Pasionin e tij ndaj shkencës, Shkamb Jaka e ka bartur në art. Einsteini qe shkëndijë e një zhytjeje teorish ekzakte, për të dalë prej aty nëpërmjet relativitetit të artit. “Gjithmonë kam qenë i interesuar nga eksperimentet më të çuditshme dhe që i thyejnë ligjet e realitetit”, thotë Jaka. Veprat e tij nxitin kureshtjen, shtrojnë pyetje. Thënia e babait të Teorisë së Relativitetit bëhet titull ekspozite, por edhe pikënisje e një rrugëtimi paralel midis shkencës e artit
“Nëse gjithçka do të kuptohej në shikim të parë, nuk do të kishte nevojë për art e as për shkencë”, thotë prerazi artisti Shkamb Jaka dhe dëshmi e kompleksitetit dhe thellësisë së kësaj u bë ekspozita “Spooky action at a distance”, e hapur të premten në galerinë “Paper” në Prishtinë.
Për dallim nga herët e tjera, muret e kësaj galerie kumbuan me dimensione të veçanta të frymëzimit krijues.
“Gjithmonë kam qenë i interesuar nga eksperimentet më të çuditshme dhe që i thyejnë ligjet e realitetit”, thotë studenti i Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës.
Ndryshe nga ekspozitat e tij të mëhershme, finalisti i çmimit “Artistët e së nesërmes”, pasionin e tij ndaj shkencës e ka bartur në art, duke e bërë një kombinim mes asaj çfarë mendon dhe çfarë ndjen.
Përpikëria në dimensione artistike
Emërtimin e kësaj ekspozite, autori nuk dëshiron ta përkthejë në shqip, mirëpo ta ruajë autenticitetin e kuptimit në gjuhën prej ku ishte dëgjuar për të parën herë titulli. Si një admirues i shkencës, Jaka idenë e ka marrë nga babai i fizikes, Albert Einstein.
“Polemikat” mes tezave shkencore nëse drita është valë apo është grimcë kishin ngjallur konfuzion tek Einsteini, i cili kishte qenë edhe autor i këtij titulli që shumë vite pas jetësohet në formën e ekspozitës.
“Ekspozita quhet ‘Spooky action at a distance’ dhe ka lindur nga fjalia që e ka thënë Einsteini kur nuk ka mundur ta perceptojë një eksperiment, i cili ia ka thyer ligjet e tij”, ka thënë Jaka.
Pikturat e tij mes kombinimit të ngjyrave e formave përbëjnë trininë e shkencës, artit dhe të teknologjisë. E para vjen si frymëzim, e dyta si krijim, ndërkaq e treta si model fillestar pune.
“Kur filloi koha e pandemisë mbeta pa mjete punuese dhe fillova të bëj disa punime digjitale. Kur e pashë eksperimentin ‘Efekti i Kashmirit’, ma ngjalli dëshirën t’i bëj ato punime të prekshme”, rrumbullakon Jaka hapat e parë të produktit final, ekspozitës.
“Fresh Cut”, “Broken Fetus”, “Reflected Reality” dhe “Frozen Thoughts” janë veprat që panë dritën e shndërrimit në piktura fizike, pas krijimit fillestar me metoda digjitale.
Ende pa i parë me sy, emërtimi i tyre i jep sinjal mesazhesh publikut.
“Emërtimi i pikturës përshkruan një objekt që gjendet në pikturë”, shprehet ai, duke shtuar se mund të tingëllojnë paksa absurde.
Ajo që bie në sy është përsëritja e elementeve, të cilat aq sa e bëjnë të veçohet një pikturë nga tjetra, aq edhe e përafron nga dukja. Një ndër ta është spiralja shumëngjyrëshe, për të cilën autori thotë se është krijim artistik i teorisë së multiversit.
Fytyrat njerëzore shfaqen në dy forma, njërën si një “grafikë digjitale”, në tjetrën si fytyrë njerëzore. Mirëpo, te secila prej tyre ka një mungesë.
“Arsyeja pse është fytyra digjitale dhe ju vërehen vetëm sytë, është se drita shndërrohet në grimcë vetëm kur obserbohet. Është fytyra pa sy, sepse kur nuk e obserbojnë shndërrohet në valë dhe kjo është mënyra normale e funksionimit të saj”, tregon Jaka.
Kureshtja si pikënisje
Kur flet për qëllimin e ekspozitës autori bëhet fjalëpak. Por, me atë çfarë thotë bën thirrje për shumëdimensionalitet njohjesh.
“Është të zgjohet një interesim për shkencë, nuk do të thotë artistët të jenë vetëm (nga ana) e artit. Duhet të zgjerohemi dhe t’i prekim disa fusha”, konkludon ai.
Në anën tjetër, pikërisht kjo veçanti kishte qenë edhe arsyeja e bashkëpunimit të galerisë “Paper” me artistin Shkamb Jaka.
“Shkambi e ka një stil shumë të veçantë të pikturave, sidomos koncepti na ka pëlqyer shumë”, ka thënë koordinatorja Rina Statovci.
Për bashkëpunimin që kishte nisur në vitin 2020 e deri te finalizimi me një ekspozitë, Statovci shpreh një dëshirë.
“Kemi menduar që është diçka interesante dhe do të tërheqë vëmendjen e publikut për një artist si Shkambi”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, mikja e studimeve, Aida Radoniqi, thekson se kolegu i saj nëpërmjet kësaj ekspozite ka kultivuar artin bashkëkohor.
Nga të gjitha krijimet e tij, ajo veçon një.
“Piktura ‘Frozen Thoughts’ shihet si një kontrast mes ngjyrës vjollcë dhe gjelbër, një labirint që vjen si një kompozicion, tregon për pjesën e copëzave që gjenden në univers. Kjo flet më së miri për ndërlidhjen me artin dhe shkencën që e bën Shkambi”, ka thënë Radoniqi.
Ekspozita “Spooky action at a distance” do të vazhdojë të “gjykohet” nga syri i publikut në galerinë “Paper” deri në fund të këtij muaji.