Tash e 100 vjet vazhdojnë diskutimet me pikëpamje krejt të kundërta rreth patriotizmit dhe terrorizmit në Ballkan dhe vazhdojmë më tej këto ditë në Sarajevë e më gjerë.
Kur anëtarët e organizatës “Mlada Bosna” e përgatitën atentatin kundër trashëgimtarit të Austro-Hungarisë, Arqiduk Franz Ferdinand, në Sarajevë, më 28 qershor 1914, Gavrilo Principi u arrestua dhe u gjykua si terrorist, kurse ai u konsiderua si patriot duke u glorifikuar si i tillë në poezinë popullore serbe përkundër asaj ç’pasoi pas këtij atentati: Lufta e Parë Botërore.
Po ashtu, edhe pas 100 vjetëve, e përkundër asaj ç’doli prej asaj që e motivoi “Mlada Bosnën”, me rastin e 100-vjetorit të vdekjes së Principit, përsëri u përtërinë diskutimet për kualifikimin e veprës së tij: patriotike apo terroriste? Këto ditë u ngjall kjo temë mu në Sarajevë në dy aspekte të ndryshme dhe në dy vende të ndryshme.
Më 16 maj në Katedralen e Sarajevës u mbajt një meshë në saje të kërkesë së Qeverisë Kroate dhe partisë nacionaliste HDZ (Bashkimi Demokratik Kroat) për përvjetorin e “Masakrës së Bleiburgut” që ndodhi prej 15 deri më 24 maj të vitit 1945. Kjo meshë u prit me protestë të madhe të mijëra banorëve të Sarajevës, që dolën në mënyrë paqësore nëpër rrugët e Sarajevës me parulla antifashiste e antinaziste. Këtu vlen të përmendet se fjala ishte për mbeturinat e ushtrisë së Shtetit të Pavarur Kroat (1941-1945), që u tërhoqën me forcat gjermane dhe civilë të ikur në drejtim të kufirit austriak në gjysmën e parë të majit të vitit 1945.
Përkundër se këto forca kaluan kufirin dhe arritën në qytetin Bleiburt të Austrisë dhe iu dorëzuan forcave britanike, ato me përjashtim të gjermanëve u detyruan të kthehen prapa dhe t’u dorëzohen forcave partizane, të cilat u shfrynë me vrasje masive kundër “armiqve të popullit” qoftë në rrugë ose nëpër kampet ku u vendosën në shenjë hakmarrjeje ndaj krimeve të tyre gjatë viteve 1941-1945 kundër çifutëve, serbëve, boshnjakëve, raporton KOHA.
Kjo temë e quajtur “Masakra e Bleiburgut” mbeti tabu në Jugosllavinë komuniste, kurse filloi të shënohej çdo vit në vendin e ngjarjes (Bleiburgu) nga ustashët emigrantë nga 1951, kurse edhe nga Kroacia pas pavarësisë më 1991. Ndërsa në Jugosllavi u tregua shumë interesim për krimet e luftës në SHPK 19411945, duke shpenzuar shumë për hulumtime e botime të ndryshme, tani erdhi rendi për hulumtime e botime për viktimat e “Masakrës së Bleiburgut” që arrijnë rreth 50-70 mijë, megjithëse shifrat ekzagjerohen deri në 200 mijë viktima...