Brad Parks e nisi karrierën si reporter dhe më vonë punoi për “Newark Star-Ledger”. Ai tanimë ka shkruar nëntë novela dhe ka fituar çmimet “Shamus”, “Nero” dhe “Lefty” për libra të zhanrit krim-fiksion.
Libri i tij triler “Say Nothing”, i botuar më 2017, ishte i mbushur me komplote, ama ai më i fundit “The Last Act” mund të jetë më i miri i tij.
Libri ngërthen rrëfimin tepër të pamundshëm ama tejet rrëmbyes të një burri që nuk i nënshtrohet ligjit, i cili përfundon në burg për ta rrëzuar një bos droge. Tommy Jump kishte qenë i suksesshëm në aktrim si fëmijë, por në moshën 27-vjeçare shihej si tepër i rastësishëm dhe shtatshkurtër për ta fituar ndonjë rol të mirë.
Kësisoj urgjentisht i nevojitet një vend pune, pjesërisht për shkak se e dashura e tij e adhurueshme, Amanda, ngelet shtatzënë. Papritmas, një shok nga shkolla e mesme, Danny Ruiz, tani agjent i FBI-së, i bën një ofertë të çuditshme, por joshëse,shkruan “Washington Post”, transmeton “Koha Ditore”. Ai i shpjegon se një bankier, i quajtur Mitchell Dupree, ndodhet në burg për shpëlarjen e miliona dollarëve të një karteli meksikan droge. Dupree posedon dokumente që mund ta rrënojnë kartelin ama refuzon që t’ia dorëzojë ato FBI-së.
Agjenti i ofron Tommyt 100.000 dollarë që të shtiret si i dënuar për jo më shumë se gjashtë muaj, të miqësohet me bankierin dhe të zbulojë se ku janë të fshehura dokumentet e kërkuara. Danny insiston se Tommy, meqë ka qenë aktor, është i përkryer për këtë ndërmarrje.
Tommy nuk mund t’u rezistojë parave. Pas inskenimit të një gjykimi farsë, ai dërgohet në burgun federal të Morgantownit, si i dënuar me tetë vjet burgim për plaçkitje banke. Atij i jepen garanci se ky është një burg i sigurisë minimale për kriminelët e padhunshëm, ku do të kursehet prej realitetit të hidhur të burgjeve të tjera. Ata e quajnë këtë burg “Club Fed”. Aty askush nuk sforcohet shumë me punë – mbase në përjashtim të disa orëve të kaluara në kuzhinë apo në lavanderi. Të burgosurit aty kryesisht kalojnë kohën duke lexuar, shikuar televizor, luajtur poker dhe shijuar marihuanë të qasshme kudo, falë gardianëve.
Kësisoj, Tommy nis të afrohet e të luajë poker me bankierin, ama miqësia e tyre nuk gjeneron ndonjëfarë zbulimi. Ai vazhdimisht i telefonon Dannyt në FBI për ta informuar rreth të arriturave, apo në fakt mungesës së tyre. (Ata kryesisht flasin me kode, tinëz zyrtarëve të burgut). Mbizotëron frika në mos karteli e ka një njeri të vetin në burg, i cili do ta eliminonte Tommyn po që se ai bëhet problem.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)