Ekspozita “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës” në ditën e katërt të “Javës së Bibliotekës në Kosovë” ka nxjerrë në publik edhe librin më të vjetër që ka ky institucion, “Nga princat dhe zotërinjtë më të guximshëm dhe më të denjë, Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbeu, Duka i Epirit dhe i Shqipërisë”, të vitit 1533, përderisa diskutimet janë zhvendosur në kohën e tashme, duke përfshirë temë përherë aktuale si e drejta e autorit në epokën digjitale
Vepra më e vjetër që ruhet në fondin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është e vitit 1533. “Nga princat dhe zotërinjtë më të guximshëm dhe më të denjë, Gjergj Kastrioti i quajtur Skënderbeu, Duka i Epirit dhe i Shqipërisë”, është vepra kolosale që tregon betejat, në të cilat ai luftoi me Perandorinë Osmane për t’i ruajtur tokat e tij.
Është madje në gjendje goxha të mirë. Të enjten është ekspozuar në hollin e BKK-së, si pjesë e një ekspozite të veçantë kushtuar librit e shtypit, krahas librave të tjerë të vjetër shqip, dorëshkrimeve të vjetra shqipe, dorëshkrimeve orientale, hartave, fotografive dhe librave muzikorë të botuar brenda dhe jashtë vendit.
Në kuadër të “Javës së Bibliotekës në Kosovë”, ekspozita ngërthen materiale ku dallohen themelet e historisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Para se të hapet ekspozita, në amfiteatrin e vogël të BKK-së është promovuar katalogu “Thesare të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës” që krahas librit më të vjetër që ka në fond, përfshin edhe vepra, si: “Contareni” – 1573, nga Plutarku, libri “Jetë e fisnikeve grek dhe romak” – 1657, librat si: “Erveheja”, i shtypur në Bukuresht më 1888, “Mirëvetja” prej I. Vretosë më 1886, në Bukuresht, “Abetare e gjuhësë shqip” më 1900, në Bukuresht, “Bagëti e bujqësia“ më 1910, në Selanik, “Anxat e Parnasit” e 1907-s në Sarajevë dhe shumë botime të tjera që tregojnë kontributin e shqiptarëve me penë e me mendime.
Ekspozita dhe promovimi i katalogut i kanë paraprirë tryezës që rrokin çështje të kohës: ajo në temën “E drejta e autorit dhe bibliotekat”.
Libri dhe fjala e shkruar – armë të identitetit
Gjatë prezantimit të këtij katalogu, Blerta Krasniqi, konservatore dhe restauruese në Divizionin e Koleksioneve të Veçanta pranë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ka treguar se ekspozita ka për synim shpalosjen e trashëgimisë së shtypit shqiptar që pasqyron rrjedhën e historisë.
“Kjo ekspozitë sjell trashëgiminë tonë të përbashkët, ku përmes tyre ne kuptojmë rrugëtimin tonë historik e kulturor, ku synohet që të shpalosë trashëgiminë e pasur të shtypit shqiptar si një pasqyrë e historisë kombëtare, ku shihet roli i mërgatës shqiptare në ruajtjen e gjuhës dhe të kulturës, dhe dëshmohet mendimi politik, kulturor dhe letrar i shqiptarëve ndër shekuj plot sfida. Ju kujtojmë se libri dhe fjala e shkruar kanë qenë gjithmonë arma më e fuqishme në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar”, ka thënë ajo.
Pjesë e katalogut dhe ekspozitës janë edhe numra nga gazetat dhe revistat si “Dituria” (1884, Konstandinopol), që është një nga revistat më të hershme të kulturës shqiptare, “Drita” (1884, Konstandinopol) si organ i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare, “Ylli i Shqiperise” (1899, Bukuresht) si pasqyrë e jetës së diasporës shqiptare, “Dielli” (1913, Boston) që ishte gazetë e kolonisë shqiptare në SHBA, me ndikim të madh politik dhe kombëtar.
Katalogu është realizuar pothuajse nga të gjithë punonjësit e Divizionit të Koleksioneve të Veçanta, ndërsa përshkrimi bibliografik dhe redaktimi është bërë nën përkujdesjen e shefes së Bibliografisë, Shkëndije Pajaziti.

E drejta e autorit në epokën digjitale
Bibliotekat nuk janë vetëm depo të librit, por edhe kujdestare të së drejtës së autorit. Krijuesit kanë nevojë për garanci që puna e tyre nuk do të shpërndahet pa leje, ndërsa lexuesit kanë të drejtë ta prekin dijen që u përket të gjithëve. Kështu, në vazhdën e aktiviteteve të “Javës së Bibliotekës” është mbajtur një tjetër tryezë diskutimi që ka vënë në qendër një temë delikate, që është edhe shumë aktuale: “E drejta e autorit dhe bibliotekat”. Përfaqësues të institucioneve, autorë e njohës të ligjit kanë diskutuar mbi mënyrat se si biblioteka publike mund të ruajë balancën mes mbrojtjes së krijuesve dhe qasjes së lirë në dije.
Moderuar nga Lavdie Mani e BKK-së, e para ka nisur të flasë Zjarrta Osmani, njohëse e fushës së drejtësisë dhe përfaqësuese nga Zyra për të Drejtat e Autorit në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Ajo ka shpjeguar se përkundër të drejtave që u takojnë autorëve mbi kontrollin e veprave të tyre, politika botërore ka vendosur edhe disa kufizime dhe përjashtime, ku hyn edhe vetë roli i bibliotekës. Ka theksuar se Ligji për të drejtat e autorit është ndër më të ndryshueshmit në botë. Arsyeja, sipas saj, është e qartë.
“Ligji i cili ndryshon më së shpeshti është ai për të drejtat e autorit, se gjithmonë duhet të ketë një përgjigje për hovin e madh të teknologjisë dhe zhvillimin që ndodh në epokën digjitale. Risitë që ka sjellë ky ligj dhe që prek misionin e Bibliotekës dhe e bën më të lehtë veprimtarinë e saj, përkundër të drejtave ekskluzive që kanë autorët mbi kontrollin e veprave të tyre për shitjen, dhënien si hua e riprodhimin e saj, në anën tjetër, politikëbërësit në mbarë botën kanë menduar që këtyre autorëve, përveçqë po ua japim këto të drejta në kontroll, duhet t’i kenë edhe disa kufizime dhe përjashtime, në këtë rast vjen biblioteka”, ka thënë ajo.
Në këtë mënyrë, sipas saj, biblioteka shndërrohet në një hapësirë ndërmjetëse, as pronare, as shfrytëzuese pa kufi, por “kujdestare e një pasurie të përbashkët”.
Shkrimtari dhe publicisti, Nazmi Rrahmani, ka kujtuar një periudhë tjetër, kur të drejtat e autorëve kishin një sistem më të qartë administrimi.
“Çështja e së drejtës së autorit është shumë komplekse dhe kërkon angazhim jo vetëm të botuesve, jo vetëm të bibliotekave, por edhe të shumë sektorëve të tjerë që kanë të bëjnë me këtë çështje. Po flas prej së kaluarës, kur ka ekzistuar një agjenci e autorëve, e cila është marrë me sigurimin e të drejtave të autorit, qoftë jashtë apo brenda vendit dhe në marrëveshje me botuesin ka siguruar kontratën me autorë dhe atë kontratë ia kanë dorëzuar agjencisë së autorëve, që ajo edhe juridikisht të merret me këtë çështje”, ka kujtuar ai.
Situata sot, thotë se është më e ndërlikuar. Pjesa më e madhe e librave që botohen në Kosovë financohen nga vetë autorët. Ka vënë në dukje gjithashtu se, në rastin e përkthimeve apo librave të huaj, e drejta e autorit zakonisht respektohet, përmes kontratave me agjenci ndërkombëtare apo direkt me botuesin. Por për letërsinë shqipe mbetet ende një boshllëk, që ai e quan “mungesë e një mekanizmi që i mbron realisht autorët vendës”.
“Të flitet sot për të drejtën e autorit, pa e pasur parasysh edhe gjendjen e librit, pa e pasur parasysh gjendjen e shfrytëzimit të librit në forma dhe mënyra të ndryshme, mendoj se është pak e vështirë të kanalizohet kjo çështje”, ka thënë ai duke nënvizuar se pjesën më të madhe të librave që botohen sot në Kosovë e financojnë autorët.
“Një prej problemeve kryesore është çështja e vetëfinancimit, tani edhe mundësitë teknike kanë bërë të mundshme që librat të botohen me tirazhe të vogla, 10 ose 20 copë, dhe nuk ka mundësi që të sigurohet kurrfarë e drejte ose e boton vetë autori. Mendoj se sa i përket librit të huaj, kryesisht sigurohet e drejta e autorit nga të gjithë botuesit në Kosovë. Ajo e drejtë sigurohet me anë të kontratave dhe lidhjeve, qoftë me agjencitë e autorëve që ekzistojnë në vende të ndryshme, ose përmes botuesve apo përmes vetë autorit”, ka shtuar Rrahmani, i cili është edhe drejtor i shtëpisë botuese “Faik Konica”.
Digjitalizimi si mundësi dhe si rrezik
Nga diskutimet e kësaj tryeze del një dilemë: se si të ruhet ekuilibri mes nevojës për qasje të lirë në dije dhe së drejtës së autorit për mbrojtje të veprës. Epoka digjitale e ka bërë librin të shumëfishohet me shpejtësi marramendëse. Sipas tyre, një kopje elektronike mund të qarkullojë në mijëra duar në pak sekonda, kjo i shërben dijes, por e sfidon drejtësinë.
Juristi Halil Kurmehaj ka sjellë në diskutim dimensionin e digjitalizimit. Ai ka theksuar se krijimi i standardeve për ruajtjen e të drejtave të autorit është thelbësor, sidomos në procesin e digjitalizimit të fondit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ka shtuar se duhet ndërtuar një manual që përcakton qartë si ruhet e drejta e autorit në Bibliotekën Kombëtare. Vetëm kështu, sipas tij, digjitalizimi mund të shërbejë si mjet i studimit dhe avancimit, pa e dëmtuar autorin.
“Çështja e krijimit të një prej qasjeve dhe mundësive të përfshirjes është çështja e digjitalizimit, ku edhe grupet e cenueshme, përkatësitë aftësia e kufizuar ka një përfitim në këtë proces, por pa e cenuar të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale të autorëve, kështu që besoj që shumë shpejt, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe akterë të tjerë relevantë të krijojmë një standard, përkatësisht një udhëzues se si BKK-ja ruan të drejtën e autorit, të krijohet një pavarësi mes së drejtës së autorit dhe të drejtave të tjera të përafërta, me qëllim të shfrytëzimit sa më të mirë për studim dhe avancim të mëtutjeshëm politik dhe shoqëror”, ka thënë Kurmehaj, që është edhe këshilltar politik.
Mirëpo juristi Florin Lata, pjesëmarrës tjetër në tryezë, e ka shprehur me tone më të kujdesshme optimizmin për këtë proces. Ka theksuar faktin se, në praktikë, shkeljet e së drejtës së autorit janë të zakonshme dhe se zbatimi i ligjit shpesh mbetet i vështirë. Për të gjetur një zgjidhje afatgjatë është propozuar krijimi i një shoqate për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit në fushën e librit.
“Unë besoj që digjitalizimi i fondit të librave të Bibliotekës do të jetë një proces me plot rrezikshmëri ligjore, për shkak se për t’u funksionalizuar e drejta e autorit, duhet të funksionojë sistemi. Qysh të merremi me bibliotekën, që është dashur të jetë e fundit ndoshta, kur secili e shkel të drejtën e autorit. Për ta bërë një zgjidhje, Ministria edhe ka mbledhur disa herë akterë të fushës së librit, duhet të krijohet edhe këtu një shoqatë për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit në fushën e librit. Shoqata licencohet prej Ministrisë, një pjesë të kompetencave ia jep ajo në bazë të ligjit që ta menaxhojnë të drejtën e autorit dhe ata hyjnë në negociata me shfrytëzues. E shfrytëzues jeni ju, Biblioteka”, ka thënë ai.
Pasditen e së enjtes është mbajtur po ashtu një aktivitet letrar. Me temën “Nëpër veprën e Martin Camajt: lexim e diskutim në vitin e 100 të lindjes së poetit”, Anton Nikë Berisha ka folur për rëndësinë e figurës së tij në letërsinë shqipe. Është analizuar e diskutuar vepra e Camajt, është paraqitur intervista arkivore e tij dhe ka pasuar edhe një lexim poetik nga veprat e tij më të njohura.