Memoriali i Luftës Nacional Çlirimtare në Prishtinë është ngjitur me varrin e presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi e disa të dëshmorëve të luftës së fundit, asaj të vitit 1998-1999. Në aspektin historik hapësira është njëfarë mozaiku i kontrasteve. UÇK-në dhe udhëheqjen komuniste që vendosur për ndërtimin e atij memoriali i ndajnë shumë gjëra. Pastaj edhe Rugovën si prijës i një politike paqësore e ndajnë shumë gjëra me UÇK-në. Por tek e fundit, një pompë benzine i bashkon të gjithë.
Ata që mund të jenë të pavëmendshëm gjatë kalimit midis Memorialit të Luftës Nacional Çlirimtare në Prishtinë, ka mundësi që të mos e shohin fare një ndërhyrje të bërë aty së voni. Ajo hapësirë në lagjen “Velania” pos Memorialit njihet edhe për faktin se aty afër është varri i presidentit Ibrahim Rugova, veprimtarit Adem Demaçi e disa të dëshmorëve të luftës së fundit, asaj të vitit 1998-1999. Në aspektin historik hapësira është njëfarë mozaiku i kontrasteve. UÇK-në dhe udhëheqjen komuniste që vendosur për ndërtimin e atij memoriali i ndajnë shumë gjëra. Pastaj edhe Rugovën si prijës i një politike paqësore e ndajnë shumë gjëra me UÇK-në. Por tek e fundit, një pompë benzine i bashkon të gjithë.
“Në fillim të duket diçka absurde”, ka thënë një agjente e artit pasi ka parë veprën “frosted pocket” të Sislej Xhafës. Qe përshtypja e parë e saj pasi kishte arritur nga Franca në Kosovë për të parë veprat e paraqitura në kuadër të bienales nomade evropiane “Manifesta” në Prishtinë. Xhafa di të befasojë fort me intervenimet që bën.
Njëjtë ka vepruar edhe kësaj radhe. Në momentumin e ndërtuar më 1961 në nderim të martirëve dhe heronjve të luftës nacionalçlirimtare, Xhafa provokon fort jo veç në raport me të kaluarën, por edhe me të ardhmen. Kompleksi i betonit, një brutalizëm i pastër i projektuar nga një prej arkitektëve më të njohur jugosllavë, Svetislav Liçina për tre muaj do të jetë edhe pompë benzine.
“Krejt çfarë do të bëni është të uleni këtu dhe të prisni nëse vjen ndonjë veturë. Nëse vjen, atëherë do ta mbushni me benzinë. Ndërkohë, shfrytëzojeni panelin solar dhe luani në telefon nën ombrelle”, është sqarimi që artisti Sislej Xhafa u jep dy vetave që me ndërrime do të jenë punëtorë të pompës më të re të benzinës në kryeqytet. Që të dy, Ismeti dhe Afrimi, nuk e kanë të lehtë të marrin vesh se çfarë po ndodh. Po ashtu për tre muaj janë pjesë e veprës.
Një makinë që mundëson mbushjen e veturave me benzinë zë vend aty bashke me një ombrellë dhe një panel të vogël solar nëpërmjet të cilit mund të mbushet telefoni me rrymë.
“Për herë të parë kur kuratorja më ka ftuar në ‘Manifesta 14’, ma ka propozuar këtë vend specifik që të vendoset një vepër e re imja, ma ka kujtuar këtë vend ku kemi qenë në piknik si filloristë”, rrëfen Xhafa i cili më 2017 ka përfaqësuar Kosovën në Bienalen ndërkombëtare të Artit në Venecia e më 2013 qe pjesë e grupit të artistëve që kanë përfaqësuar Italinë. Blloqet e betonit përreth pikës qendrore simbolizojnë një bashkim. Njashtu si bashkimi i luftëtarëve nacionalçlirimtarë. Por varrezat përreth flasin për diçka tjetër.
“Pastaj vendi ka një histori të pas Luftës së Dytë Botërore, të dëshmorëve të luftës së fundit, është varri i presidentit Rugova e i Adem Demaçit. Është shndërruar në një oazë të unitetit të kundërthënies. Është diçka që na bashkon dhe e fusim në diskutim konstant. Është një mishërim i historisë sonë duke e përkujtuar e duke e debatuar. Është një vend i debatit”, thotë Xhafa në mesditë derisa shikon se a po shkon gjithçka ashtu si e ka menduar.
Makina për mbushjen e veturave me derivate është e vjetër. Ka mjaftueshëm të tilla në Kosovë, pasi prej pas luftës së fundit pikat e karburanteve kanë lulëzuar gjithandej.
“Në këtë rast, e kam propozuar një vepër që është në të kundërtën e monumentit. Pra antimonumentale. Është thjesht një pompë e benzinës, një ombrellë dhe punëtor që pret një makinë për ta mbushur me benzinë”, thotë Xhafa. Mënyra se si e shpjegon krejt konceptimin e kësaj vepre, tregon se artisti që jeton në New York e di saktë ku do të thumbojë. Provokon për të kaluarën e të ardhmen. Në mes është dialogu.
Beson që kjo vepër duke qenë pak e fshehur është në njëfarë intimiteti dhe vjen si një monument i lirisë pas vitit 1999. “Shpreh edhe ëndrrën e progresit, pasi këtu është edhe një panel solar ku Ismeti dhe Afrimi i mbushin telefonat”, thotë ai. Rrugët magjistrale të Kosovën qenë mbushur me pompa benzine. Madje vazhdimisht kanë qarkulluar ironi se nga një pompë është në çdo shtyllë elektrike. Xhafës nuk i ka ikur kjo.
“Pompat e benzinës pas pavarësisë ishin simbole të progresit. Autostradat dhe pompat e benzinës kanë qenë dy simbolet e progresit në çfarëdo forme. Tash këtu kemi një antimonument të gjallë. Është njëfarë utopie, por në utopi është edhe një dashuri. Është diçka e pakushtëzuar”, thotë Xhafa.
Historia përplaset fort në atë ambient. Vepra e Xhafës vetëm sa e komplikon atë. Por nga një tjetër perspektivë edhe hap një debat për të. Një kalimtar ndalet pak dhe jep një propozim direkt: “Ky memorial duhet të rrënohet plotësisht pasi Jugosllavia ishte e rreme”, thotë ai. Xhafa qeshet me atë mëndim. “E si mund të tregojmë ne që ishte e rreme, nëse ishte. Ndoshta nëpërmjet këtij memoriali kemi dëshmi për të rrëfyer atë që po e mendoni ju”, i drejtohet Xhafa qytetarit që prezantohej si historian e jurist. Xhafa kënaqet kur të tjerët provokohen nga vepra e tij. Thotë gjithnjë se arti është provokim dhe i vetmi mjet demokratik që nxit debat.
“Është faktori njerëzor, mbrojtja nga dielli me ombrellë, paneli solar për të ardhmen e pompën e benzinës. Kjo të bën të pyesësh se çfarë po ndodh. Vepra të fut të mendosh. Unë nuk jam për të zëvendësuar mendimin e askujt. Arti është e vetmja formë e demokracisë e mendimit, perceptimit dhe përvojës. Kjo është njëfarë poezie për mua”, thotë Xhafa i cili bashkë me 102 artistë të tjerë është pjesë e “Manifesta 14”, e cila është hapur qysh prej ditës së 22-të të këtij muaji dhe për 100 ditë do ta jetë një maratonë e artit bashkëkohor.