Kulturë

“Top Girls” në revoltë ndaj padrejtësive në sistemin patriarkal

Shtizat i vijnë nga çdo anë: dikujt në familje, dikujt në shoqëri e dikujt nga vetë partnerët. Por sinonim i çdo fati të gjashtëshes është përballja me sistemin patriarkal. Personazhet i ngjajnë titullit të shfaqjes. Ato janë “Top Girls”. Nën regji të Shkurtë Aliut, e tekst të Caryl Churchill, premiera e shfaqjes në teatrin “Dodona” i dha zë revoltës së grave, të cilat sfidohen në çdo hallkë të jetës

Jeta e secilës i ngjanë një shiriti filmik. Kujtesa stacionohet gjithmonë te dhimbjet. Ajo pjesë lëshohet në reprizë për disa herë. Plagët e së shkuarës ndikojnë në të ardhmen. Ndërkaq në të tashmen, ato i kujtojnë me gjakftohtësi e humor të zi. Në një tavolinë ato i rrëfejnë krejt vështirësitë e jetës. Secila ka diçka për të rrëfyer dhe një dimension jetësor të pajetuar. Mbajnë të fshehur plot ëndrra të thyera, shpresa të këputura e të pathëna. Shtizat i vijnë nga çdo anë: dikujt në familje, dikujt në shoqëri e dikujt nga vetë partnerët. Por sinonim i çdo fati të gjashtëshes është përballja me sistemin patriarkal.

Personazhet i ngjajnë titullit të shfaqjes. Ato janë “Top Girls”. Nën regji të Shkurta Aliut, e tekst të Caryl Churchill, premiera e shfaqjes në teatrin “Dodona” i dha zë revoltës së grave të cilat sfidohen në çdo hallkë të jetës.

Marilyn (Donikë Ahmeti) është personazhi që e sundon të gjithë rrëfimin. Për hir të karrierës, rrëmben gjithçka nga vetja. Humb edhe veten, vajzën e familjen duke e braktisur vendin e saj. Por në fund nga grupi i mikeve të saj është e vetmja grua që i përmbush ëndrrat profesionale, duke u bërë drejtoreshë ekzekutive në institucionin ku punon.

Ndryshe nga ajo, Joana (Molikë Maxhuni) duhet të heqë dorë nga natyra femërore e saj. Për t’u bërë papa i vendit, ajo detyrohet të maskohet si një mashkull dhe në fillim veten, e pastaj të tjerët t’i gënjejë në një vend ku gratë nuk lejohen të mbajnë pozita. Ndërkaq e tëra u rrënohet kur papritmas lind një fëmijë dhe shkarkohet nga posti.

Nexho, e cila vjen nga një kulturë japoneze, (Zhaneta Xhemajli) është gruaja e perandorit, i cili respektohet si i “madhërishmi” që ka në duar çkado. Njësoj vepron edhe me trupin e saj. Pamëshira ndaj nënave që lindin vajza, e detyron Nexhon që ta humbasë foshnjën për të mos e parë më kurrë. Ndërkaq një ditë kur kryhet riti mbi gratë e perandorit, që ato të lindin djem, ajo revoltohet, e godet perandorin dhe përjashtohet nga ky sistem jetese.

Rob i burrit të saj është edhe Griselda (Zana Berisha), të cilën e rrëmben në moshën 15-vjeçare princi. Ajo vetëcensurohet me idenë e nënshtrimit ndaj burrit. Shuplakë për mirësjelljen e saj ka përjashtimin e rikthimin në martesë sa herë të dojë ai.

Më e heshtura nga to është Greta (Blerta Gubetini), e cila deri nga fundi i shfaqjes s’bën zë për historinë e saj. Ajo përballet me tmerrin e luftës, që përveç dëmeve materiale, e pëson edhe emocionalisht. Masakrimi i familjes, djalit e vajzës, e bën të çmendet në pafajësinë e një nëne. Por aty merr guximin që të luftojë bashkë me gratë e tjera ndaj agresorëve.

Ndërkaq ajo që shijon lirinë e një gruaje në një periudhë të lejimit të çdo gjëje veç për burrat, në kohën viktoriane, është Isabela (Vjosë Tasholli). Pavarësisht rregullave të kohës, ajo del nga prizmat gjykues dhe shëtit botën duke parë popuj e kultura të ndryshme.

Image

“Top Girls” ia del ta zhvendosë rrëfimin në kontekstin e Kosovës, por në esencë ajo dëshmon se patriarkati është problem global (Foto: Esad Duraki)


Regjisorja Shkurta Aliu tregon se në momentin që ka pranuar inskenimin e tekstit të përzgjedhur nga “Artpolis”, është detyruar ta reduktojë atë. Pas ka mbetur veç 60 për qind e përmbajtjes, teksa ajo ka shtuar lidhjen dramaturgjike e skenike.

“Janë gjashtë personazhe të cilat i shpjegojnë sfidat e njëra-tjetrës për t’i arritur synimet e tyre. Emëruesi i përbashkët është sistemi patriarkal, pengesat dhe sakrificat që i kanë pasur secili në mënyrën e vet, pavarësisht rrugës që kanë zgjedhur”, ka thënë ajo.

Njëra nga skenat ngre pikëpyetje për mënyrën e trajtimit të grave. Është pikërisht momenti i marrjes së postit të drejtoreshës nga Marilyn, e cila fton në intervistë aplikantet e tjera. Pyetjet të cilat ua shtron paraqesin mënyrën se si trajtohen gratë në karrierë, shpesh edhe nga vetë gratë.

“Marilyn edhe në fund të skenës e ka një problem që ndihet pak e zhgënjyer sepse e ka lënë vajzën. Është dashur jetën private, familjare me e lënë anash për jetën profesionale, jo që kjo ka dashur, por sistemi ashtu ka qenë, që nga diçka duhesh me heqë dorë”, ka thënë Aliu.

Kjo skenë pikërisht paraqet edhe trajtimin vendor nëpër intervista të ndryshme.

“(Skena) tregon se çka kërkohet në intervista nga gratë. I kam shkurtuar, i kam nxjerrë disa fjali që shumica e grave e dëgjojnë në çfarëdo kompanie që shkojnë”, ka thënë ajo, duke aluduar te martesa si pengesë profesionale, mosha dhe pamja e grave.

Në anën tjetër Donikë Ahmeti, personazhin që i dha jetë e cilëson si antifeministe në disa drejtime.

“Unë e shoh Marilynën si një grua që e ka parë mënyrën e vetme drejt suksesit që duhet me mohu veten e vet personale, për me arritë karrierë. Nuk është aq feministe, është antifeministe. Unë si grua jam nënë e dy fëmijëve, çikën e vogël e kam gjashtëmuajshe, jam e rrethuar nga një sistem feminist dhe dy familjet tona që ma mundësojnë të bëj edhe karrierë”, ka thënë ajo.

Mirëpo secilën prej tyre i vlerëson si gra revolucionare, për shkak se kanë bërë diçka në kohën kur gratë s’kanë pasur fare të drejta.

“Njëfarë mënyre kanë bërë revolucion, te Nixho ajo e ka goditur perandorin se s’ka pranuar të goditet më. Te Izabela kanë udhëtuar në një kohë kur kanë udhëtuar veç burrat. Secila prej tyre i ka thyer barrierat e kohës, por njëfarë mënyre jeta e tyre ka qenë”, ka thënë Ahmeti.

Aktorja tjetër Zhaneta Xhemajli e ka cilësuar shfaqjen si mundësi për ta shprehur një ndjenjë, që më parë s’ka ditur si t’i japë zë.

“Tema është e grave të kulturave të ndryshme, por që me reduktim të tekstit jemi munduar ta afrojmë me hallet tona të kësaj kohe. Qysh gratë ballafaqohen me patriarkatin, me ekzistu, me plotësu ëndrrat e kërkesat e tyre”, ka thënë Xhemajli.

Blerta Gubetini ka thënë se e tërë shfaqja është luftë ndaj patriarkatit, nëpërmjet grave që bëjnë revolucion.

“Secili proces i shfaqjes është shumë i ndjeshëm, por ka edhe sfida. Këtë shfaqje unë më herët s’e kam lexuar. Kur e kam lexuar, e kam parë që po paska ekzistua Nixho, secili karakter që ka ekzistuar, është interesante me hy në këpucët e atij karakteri”, përfundon Gubetini.

Dramaturgu e regjisori Fadil Hysaj ka thënë se nëpërmjet shfaqjes kuptohet se patriarkati s’është prezent veç në Kosovë.

“Shfaqja, përtej emocionit, ka edhe disa shtresa që na bëjnë të mendojmë e kuptojmë që përjetimi i femrës është megjithatë një problem global dhe që ka rrënjë të hershme dhe është vështirë me u zhdukë, qoftë edhe me aktivizëm dinamik në komunitet”, ka thënë ai. “Na bëjnë me kuptu se jetojmë në një botë mosmirënjohëse në relacion me femrën prej së cilës lind jeta, e që mostrajtimi i mirë i saj e degjeneron krejtësisht një shoqëri edhe i bën keq edhe burrit”.

Shfaqja “Top Girls” është bashkëproduksion i qendrës “Artpolis” me teatrin “Dodona”.