Kulturë

Udhëtimi elegant në piano kulmon me impresionizëm

Fikja e dritave tashmë është bërë si ritual që të paralajmërojë vepra që luhen me mjeshtëri. E ka “reprizuar” edhe pianisti norvegjez me famë botërore Hakon Austbo në natën e tretë të “Chopin Piano Fest” të enjten mbrëma në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Qendrore Universitare. Vepra që hapi mbrëmjen qe “Polonaise Fantasie op. 61” e kompozitorit Frederic Chopin, të cilën ai e kishte shkruar për piano solo në vitin 1846, qe një dedikim, shkruan sot Koha Ditore.

Nga kritikët është vlerësuar për kompleksitetin harmonik dhe formën e ndërlikuar. Në repertorin e Austbos u pasua nga “Lyric Pieces op. 54" e Edvard Grieg në gjashtë pjesë të emërtuara “Shepherd Boy”, “Norwegian Peasant March”, “March of the Trolls”, “Notturno”, “Scherzo”, “Bell Rining” nga koleksioni i 66 pjesëve për piano të këtij kompozitori të publikuara në dhjetë vëllime që nga viti 1867 deri më 1901. Për dallim nga netët e kaluara që veprat luheshin pandërprerë, përfundimi i çdo vepre u shoqërua me ngritjen në këmbë të Austbos. Muzikë, interpretime, kulturë është moto e "Chopin...", e pikërisht ajo u ridëshmua me të.

Para pushimit të pjesës së dytë dy herë e kanë ritkhyer në skenë duartrokitjet e shumta të publikut. Ndërsa në pjesën e dytë janë luajtur veprat “Sonata no 10 op.70”, e kompozitorit Alexander Scriabin dhe “Miroirs” e Maurice Ravel në pesë kohë. Kjo suitë për piano është shkruar nga kompozitori francez Ravel mes viteve 1904-1905 dhe është performuar për herë të parë një vit më vonë. Secila nga kohët e veprës u kushtohet anëtarëve të grupit artistik avangard francez “Les Apaches” që përbëhej nga një grup të rinjsh me vizion, poetë, kritikë e muzikantë që ndryshe u janë referuar edhe si huliganët apo rebelët. Si shenjë mirënjohjeje për ta Ravel kishte filluar të kompozonte “Pasqyrat”. Megjithatë, ishte publiku kosovar që përveçse e kishte sjellë për herë të dytë në Kosovë me kërkesa të shumta, e sollën edhe në skenë për të luajtur jashtë programit veprën e kompozitorit Oliver Messiah “Noel” që ka referencën në teologji.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)