duhet ta ndalësh ritmin tënd që ta arrish rolin”, ka thënë Abazi.

Image

Shfaqja e dërgoi publikun ferizajas nëpër situata komike, por gjithnjë në pritje të fundit tragjik


Teatri “Adriana” gjatë vitit pandemik realizoi dy premiera, ndërsa shfaqja që u dha premierë të hënën mbrëma vlerësohet si një nga projektet më kërkuese të këtij teatri.

Udhëheqësi artistik i teatrit “Adriana”, Besim Ugzmajli, ka theksuar se kanë bërë të gjitha përpjekjet që deri në fund të vitit ta realizojnë këtë shfaqje teatrore, e cila thotë se ka pasur shumë kërkesa si në aspektin teknik, ashtu dhe në atë artistik.

“Është shumë kënaqësi që kemi arritur t’i kemi dy premiera, pavarësisht vështirësive që kemi pasur qoftë të natyrës teknike apo që lidhen me pandeminë, jemi të lumtur që kemi arritur ta sjellim këtë shfaqje në fundvit. Një projekt i tillë në këto kushte ka qenë shumë e vështirë të shkojë deri në fund, por ka qenë një angazhim vetëmohues i gjithë trupës”, ka thënë Ugzmajli.

Shfaqja “Kthimi i zonjës plakë” kishte bërë që teatrit “Adriana” t’i mbushen të gjitha ulëset e parapara për publik. Në mesin e tyre kishte edhe prej atyre që kishin ardhur nga qytete të tjera për ta parë premierën e fundit për vitin 2020 në këtë teatër.

Sipas regjisorit Agim Selimi, trupa rezidente i ka kryer në mënyrë të kompletuar detyrat që i kërkon shfaqja.

“Mendoj se është një tekst shumë serioz, i cili kërkon përpjekje shumë të madhe, e shoh që është bërë një punë e madhe dhe një realizim i mirë i Sylejman Rushitit. Mendoj ndër realizimet më të mira të tij që e kam parë dhe më vjen shumë mirë që këtë realizim e ka me Teatrin e Ferizajt, që tani është një teatër rezident dhe kjo mendoj që po jep rezultate në të gjitha teatrot e Kosovës”, ka thënë Selimi.

“Vizita e zonjës plakë” u shfaq edhe të martën reprizë në teatrin “Adriana” në Ferizaj. Në korrik të vitit, teatri i qytetit të Ferizajt ka sjellë premierën e parë të vitit “Kontrolli dhe makina e dashurisë”, nën regji të Besim Ugzmajlit.

Image