Kulturë

Transformimi arkitekturor i Prishtinës përballë humbjes së identitetit

Prishtinë, 6 dhjetor – Në një qytet jo fort të madh siç është Prishtina, s’duhet bërë shumë rrugë për ta deshifruar historinë e tij. Nëpërmjet një ecjeje nëpër lagjet qendrore, kalohet nëpër periudha të ndryshme historike.

Gjurmët e tyre i ka lënë arkitektura. Nxjerr në pah edhe ndërhyrjet e vrazhda në raport me të kaluarën. Në disa raste ajo është fshirë tërësisht. Qyteti u shndërrua në miks që rrezikon identitetin. Nëse ende nuk e ka humbur tashmë.

Arkitekti Arbër Sadiki ka thënë se situata duhet të jetë një alarm për vendin, pasi është treguar abuzues në trajtimin e arkitekturës dhe hapësirave. “Fundi i fundit, arkitektura është vetëm një manifestim i vullnetit në hapësirë, thotë një modernist i njohur”, ka thënë ai.

Për arkitekten Florina Jerliu, të gjitha vendbanimet e Kosovës vazhdojnë të mbeten në margjinat e diskutimit lidhur me zonat e tyre historike. E, arkitekti Bekim Ramku konstaton se faji mund të jetë jetim, por është edhe i të gjithëve. “Në fakt, nuk kemi pasur kurrfarë kontrolli pas luftës”, ka thënë ai.

Zhbërja e bërthamës së qytetit bashkë me kujtesën

Bërthama kryesore e qendrës u zhbë pas Luftës së Dytë Botërore. Maksima e pushtetit socialist – “Rrëno të vjetrën, ndërto të renë!” – e la Prishtinën pa pjesën qendrore. Zona e parë e qytetit deri në Luftën e Dytë Botërore kishte stil oriental. E pushteti i ri pas vitit 1945 e transformoi krejt atë që sot është bulevardi “Nëna Terezë”. Shpejt iu dha një pamje tjetër.

Çarshia e Vjetër është zëvendësuar me ndërtesat ku sot zënë vend institucionet më të larta të vendit. Por, në Çarshi nuk pësoi vetëm arkitektura.

“Për dallim, le të themi nga qendrat e tjera që humbën diçka nga bërthamat e tyre historike, Prishtina humbi edhe njerëzit e saj. Ky është problemi, sepse u humb kujtesa bashkë me qytetin, me Çarshinë. Humbi një copë e madhe e kujtesës për qytetin”, ka thënë ai.

Tash zona e vjetër e qytetit, me krejt problemet që ka, paraqet një stil tipik mesjetar, otoman, me Hamamin, Kullën e Sahatit dhe xhamitë.

Shenjat e jetës qytetare që bëhej nën Perandorinë Osmane identifikohen me rrugicat e ngushta, dyqanet në të dyja anët, e kalldrëmi që sot është i pakët. Kjo zonë përditë humb edhe ato pak gjurmë të së kaluarës. Edhe kur u tentua, restaurimi rezultoi me shkatërrim. Si shembulli i Hamamit të Madh të Prishtinës, 500 vjet i vjetër, që tash duket si objekt i ri. U betonua në emër të restaurimit.

“Që ta ruajmë zonën e vjetër të qytetit ne duhet të kemi angazhim. Por, jo vetëm angazhim në kuptimin teknik e operativ. Mendoj se problemi kryesor sa i përket qytetit të vjetër të Prishtinës është ruajtja e kujtesës dhe evidentimi i historiografisë së zhvillimit të qytetit”, ka thënë arkitektja Jerliu.

Por, edhe ata që këtu e pesë shekuj më parë ndërtuan a dhanë urdhër për ndërtime, e zhbënë atë që gjetën aty. Kjo dëshmohet sa herë gërmohet në këto anë.

Image

Korzoja e Prishtinës, sot bulevardi “Nënë Tereza”, më 1959

Tjetërsimi i objekteve ikonike të viteve ‘70

Përreth asaj që njihet si “Prishtina e Vjetër” socializmi la gjurmët e veta. Modernizimi, si rrymë e re e arkitekturës, në ish-Jugosllavi erdhi më vonë. E në Kosovë tek pas viteve ’60. Brutalizmi i shquar me masivë betoni u bë shenja dalluese edhe për objektet e reja të asaj kohe.

“Akoma u referohemi ndërtesave të viteve ’70, kur ka qenë, ndoshta, kulminacioni i pjekurisë kulturore të Prishtinës. Sot, pas kaq vitesh, mund ta themi këtë. Edhe pse shpesh e kemi mbajtur ndër gjuhë dhe nuk kemi dashur ta pranojmë, por sot, lirisht, nëse i referohemi arkitekturës, ajo manifeston që të arriturat më të mëdha kulturore e shoqërore ne i kemi pasur pikërisht në ato vite”, ka thënë Sadiki.

Ndërtesa e sotme e Kuvendit, ajo e Qeverisë, ish-Pallati i Shtypit, “Rilindja”, u bënë ndërtesat ikonike të viteve ’70 dhe ’80. Ashtu sikurse edhe Biblioteka Kombëtare e Kosovës, “Boro e Ramizi”, sot Pallati i Rinisë dhe Sporteve, e Hoteli “Grand”.

Por, shumicës iu humb origjinaliteti në dy dekadat e fundit. U veshën me llamarinë.

Image

Ish-objekti i “Rilindjes”, tash ndërtesë qeveritare e veshur me llamarinë, e ka humbur origjinalitetin, ashtu sikurse pjesërisht edhe “Grandi” e Pallati i Rinisë dhe i Sporteve    

Image

Tash zona e vjetër e qytetit, me krejt problemet që ka, ruan disa prej objekteve të moçme, si xhamitë e Kullën e Sahatit

Rasti i Bibliotekës dhe qasja joserioze ndaj trashëgimisë

E projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, Biblioteka Kombëtare e Kosovës i ka mbijetuar tjetërsimit. Ka mbetur si identifikim i arkitekturës së kohës kur u ndërtua.

Arkitekti Bekim Ramku e ka hulumtuar procesin e ndërtimit të objektit. E ka promovuar edhe ndërkombëtarisht. Pos arkitekturës – shkrirje e elementeve moderniste, bizantine e otomane – ndërtesa me 73 kupola zbërthen një pjesë të historisë, jo vetëm të Kosovës.

“Ky është objekti i parë i Universitetit të Prishtinës dhe objekti që është dashur ta simbolizojë dijen apo hapjen e popullit shqiptar për edukim në ish-Jugosllavi dhe besoj që njerëzit janë shumë të lidhur emotivisht me të”, ka thënë Ramku.

Jo të gjitha ndërtesat patën fatin e Bibliotekës. Vrazhdësia ndaj së kaluarës erdhi në pah pas një lufte tjetër. Asaj të viteve 1998-1999. Këto objekte, nga jo pak veta në pushtet, nisën të konsideroheshin si diçka që nuk paraqiste vlerë.

Pallati i Shtypit, “Rilindja”, e humbi pamjen fillestare të projektuar nga arkitekti maqedonas Georgi Konstatinovski. Tani, objekti dikur i mediave tash qeveritar, është i shpërfytyruar.

“Mendoj që të njëjtin gabim që e ka bërë qasja radikale pas Luftës së Dytë Botërore e kemi bërë edhe ne pas luftës së fundit më 1999. Ne kemi filluar që krejt këtë trashëgimi, e cila në shumicën e rasteve është zhvilluar në nivele të jashtëzakonshme të arkitekturës moderne të kohës që po flasim, e kemi trajtuar si një mbetje e Jugosllavisë, e cila nuk na përket neve”, ka konstatuar arkitekti Arbër Sadiki.

Edhe një prej hoteleve më të njohura të kohës në Prishtinë, “Bozhuri”, u transformua për t’i hapur rrugë një kiçi arkitekturor.

Pas luftës u tentua që të ndërtohen disa objekte të reja, siç është Biblioteka Universitare e Kosovës. Edhe ajo një shembull i keq.

Situata nuk është më e mirë as në qytetet e tjera. Përjashtim bën Prizreni, ku deri diku është ruajtur bërthama e qytetit. Ritmi aktual i ndërtimeve, sipas arkitektëve, është i rrezikshëm.

“Ne sot nuk kemi ndërtesë që manifeston të arriturën tonë të vitit 2000, edhe pas 20 vjetëve. Dhe kjo tregon për joseriozitetin që kemi pasur ndaj arkitekturës”, ka thënë Sadiki.

Kaosi që ka marrë hov flet shumë. Edhe më shumë do të flasë në të ardhmen. Sepse edhe arkitektura është pasqyra e një shoqërie.

Image

E projektuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq, Biblioteka Kombëtare e Kosovës i ka mbijetuar tjetërsimit. Ka mbetur si identifikim i arkitekturës së kohës kur u ndërtua

Image

Pas luftës u tentua që të ndërtohen disa objekte të reja, siç është Biblioteka Universitare e Kosovës. Edhe ajo një shembull i keq