Kulturë

Ura e Lanetit humb “Urën e kaltër të dashurisë” që e bëri atraksion

Për gati 7 vjet u shndërrua në atraksion për qytetin e Prizrenit, por drynat me të cilët çiftet kyçnin dashurinë – pjesë e instalacionit “Ura e kaltër e dashurisë” – u larguan pa paralajmërim e pa ndonjë plan zhvendosjeje në tjetër vend. Komuna e Prizrenit e ka bërë këtë në kuadër të zbatimit të projektit për rigjenerimin urban të urave e brigjeve të Lumbardhit

Parmakët e Urës së Lanetit në Prizren kanë mbetur të zbrazët. Nga aty janë larguar rrjetat metalike, që mundësonin lidhjen e drynave nga çiftet si simbolizim i kyçjes së dashurisë së tyre, pjesë e instalacionit artistik “Ura e kaltër e dashurisë”. Në këtë urë, sikurse edhe në pikat e tjera, Komuna e Prizrenit do të zbatojë projektin për rigjenerimin urban të urave e brigjeve të Lumbardhit.

Largimi i këtij instalacioni është pritur me ndjenja të ndryshme nga qytetarët e Prizrenit. Përderisa në rrjetet sociale nga një pjesë e qytetarëve është përshëndetur largimi i drynave nga parmakët e urës, njëra prej kalimtareve të rastit ka theksuar se nuk është vepruar mirë pasi që ky instalacion ka shërbyer si atraksion për çiftet e reja.

"S’po më pëlqen hiç. Aty ka qenë një vendtakim, fotografoheshin të rinjtë. Një vendtakim i mirë ka qenë”, ka thënë kalimtarja e rastit, Vera Delhysa.

Për largimin e instalacionit artistik ka reaguar edhe organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, duke shprehur qëndrimin se do të ishte e udhës që të njoftohet bashkë me autoren e instalacionit, që brenda një afati të arsyeshëm kohor të realizojnë bartjen në ndonjë lokacion tjetër të përshtatshëm.

Image
“Ura e Kaltër e Dashurisë” ishte intervenim artistik i autores, Doruntina Ukimeri, që ishte realizuar në maj të vitit 2015 si pjesë e projektit “Aktivizmi kulturor dhe urban në Prizren”

“’Ura e kaltër e dashurisë’ ka qenë një instalacion artistik që është realizuar vite më herët, instalacion ky i cili e ka shndërruar edhe si pikë takimi për vizitorët që kanë ardhur në Prizren. Kështu që largimin e këtij instalacioni pa asnjë paralajmërim nga Komuna e Prizrenit, EC-i e ka konsideruar si jo të udhës, sepse të paktën është dashur që të tregohet pak konsideratë për punën e autores, si dhe të bëhet një njoftim në mënyrë që të bëhet bartja e instalacionit në një vend tjetër më të përshtatshëm”, ka thënë Nora Simitçiu nga “EC Ma Ndryshe”.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë, ditë më parë, gjatë fillimit të punimeve të projektit për rigjenerimin e brigjeve të Lumbardhit, tek Ura e Gani Tadës kanë bërë të ditur se me intervenimet në urat dhe brigjet e këtij lumi synohet kthimi i origjinalitetit të Prizrenit.

“Që nga fillimi në të gjitha këto ura dhe brigjet e Lumbardhit janë dizajnuar projektet nga arkitektët dhe tani po vjen faza e implementimit. Uroj që punimet të shkojnë ashtu siç janë planifikuar, do të jenë nën mbikëqyrjen e komunës, por edhe të ekspertëve nga KTK-ja dhe QRTK-ja, dhe besoj që do t’i kthehet pak më shumë origjinalitetit Prizreni dhe qendra historike e Prizrenit”, ka deklaruar kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Drynat e dashurisë kyçen në ura, gardhe apo instalime të ngjashme publike, si simbole të dashurisë mes çifteve. Bëhet fjalë për një zakon, që është aplikuar në forma dhe mënyra të ndryshme në ShBA, Francë, Britani, Gjermani, Rusi, Spanjë, Itali, Belgjikë, Zvicër, Kinë, Japoni e vende të tjera.

“Ura e Kaltër e Dashurisë” është intervenim artistik i autores, Doruntina Ukimeri, që ishte realizuar në maj të vitit 2015 si pjesë e projektit “Aktivizmi kulturor dhe urban në Prizren”, i zbatuar nga organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Autorja e kësaj vepre, Doruntina Ukimeri, vite më parë për KOHËN pati deklaruar se ideja për këtë intervenim ka lindur në bisedat me miqtë e saj dhe është frymëzuar nga fakti se Prizreni është qytet i dashurisë.

“Prizreni përveçse njihet si qytet me lum e me shumë ura, më së shumti është qytet i dashurisë. Njerëzit që jetojnë në Prizren e duan shumë këtë qytet; ata që janë larguar prej tij e adhurojnë; e ata që e kanë vizituar gjithmonë janë dashuruar në frymën e tij. Ideja ka qenë me e kriju një lidhje fizike me njerëzit që e kanë për zemër Prizrenin”, pati thënë Ukimeri, duke sqaruar se drynat e dashurisë lidhen në urat e qyteteve të ndryshme tash e një shekull, duke simbolizuar kështu lidhjen e zemrave.

“Kam menduar që Prizrenit më shumë se cilitdo qytet do t’i shkonte për shtat një urë e dashurisë, që do të mbante në krahët e saj jo vetëm drynat që lidhin zemrat e të dashuruarve, por edhe kujtimet që lidhen drejtpërdrejt me Prizrenin”, kishte deklaruar ajo.

Qëllimi i saj në këtë rast ka qenë krijimi i një pike takimi që i shtyn vizitorët të kthehen sërish në qytetin e vjetër. Ajo pati pohuar se rrjetat e vendosura në parmakët e urës janë lehtësisht të ç’montueshme dhe se në rast nevoje bashkë me drynat mund të lëvizen në ndonjë destinacion tjetër.

Për projektin e rigjenerimit urban të brigjeve të Lumbardhit, “EC Ma Ndryshe” ka reaguar edhe më parë duke kërkuar respektimin e kritereve që parasheh legjislacioni, si dhe përfshirjen e komunitetit.