Instrumentist virtuoz e pedagog i Akademisë së Muzikës në Zagreb, Valter Deshpali është vlerësuar si një prej muzikantëve më të shquar të Kroacisë sa i përket shekullit 20. Të hënën lajmi për vdekjen ka bërë që arbneshi i Zarës të kujtohet si një prej muzikantëve më me ndikim në shekullin e kaluar, jo veç sa i përket Kroacisë e rajonit. Kolegët e tij virtuozë e kanë përshkruar humbjen e tij si kumt të rëndë për botën e muzikës. E lojën e tij në violonçel e kanë konsideruar si magjepsëse
Bota e muzikës ka humbur një prej maestrove të njohur të violonçelit, Valter Deshpali. Instrumentist virtuoz e pedagog i Akademisë së Muzikës në Zagreb, Deshpali është vlerësuar si një prej muzikantëve më të shquar të Kroacisë sa i përket shekullit 20. Lajmi për vdekjen e tij është dhënë nga mediat kroate në mbrëmjen e së hënës. Ai ishte 76-vjeç. Vdekja e Deshpalit për kolegët e tij virtuozë është përshkruar si humbje e madhe për botën e muzikës. E lojën e tij në violonçel e kanë konsideruar si magjepsëse.
I lindur në Arbnesh të Zarës më 1947, Deshpali i takonte një prej familjeve arbneshe që sa i përket muzikës kanë bërë histori. Si violonçelist - i biri i kompozitorit e dirigjentit Shime Deshpali – kishte arritur që të bëhej emër i përmasave përtej Evropës. Njëherësh ishte edhe pedagog i violonçelit në Akademinë e Muzikës në Zagreb.
Interpretues me orkestrat prestigjioze të botës
Do të studionte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një prej shkollave më prestigjioze në botë sa i përket interpretimit në instrumente, “Juilliard” në New York. Më vonë do të specializonte në Konservatorin e Moskës. Koncertet ku kishte marrë pjesë në Evropë, Azi, SHBA e Australi do ta bënin atë emër të historisë muzikore të shekullit 20. Violonçelisti ishte interpretues i veprave të njohura botërore për violonçel. Krijimtaria e tij përfshin shumë incizime, të cilat merren si shembull i teknikës virtuoze dhe tingullit të pastër.
Sipas biografisë së tij, nga viti 1972 punoi si profesor i violonçelit në Akademinë e Muzikës në Zagreb dhe ishte profesor vizitor në universitete në SHBA dhe Australi. Ai arriti një karrierë të dukshme ndërkombëtare si solist dhe performoi pothuajse në të gjitha vendet evropiane, SHBA, Kanada, Australi, Kinë, Indi, Iran e të tjera. Midis të tjerash ka interpretuar me Orkestrën Simfonike të Filharmonisë së Berlinit, Dresdenit, Varshavës e Roterdamit. Pastaj edhe me Orkestrën e Radios Publike Gjermane, me Orkestrën Simfonike të Washingtonit, Sydneyt e Melburnit.
Ai regjistroi një sërë incizimesh për kompani diskografike në Kroaci, Gjermani, SHBA dhe Rusi.
Deshpali ishte solist me orkestrat kryesore të metropoleve kulturore në tri kontinente. Në muzikën e dhomës ai ishte bashkëperformues i artistëve të mëdhenj si: Gidon Kremer, Dmitrij Sitkovjetski, Yo-Yo Ma, Heinrich Schiff, Philippe Entremont, Jurij Bashmet, Irena Grafenauer dhe Tabea Zimmermann. Loja e tij e interesimi i madh do të bënin që të promovonte edhe shumë kompozitorë kroatë si: Ivo Maçek, Dora Pejaçeviq, Bruno Bjelinski, Rudolf Matz, Boris Papandopulo dhe Stjepan Shulek.
Profesori e aranzhuesi i pashembullt
Bazuar në biografinë e tij, arbneshi Deshpali themeloi dhe drejtoi ansamblin “Cellomania”, i cili arriti sukses të madh në interpretime të shumta, si në Lojërat Verore të Dubrovnikut, në Lubjanë, Vjenë, Paris, Amsterdam dhe Moskë. Në vitin 1996 do të themelonte një shkollë muzikore për të rinjtë e rinj të talentuar në Zagreb. Gjatë jetës do të pranonte shumë çmime, përfshirë atë “Ivo Maçek”, “Vladimir Nazor” për arritje jetësore e shumë të tjerë.
Kitaristi me nam Petrit Çeku, i cili jeton në Kroaci, të hënën në mbrëmje ka thënë se ishte nderi më i madh i jetës së tij të mësonte nga ky muzikant i madh, “pafundësia e njohurive të të cilit i përket një epoke tjetër, kulturës muzikore pothuajse të harruar”. Çeku ka shkruar në Facebook se loja dhe fjalët e tij ishin burim i drejtpërdrejtë frymëzimi për shumë breza muzikantësh.
“Luajtja e tij në violonçel, e gdhendur në ‘Julliard’ (New York) dhe në Konservatorin e Moskës në fund të viteve '60, kishte një bukuri të fuqishme dhe magjepsëse (dhe që ju mund ta përjetoni veten përmes regjistrimeve të tij të shumta në dispozicion)”, ka shkruar Çeku. Sipas tij, Deshpali ishte një nga muzikantët e parë që bëri turne në Lindje dhe Perëndim në një kohë kur kjo nuk ishte aq e lehtë dhe rutinë sa sot.
“Ai bëri një turne në vitet '70, bleu një makinë shkrimi elektrike, sapo ishte në dispozicion, për të kryer të gjitha komunikimet e tij në Lindje dhe Perëndim. Valter Deshpali gjithmonë donte më shumë nga violonçeli, vepra e tij (në dispozicion nga disa botues të njohur) është një dëshmi për këtë”, ka shkruar Çeku. E ka përshkruar si artist që gjithashtu donte më shumë nga violonçelistët dhe e mori atë pasi lista e studentëve që studionin tek ai është e jashtëzakonshme.
“Mbi të gjitha, ai donte më shumë nga muzika dhe kjo është ndoshta gjëja më e rëndësishme që mësova prej tij. Ajo që më dukej thjesht si një melodi e zakonshme e shekullit 18 ishte një sërë zgjedhjesh shumë serioze artistike për të. Ai e dinte se çfarë duhet për t'u bërë një kompozitor i madh dhe kjo e bëri atë një interpretues dhe aranzhues të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Çeku, i cili ka bërë emër në kitarë përtej Kroacisë.
E ka lidhur Deshpalin edhe me kitarë, duke thënë se për fatin e madh të të gjithë kitaristëve, ai e donte kitarën dhe vendosi të bënte aranzhime të suitave për violonçel të Bachut e po ashtu edhe të sonatave për violinë.
“Më së shumti punoi në aranzhimet e suitave të çellos, sepse si violonçelist i njihte shumë mirë. Filloi t'i bënte në vitet '80, por pas dhjetëra rishikimeve, më në fund i publikoi në vitin 2012, për t'i rishikuar edhe disa herë më pas”, ka shkruar Çeku. E ka falënderuar Deshpalin publikisht për kontributin e tij në muzikë bashkë me ndihmesat që u ka dhënë kolegëve artistë.
“Faleminderit për gjithçka, Maestro! Do t'i ruaj përgjithmonë të gjitha mësimet e tua dhe do të më mungojë gjithmonë miqësia jote”, ka shkruar Çeku.
Një prej violonçelistëve me shumë nam, Luka Shuliq, që bashkë me kolegun e tij Stjepan Hauser njihen si “2Cellos”, po ashtu ka pasur vlerësim të lartë për Deshpalin.
Ka kujtuar se ishte student i Deshpalit në Akademinë e Muzikës në Zagreb nga mosha 15 deri në 19 vjeç. Atë kohë dhe mësimet e marra nga Deshpali i ka përshkruar si periudhën me ndikimin më të madh dhe kryesor në rritjen e tij si violonçelist, muzikant dhe njeri.
“Është e pamundur të thuash me fjalë se sa shumë ka bërë ai për mua dhe për të gjithë studentët e tij të shumtë. Trashëgimia e tij është e madhe dhe vazhdon të jetojë. Profesor i nderuar faleminderit për gjithçka dhe prehu në paqe!”, ka shkruar Shuliq.
Gjurmët e pazëvendësueshme në muzikën bashkëkohore
Nëpërmjet një komunikate Shoqata Kroate e Artistëve të Muzikës e ka përshkruar Deshpalin si një violonçelist të madh, pedagog, producent muzikor dhe mbi të gjitha një njeri të jashtëzakonshëm.
“Valter Deshpali spikati në të gjitha fushat muzikore me të cilat merrej. Si solist, muzikant dhome, profesor dhe autor i aranzhimeve të shkëlqyera për violonçel dhe kitarë mbi të gjitha, Deshpali la gjurmë të pazëvendësueshme në muzikën bashkëkohore kroate, evropiane dhe botërore”, shkruhet në komunikatë.
Pasditen e së hënës Familja Deshpali ka pranuar edhe një telegram ngushëllimi nga ministrja e Kulturës e Kroacisë, Nina Obuljen-Korzhinek. Sipas saj, trashëgimia e Deshpalit në kulturën kroate është e paçmuar.
“Të pikëlluar thellësisht nga lajmi për ndarjen nga jeta të zotëri Valter Deshpalit, kujtojmë me krenari talentin e tij madhështor muzikor, virtuozitetin në violonçel me të cilin ai pushtoi skenat në mbarë botën. Ai ishte një nga të paktët, nëse jo i vetmi, i diplomuar në akademitë amerikane dhe ruse në mes të periudhës së Luftës së Ftohtë – si në prestigjiozen ‘Juilliard’ në New York dhe konservatorin ‘Tchaikovsky’”, ka shkruar në telegram Obuljen Korzhinek. I ka shprehur ngushëllime familjes Deshpali në emër të Qeverisë së Republikës së Kroacisë. Nëpërmjet violonçelit ai dhuroi lojë të rrallë, si aranzhues bëri që veprat me nam botëror të jenë të prekshme edhe për instrumente si çello e kitara, kurse si profesor nxori studentë që sot janë emra të padiskutueshëm në muzikë. Valter Deshpali trashëgiminë e tij e ndërtoi për dekada, duke bërë që veprimtaria e tij të jetë një prej vulave përmbajtjesore në historinë e artit.