Kulturë

Shteti blen 80 vepra arti me 300 mijë euro, çmimi për një deri në 10 mijë euro

Me vlerësime financiare që shkojnë deri në 10 mijë euro, Ministria e Kulturës ka publikuar listën e 80 veprave që janë zgjedhur për t’i blerë nga artistët. Kolektivi “Haveit” prin me “Dita e Shën Valentinit”, që është vlerësuar 10 mijë euro për të vazhduar me “Deportacioni-Dëbimi i madh” i Sali Musliut me 9 mijë euro, “Kur sosen fjalët” e Violeta Xahferit me 8 mijë euro e “Dritarja ‘99” e Afrim Spahiut me 8 mijë euro. Juria në përbërje të Sislej Xhafës, Edi Mukës, Dita Starova-Qerimit, Sezgin Boynik dhe Dhurata Ramosajt kanë dhënë edhe disa sqarime në vendimin e publikuar një ditë pasi e kanë përmbyllur procesin e vlerësimit

Shteti ka vendosur që me 300 mijë euro të blejë 80 vepra të artit. Në listën e bërë publike të premten pasdite, çmimet variojnë nga 1 mijë e 500 deri në 10 mijë euro. Ministria e Kulturës ka publikuar listën e blerjes së veprave të artit më shumë se gjashtë muaj prej tentimit të parë për të blerë vepra. Përderisa në dhjetor procesi kishte dështuar duke u anuluar, për listën e re afati i ankesave është dy javë.

Kolektivi “Haveit” prin me “Dita e Shën Valentinit”, që është vlerësuar 10 mijë euro për të vazhduar me “Deportacioni-Dëbimi i madh” i Sali Musliut me 9 mijë euro, “Kur sosen fjalët” e Violeta Xahferit me 8 mijë euro e “Dritarja ‘99” e Afrim Spahiut me 8 mijë euro. Veprat e Brilant Milazimit, Hazir Rekës, Zeni Ballazhit, Doruntina Kastratit, Agron Blakçorit e Lorik Sulejmanit janë po ashtu pjesë e dhjetëshes së parë sa i përket vlerësimit financiar. Veprat e tyre janë paguar nga 5 mijë e 850 euro deri në 7 mijë e 800 euro.

Juria në përbërje të Sislej Xhafës, Edi Mukës, Dita Starova-Qerimit, Sezgin Boynik dhe Dhurata Ramosajt kanë dhënë edhe disa sqarime në vendimin e publikuar një ditë pasi e kanë përmbyllur procesin e vlerësimit.

Sipas asaj që kanë shkruar, përzgjedhja e veprave për krijimin e fondit të institucioneve publike të Kosovës ishte një proces i vështirë dhe kompleks. Sipas vendimit, secili anëtar i jurisë fillimisht dha vlerësimet vetjake, e më pas në një sesion të gjatë disktuimi u bë përzgjedhja finale e veprave.

“Kriteri kryesor i vlerësimit për jurinë ka qenë cilësia artistike e veprave. Por, duke pasur parasysh edhe qëllimin për të cilin këto vepra po blihen, juria tregoi vëmendje të posaçme edhe për një sërë aspektesh të tjera”, shkruhet në vendim. Sipas vendimit, duke qenë se thirrja u drejtohej të gjithë artistëve aktivë në Kosovë, “për ne ishte me rendësi që përzgjedhja të reflektojë shumëllojshmërinë e disiplinave artistike, përfaqësimin e gjerë brezor dhe gjinor, vëmendjen ndaj veprave me rëndësi dokumentare/historike, evidentimin e praktikave artistike të margjinalizuara për shkak të arsyeve të ndryshme, si dhe përcaktimin e kornizës financiare për secilën vepër në raport me rrethanat socio-ekonomike të Kosovës”. Pesëshja ka sqaruar se, siç edhe pritej, aplikimet dominoheshin nga gjinia e pikturës, por në përzgjedhjen finale kane gjetur vend te gjitha disiplinat artistike.

“Me gëzim vërejtëm se një gjeneratë e re shumë premtuese artistësh po gjen rrugën në skenën e artit në Kosovë. Gjithashtu, ne jemi të mendimit se do të ishte me vend organizimi i një apo disa ekspozitave shëtitëse me punët e përzgjedhura, për të prezantuar për publikun e gjerë fondin e ri të institucioneve publike të Kosovës”, shkruhet në vendim.

Por se në cilat institucione publike do të vendosen veprat nuk dihet ende. KOHA ka raportuar disa herë se Galeria Kombëtare e Kosovës, si institucioni më i lartë i artit pamor në vend posedon mbi 900 vepra në fondus dhe ka mungesë hapësirash, si dhe mungesë kuadrosh që t’i mirëmbajë ato. Se nuk ka kushte, u konfirmua edhe në janarin e vitit të kaluar, kur 125 vepra që dikur zinin vend në hotelin “Grand” u zhvendosen aty.

Në anën tjetër, shteti tash e më shumë se një dekadë synon ndërtimin e një Muzeu të Artit Bashkëkohor, por ende nuk ka një lokacion për të.

Ministria e Kulturës hapin e parë për blerje të veprave të artit e kishte bërë në fund të vitit të kaluar. Por, i kishte shkuar ters. Në ditën e 9 të dhjetorit, procesin e blerjes së veprave të artit pamor – të paralajmëruar me pompozitet e të përuruar si nismë në ndihmë të artistëve edhe nëpërmjet konferencave – Ministria e Kulturës e kishte zhvlerësuar. Për këtë nuk ishte menduar fort. S’i ishin dashur më shumë se 48 orë pasi e kishte marrë vendimin dhe ka publikuar listën e veprave që ka blerë për çerek milioni euro, që ta anulojë krejt procedurën. E kishte anuluar pas një proteste të vogël të nja 20 artistëve para MKRS-së, përderisa debati midis komunitetit artistik kishte marrë hov.

Mënyra se si ishin përzgjedhur 68 përfituesit qe njëra temë. Shuma me të cilën janë paguar disa prej veprave – që arrin edhe në 7 mijë euro – ishte tjetra. Buxheti prej 247 mijë eurosh i marrë nga Pakoja për Ringjallje Ekonomike kishte shkuar në suficit. Asokohe kundër procesit kishte dalë edhe profesori Adem Rusinovci pasi konsideronte se nuk mund të bëhej thirrje publike si ndihmë për artistët e veprat të paguheshin deri në 7 mijë euro. Në atë kohë KOHA kishte raportuar se në nëntor të po atij viti në një ankand televiziv në Shqipëri është shitur një vepër e maestro Ibrahim Kodrës (1918 – 2006), i konsideruar si njëri prej piktorëve më të njohur shqiptarë i të gjitha kohëve që ka ekspozuar edhe përkrah Picassos, Henri Matisse, Amedeo Modiglianit, Georges Rouaultit e deri te Salvador Dali. “Instrumentisti rozë”, vaj dhe media mikse në kanavacë, 70 me 60 centimetra e vitit 1974, u shit për 7 mijë euro.

Asokohe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte emëruar dy juri për të vlerësuar veprat. Zake Prelvukaj, Arta Agani dhe Vesa Sahatçiu kanë bërë vlerësimin e veprave në shkallën e parë. Në shkallën e dytë veprat e përzgjedhura janë vlerësuar nga Sislej Xhafa, Eleni Laperi dhe Dita Starova-Qerimi. Vlerësimi i veprave ishte bërë pa i parë ato, por vetëm nëpërmjet fotografive. Në të njëjtën mënyrë janë vlerësuar edhe ato të listës së publikuar të premten. Sipas vendimit që Qeveria kishte marrë më 1 mars të këtij viti, shteti planifikon që me 350 mijë euro të blejë vepra në vitin 2023 dhe me 400 mijë euro në vitin 2024.