Kulturë

Shteti ligjor në shpjegimin neoliberal

Sundimi i ligjit dhe liria ekonomike kanë një lidhshmëri nga më të rëndësishmet në gjithë marrëdhëniet civile të cilat krijohen në një shtet. Shteti ligjor paraqet një fazë të avancuar të zhvillimit politik të një shoqërie, i cili në këndvështrimin neoliberal ka vendin dhe rolin e duhur në ekonomi që nuk shkon më shumë sesa ai i përcaktuesit të rregullave të lojës. Qeverisja bëhet më e lehtë dhe më efikase në kushte kur përgjegjësi të caktuara, të cilat nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me sundimin e ligjit, t’u lihen në dorë njerëzve

Në diskursin e sotëm publik me nocionin “shtet ligjor” kuptohet një gjendje, ku autoriteti politik është në nivelin më të lartë të efikasitetit të tij sipas normave të legjitimuara në një proces deliberativ të vendimmarrjes. Njerëzit, të cilët e përbëjnë bashkësinë politike, duhet të jenë të lirë në veprimet e tyre, deri atëherë kur të bien ndesh me ligjin. Në raste kur veprimet e tyre e kalojnë këtë kufizim, aparati shtetëror duhet të veprojë dhe të zbatojë ligjin për të vendosur drejtësi. Kur ky i fundit vihet në kryerjen e këtij funksioni, të gjithë formuesit e bashkësisë politike duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë, pavarësisht pozitës shoqërore që mund të kenë, apo origjinës së tyre dhe të ngjashme si këto. Ky është shteti ligjor, kufizimi me ligj i lirisë së veprimit politik të individit.

MST: “A është më mirë të udhëhiqemi nga njeriu apo nga ligji?”

veprën e tij “Politika”, Aristoteli kishte ngritur një dilemë, e cila mund të konsiderohet si origjinë e nocionit të shtetit ligjor. Sipas tij “A është më mirë të udhëhiqemi nga njeriu apo nga ligji?”. Brenda kësaj pyetje, kemi një shpjegim për ligjin, i cili është i rëndësishëm dhe që nuk duhet anashkaluar. Funksioni politik i ligjit është të mbajë nën kontroll sjelljen e individit në një shoqëri ku të gjithë janë të lirë dhe të barabartë. se udhëhiqemi nga ligji, njeriu është në një gjendje të vetëpërmbajtjes permanente, i vetëdijshëm për pasojat e shkeljes së tij dhe për veprimin e aparatit shtetëror. Ky është një mësim i rëndësishëm, të cilin duhet ta kemi të qartë në secilën situatë, kur përmendim ligjin si institucion shoqëror. Brenda pyetjes së Aristotelit ekziston edhe përgjigja, të cilën e kanë dhënë zhvillimet politike sidomos të periudhës së modernitetit pas Revolucionit Francez të vitit 1789. Të qeverisësh nga njeriu nuk përfundon në diktaturë, por në anarki. Në mungesë të ligjit, njeriu vë në zbatim potencialin e tij për ta mbrojtur veten, e që nga mungesa e një kufizimi ligjor, kjo vetëmbrojtje mund të shndërrohet në agresion ndaj të tjerëve, e cila padyshim se prodhon kundërveprim te këta të fundit. Kështu fillon një gjendje shoqërore natyrale, apo thënë ndryshe anarki ku dhuna është elementi më i legjitimuar. Në vështrim të parë, kjo duket e thjeshtë, por trajtimi i barabartë para ligjit të të gjithë qytetarëve gjithnjë ka qenë një problem i diskutueshëm, sidomos për shoqëritë në transicionit politik.