Kulturë

“Tanzminiaturen dhe Tangata” në kontraste dhe pasioni që nuk zbehet

Shfaqja dypjesëshe vjen natyrshëm në lojë kontrastesh edhe në realizim, stile e rekuizita. Por mbi të gjitha edhe si koncept. “Tanzminiaturen” nuk nis me lëvizje të balerinëve në skenë. Shpirti i baletit, që jeton brenda mureve të TKK-së pasqyrohet përmes një projektori. Aty shihen balerinët duke bërë nxehjet e më pas edhe duke hedhur hapat e parë. Është ajo pjesë që s’e sheh publiku: sfidat e mungesa e kushteve elementare. Gjithçka është bardhezi. Koreografi Ricardo Fernando ngjyrat i ka lënë për në skenë. Aty është pasioni që nuk zbehet. Shfaqja kulmon te “Tangata” e si tërësi Baletit Kombëtar të Kosovës ia vesh kostumin e trupave evropiane. Kushtet janë tjetër histori

Nuk e mohon se ka kërkuar shumë prej balerinëve. As faktin se po të ishte në ndonjë kompani tjetër evropiane, shfaqja e tij nuk do të realizohej. Faji nuk do binte mbi kërkesat që ka pasur ai ndaj balerinëve për të përsëritur lëvizjet që i dhanë shfaqjes atë finesën që ai ka kërkuar. Kur thotë se shfaqja e tij nuk do të realizohet, thekson se trupat e njohura me të cilat ka punuar, nuk do të interpretonin e ushtronin në kushtet në të cilat vepron Baleti Kombëtar i Kosovës. Pasionin që ka gjetur te balerinët, koreografi brazilian Ricardo Fernando e ka vënë edhe në funksion të shfaqjes “Tanzminiaturen dhe Tangata” që dha premierën të enjten mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Duke realizuar dy pjesë të ndryshme nga njëra-tjetra, Fernando ka sfiduar limitet e balerinëve. Publikut i ka dhënë dy anë të ndryshme të baletit dhe petkun që ia vesh BKK-së si imazh i kompanive më me nam në Evropë.

Rreth 25 minuta zgjat “Tanzminiaturen” që nuk nis me lëvizje të balerinëve në skenë. Shpirti i baletit, që jeton brenda mureve të TKK-së pasqyrohet përmes një projektori. Aty shihen balerinët duke bërë nxehjet e më pas edhe duke hedhur hapat e parë. Gjithçka është bardh e zi.

Ngjyrat Fernando i ka lënë për në skenë. Aty përmes lëvizjeve ka deshifruar edhe muzikën e Bachut. Gjithçka neoklasike. Drejtori dhe koreografi kryesor i Baletit Shtetëror të Augsburgut në Gjermani luan me ndërveprim që duket më shumë mekanik sesa emocional. Ngjall ndjesinë e lëvizjeve të kukullave të balerinëve në miniaturë, që mund të lëvizen si marioneta. Veçanërisht pjesët me nga pesë balerinë në skenë.

Përditshmëria si reflektim dhe mesazhi për politikanët

Pas rreth 15 minutave, balerinët ndërrojnë kostumet, grimin e stilin. Ndryshon edhe skenografia: largohen pasqyrat e vijnë pjesët me karrige. Gjithçka është në kontrapunkt. Nga muzika e gjermanit Johann Sebastian Bach, që la gjurmë në periudhën e barokut, kalohet te r kompozitorit argjentinas Astor Piazzolla, që me muzikën e tij solli revolucion te tangoja tradicionale duke i thënë një qasje të re e duke futur elemente nga jazzi e muzika klasike. Kurse Fernando e shfrytëzon muzikën e tij për t’i dhënë dinamikë pjesës “Tangata”.

“Shfaqjet që i ka realizuar Trupa e Baletit Kombëtar të Kosovës nuk kanë qenë të tilla. Kam ardhur me ide plotësisht ndryshe, por ata ishin punëtorë të zotë. Prandaj erdhi edhe ideja për të shfaqur sesi është dita e tyre e përditshme si valltarë, që njerëzit të shohin çfarë po bëjnë dhe të lidhen me këtë. Po ashtu edhe për t’i lidhur skenat me njëra-tjetrën”, ka thënë Fernando, i cili si koreograf ka punuar në Japoni, Austri, Holandë, Zvicër, Brazil e vende të tjera. Madje projektori sipas tij shërben edhe si një reflektim.

“Ka pasur sonte edhe politikanë të pranishëm dhe u thashë se është e rëndësishëm që jeni këtu, por është më e rëndësishme që ju të bëni diçka. Kushdo që vjen këtu dhe e sheh studion e Baletit por edhe Teatrin e kupton se gjërat duhen ndryshuar. Kultura mund të bëjë shumë dhe duhet shfrytëzuar këtë”, ka thënë ai gjersa ka numëruar se duhen një dysheme, tualete e hapësirë më mirë.

Fernando: “E quaj këtë që kemi bërë gjysmë mrekullie”

“E quaj këtë që kemi bërë gjysmë mrekullie”, ka thënë ai. Të rëndësishme politikisht e ka pasur edhe që “Tanzminiaturen” të mos ketë lidhshmëri me “Tangata”.

“Kështu publiku mund të shohë se balerinët mund të bëjnë balet klasik, apo neoklasik pasi që koreografi shkon më shumë nga ajo. Dhe pas pauzës të shohin një stil komplet ndryshe, me shumë ngritje, lëvizje më të gjalla, si një eksplodim vullkanik”, ka thënë ai. Gjersa ka shtuar se kjo kërkon goxha shumë nga balerinët pasi që hyjnë në një stil krejtësisht tjetër.

“Një prekje moderne për Baletin në Kosovë”, e ka vlerësuar shfaqjen Fernado, i cili ka thënë se më këtë ka dashur të tregojë stilin e tij por edhe t’i japë një pamje tjetër Baletit. Sipas tij, balerinët e kanë shfrytëzuar mundësinë që u është dhënë dhe kanë punuar me zemër.

“Pasi ata e dinin që ajo që po bëjmë ne këtu është e njëjta gjë që bëhet në Evropë sot, e njëjta koreografi me të cilën punoj me kompani të ndryshme. Këtë pjesë e kam bërë me pesë kompani të tjera më parë. Kështu që për ta ishte një mundësi e madhe, por nëse kanë kushte më të mira, pasi që këtu po ngrinin, e di se mund të bëjnë edhe më mirë”, ka thënë ai, gjersa ka theksuar se i mbetet politikës për t’i përmirësuar kushtet e për ta shfrytëzuar kulturën që të sjellë ndryshime.

“Puna ime ka përfunduar. U takon juve që të punoni tutje e të mos ktheheni prapa. U kam thënë edhe valltarëve sot e gjitha që dua nga ju është të mos e humbni këtë energji, pasi që ata kanë dhënë shumë për këtë”, ka përfunduar Fernando.

Saktësi e harmoni në lojë

Ish-balerina Sabrije Spahiu ka thënë se pas pauzës për shkak të pandemisë, ishte një ndjenjë e mirë t’i shohësh përsëri balerinët në skenë.

“Ishte një harmoni e jashtëzakonshme e figurave dhe një kombinim i mirë i modernes me klasiken dhe nga ana tjetër edhe e video-incizimeve. Një kombinim i kohës dhe pas kësaj pandemie e kemi parë që kjo ishte e nevojshme. Madje pjesa e parë sikur tregonte atë izolimin dhe përgatitjet e balerinëve e pjesa e dytë veçohej pasi që ishte më dinamike”, ka thënë ajo.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të BKK-së, Kreshnik Musolli, i cili po ashtu luajti në shfaqje, ka thënë se premiera ka shkuar edhe më mirë sesa që e kishin menduar.

“Gjithmonë në premierë presioni është i madh prej audiencës dhe pritet që balerinët të mund të harrojë diçka, por për fat të mirë ajo puna intensive nga 13 shtatori ka bërë që të prezantohemi siç na ka hije e sipas kërkesave të koreografit”, ka thënë ai. Sipas tij, të dy pjesët kanë kërkuar shumë, ani pse e para mund të krijojë përshtypjen se është më e ngadalshme.

“Kërkon shumë ndjenjë shpirtërore dhe koncentrim për lëvizjet shumë delikate ashtu siç është edhe muzika e Bachut, kurse pjesa e dytë ka një energji më të madhe dhe kemi qenë më të lirë me vallëzim, por brenda kufijve të koreografit”, ka thënë ai.

E balerina Leonora Rexhepi ka thënë se gjithçka ka qenë shumë e detajuar nga ana e koreografit.

“Ka qenë pak më e veçantë për shkak të muzikës edhe pse kemi punuar me muzikë të tillë edhe më herët e në anën tjetër kemi punuar edhe stile të ndryshme, me koreografë të ndryshëm dhe kjo na ka ndihmuar si përvojë”, ka thënë ajo. Gjersa ka shtuar se secili koreograf që punon e sjell atë stilin dhe qasjen e tij dhe kështu ka bërë edhe Fernando. Kjo do të jetë premiera e fundit për këtë vit e BKK-së pasi që kanë pezulluar premierën e tretë. Si arsye kanë pasur që të mos u dëmtohet imazhi. Në konferencën për media, të mërkurën, fajin ua kanë lënë procedurave burokratike të Ministrisë së Kulturës që kanë thënë se po ua rrezikojnë shfaqjet.