“Sunnysideup” titullohet receta e artistit me nam nga Kosova, që do të zërë vend në vëllimin e dytë të librit të recetave që bën tok artistë prej të katër anëve të botës. “Zakonisht mediat sot, pasi që kanë lindur në vitet ’40 e ’50 si një shenjë e veçantë e edukimit, i kanë reduktuar imagjinatën dhe aftësitë e mendimit kritik. Kështu që është një reflektim ndaj mediave që sot ekzistojnë në botë”, ka thënë Xhafa për KOHËN, teksa ka zbërthyer recetën e tij që e quan omlet mbi televizor
Në një libër gatimi, ku bëhen tok artistë me nam në botë, mund të pritet gjithçka, madje edhe vezë mbi televizor. E tillë është receta “Sunnysideup” e artistit kosovar, Sislej Xhafa. Vezët e skuqura janë përgjigjja e tij ndaj ftesës së Silvia Macchettos, e cila është duke punuar në vëllimin e dytë të librit të recetave nga artistë prej të katër anëve të botës.
Xhafa është i njohur për veprat që mund të përshkruhen si “veprime” apo strategji konceptuale që i sfidojnë stereotipat kulturorë, paragjykimet e paramenduara dhe strukturat institucionale.
Kuratorja dhe kritikja e artit, Silvia Macchetto, e cila ka gati 20 vjet që punon në fushën e artit, kishte nisur konceptin për libër para tre vjetësh nga një refleksion mbi temën e urisë këto ditë, ku ushqimi është edhe mjet jetese, por edhe medium i komunikimit.
“Ani pse unë jam një kuzhiniere e tmerrshme, vendosa të realizoj një libër me receta nga artistë. Personi i parë me të cilin kam biseduar ishte Marisa Merz, një fqinje e imja, e që ka kohë që e kam edhe mike. E kam pyetur Marisën nëse mund të më shkruante recetën për një ushqim, të cilën pastaj e kam përfshirë në librin që bën bashkë recetat e artistëve”, ka treguar ajo në ftesën që ua ka dërguar artistëve. Pasi që kishte nisur punën, ajo bëri bashkë artistë me nam si Luigi Ontani, Ettore Spalletti dhe Michelangelo Pistoletto, si dhe gjenerata me të reja si Lara Favaretto dhe Diego Marcon.
Botimi i parë, publikuar në vitin 2017, “Mozzarella in Carrozza. Artists Recipes” ishte një homazh ndaj punës se artistit italian me nam Gino De Dominicis, i cili e kishte huazuar titullin nga një recetë e famshme napolitane.
“Larg nga të pasurit një qasjeje analitike, didaktike, apo historike në lidhje me artin, ky libër është një inkurajim për lexuesit që të gjejnë poezinë dhe magjinë në përbërësit e përditshmërisë dhe për të zbuluar një kuzhinë, trashëgimia e së cilës përmban edhe njohuritë nga librat dhe mësime popullore”, ka shkruar ajo. Sipas saj, libri është i mbushur me rrëfime, biseda dhe receta të vjetra, fryte kujtimesh unike të artistëve dhe aftësive kreative. Botimi i parë doli me jo më shumë se 500 kopje, por shënoi sukses në mesin e kritikëve dhe publikut e do të shitej brenda tre muajve. Edhe botimi i dytë do të ketë të njëjtin format.
Çdo artist do të ketë dy faqe në dispozicion të tij. Ana e djathtë do të përdoret për të shkruar recetën, ndërsa e majta do të shërbejë si kanavacë për pjesëmarrësit për të vizualizuar recetën e tyre me një fotografi, një vizatim, një poemë apo çfarëdo tjetër.
E artisti kosovar, Sislej Xhafa, që gjithherë artin e quan provokim do të paraqitet në libër me një omlet mbi televizor, siç e ka përshkruar ai recetën e tij “Sunnysideup”.
“Zakonisht mediat sot, pasi që kanë lindur në vitet ’40 e ’50 si një shenjë e veçantë e edukimit, i kanë reduktuar imagjinatën dhe aftësitë e mendimit kritik. Kështu që është një reflektim ndaj mediave që sot ekzistojnë në botë”, ka thënë ai për recetën e tij.
Xhafa që ka një karrierë të suksesshme ndërkombëtare e që njihet nga shumë muze dhe institucione kryesore ka treguar për KOHËN se libri pritet të publikohet vitin e ardhshëm.
“E humbur dhe e gjetur” (“Lost and found”) është titulli i veprës së Sislej Xhafës, me të cilin më 2017 e përfaqësoi Kosovën në edicionin e 57-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie. Me këtë vepër ai i kishte dhënë zë çështjes së 1.664 personave të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë. Një kabinë pa hyrje, boshe, me një telefon të zi që nuk cingëron dhe thirrja e emrave të të pagjeturve nëpërmjet tellallit kishte komunikuar me publikun përmes gjuhës së artit bashkëkohor. Veprën e njëjtë Xhafa e kishte sjellë në Kosovë në vitin 2018 në Pejë, si pjesë e ekspozitës së parë personale të tij në Kosovë, e përqendruar kryesisht në Galerinë Kombëtare të Kosovës, por jo vetëm. Përveç pasojave të luftës, maskat në Kuvendin e Kosovës, ku ulen deputetë e qeveritarë, dhe një kope lopësh në institucionin që administrohet nga shteti, qenë triptiku i Xhafës në “Love you without knowing” (Të dua pa e ditur) që kishte bërë jo pak bujë.