Kulturë

Vendndalimet e vjetra të autobusëve do të propozohen për monumente

Të ndërtuara qysh në vitet ’70, vendndalimet e autobusëve janë mbijetojat e vetme të kohës kur Prishtina kishte filluar të modernizohej. Tri të tilla që janë ende në kryeqytet – dy në rrugën “Nazim Gafurri” dhe një te “Fehmi Agani” – ende ruajnë fizionominë origjinale: tri struktura të çelikta me pullaze të verdha sipër. Nga e mërkura ato i janë nënshtruar një projekti rinovues që synon t’ua kthejë dukjen autentike. Komuna e Prishtinës po synon nëpërmjet kësaj t’i hapë rrugë përfshirjes së tyre në listën e trashëgimisë së mbrojtur nga shteti.

Dhëmbi i kohës nuk e shpërfytyron ende fizionominë e vendndalimeve ikonike në kryeqytet. Dy syresh ende shërbejnë si të tilla në rrugën “Nazim Gafurri” për autobusët urbanë të linjës 4.

Me synimin për t’i ruajtur si pjesë të trashëgimisë historike të kryeqytetit, nga e mërkura këto stacione i janë nënshtruar një projekti të rinovimit.

Lajmi është bërë i ditur nga drejtori për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha. Sipas tij, këto vendndalime ikonike të autobusëve të ndërtuara në vitet ’70 janë një kujtesë e rëndësishme e së kaluarës dhe kryeqytetasit kanë një dashuri e nostalgji të madhe për to.

Të tilla, ka vijuar Berisha, janë edhe kioskat “K67” të dizajnuara më 1966 nga arkitekti i njohur slloven, Saša Mächtig.

“Këto vendndalime konsiderohen të rralla dhe të rrezikuara, andaj ne si Komunë po punojmë që t’i ruajmë dhe tashmë e kemi dërguar edhe kërkesën që të futen në listën për mbrojtje, sepse mendojmë që përmes mobilierisë urbane mund të ndikojmë në memorien kolektive gjithashtu”, ka shkruar Berisha. Për KOHËN ka konfirmuar se ato do të propozohen për t’u marrë nën mbrojtje nga shteti si asete të trashëgimisë kulturore.

“Jemi në proces të përgatitjes së dokumentacionit që pritoret të futen nën mbrojtje”, ka thënë ai.

Ai, po ashtu, ka bërë me dije se projekti i renovimit të vendndalimeve po bëhet në bashkëpunim me organizatën “CHwB Kosova”, ndërsa zbatohet përmes kontratës me Ndërmarrjen Publike Banesore SH.A.

Faton Hasani – nga punëtoria “Heritage Lab”, që organizohet nga “CHwB Kosova” – ka thënë se ideja për rinovim ka ardhur si pasojë e gjendjes së tyre jo të mirë.

“Ato janë pritoret e vetme, që në kuadër të funksionit të tyre, i kanë mbijetuar kohës”, ka thënë Hasani për KOHËN.

Kështu, Ndërmarrja Publike Banesore ka nisur përgatitjet e para përmes pastrimit të ndryshkut, si dhe përforcimit të strukturave mbajtëse. Javën e ardhshme bashkë me banorët e lagjes do të bëhet lyerja e dy vendndalesave në rrugën “Nazim Gafurri”, për të vazhduar tutje me ndalesën e tretë dhe të fundit në rrugën “Fehmi Agani”.

“Pritoreve do t’ua rikthejmë dukjen origjinale, ulëset të cilat i kanë improvizuar banorët i kemi hequr nga struktura mbajtëse dhe do të vendosim ulëse të reja në pjesën e pasme të pritores ndaras nga struktura”, ka shpjeguar Hasani.

Në një video të afishuar në YouTube si projekt-propozim i “Heritage Lab”, janë paraqitur pamjet se si do të duken vendndalimet pas lyerjes me ngjyrë të verdhë dhe përforcimit të strukturave të tyre të çelikta.

“Më vonë bashkë me kompaninë, e cila është duke i vendosur pritoret e reja në Prishtinë, do të provojmë të vendosim ndriçimin dhe monitorët reklamues pa penguar pamjen e pritoreve të vjetra”, ka bërë me dije tutje Hasani.

Ndryshe, këto janë tri vendndalimet e vjetra në kryeqytet, përderisa vitin e kaluar Komuna e Prishtinës kishte angazhuar një kompani që do të vendoste 150 vendndalesa të reja nëpër stacione të ndryshme të rrugëve në kryeqytet.

© KOHA Ditore