Shqipëria ka arritur që bashkërisht me shtete të tjera të fusë në listën e trashëgimisë botërore edhe një vlerë të kamotshme shpirtërore, jomateriale, transumancën ose shtegtimin me bagëti. Në mbledhjen e Komitetit Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s, që po mbahet në Botswana, transumanca ka hyrë në Listën e trashëgimisë botërore jomateriale në një dosje të përbashkët me Spanjën, Andorrën, Kroacinë, Francën, Luksemburgun dhe Rumaninë. Këto shtete u janë bashkuar Italisë, Austrisë dhe Greqisë, që ishin përfshirë në vitin 2019 si shtete që zotërojnë këtë traditë.
“Tradita e shtegtimit të bagëtive është një traditë e lashtë që ka kapërcyer shekujt dhe shtetet, një mënyrë jetese e pasur me këngë pastorale, instrumente, veshje, rite, festa dhe kulinari.
Le të jetë ky një ogur i mirë edhe për dosjet e tjera që Ministria e Kulturës ka dorëzuar pranë UNESCO-s”, ka thënë nga ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti.
Paraprakisht vitin e kaluar Komiteti Ndërqeveritar për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale kishte listuar si trashëgimi botërore xhubletën. Nën titullin “Xhubleta, shkathtësitë, mjeshtëria dhe format e përdorimit, Albania”, veshja tradicionale e grave të zonave malore shqiptare kishte bërë vend në “Listën e mbrojtjes urgjente” të UNESCO-s.
Vjet ishte paralajmëruar përgatitja e dosjes edhe për ‘Kcimin e Tropojës’. Eposi i Kreshnikëve me lahutë qe ambicia tjetër. Deri tash, pos xhubletës, në emër të Shqipërisë si trashëgimi botërore është edhe Isopolifonia.
Sa i përket Eposit të Kreshnikëve, institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë ishin alarmuar kur më 2018 “Të kënduarit me gusle” kishte hyrë në UNESCO në emër të Serbisë. Asokohe institucionet e të dyja shteteve shqiptare ishin zotuar se do ta kundërshtonin këtë me arsyetimin se lahuta nuk është instrument i përdorur veç nga serbët, por nga të gjithë popujt ballkanikë. Madje, përbërja e atëhershme e Komisionit Parlamentar për Kulturë të Kuvendit të Kosovës kishte bërë gati një letër kundërshtuese, e cila, sipas Komisionit, i ishte përcjellë Ministrisë së Punëve të Jashtme për ta dërguar në UNESCO.
Asokohe ishin konsultuar edhe studiuesit Zymer Neziri e Vasil Tole. Neziri ka kohë që është marrë me dokumentimin e Eposit të Kreshnikëve.
E të mërkurën nga Turqia, Azerbajxhani, Irani dhe Uzbekistani kanë propozuar për futjen e iftarit si trashëgimi kulturore jomateriale dhe ia kanë dalë. Iftari është edhe trashëgimi e myslimanëve në këto anë.
“Iftari (i quajtur edhe Eftari, Iftar ose Iftor në vendet praktikuese) respektohet nga myslimanët në perëndimin e diellit në muajin e Ramazanit (muaji i nëntë në kalendarin hënor), pas përfundimit të të gjitha riteve fetare dhe ceremoniale. Ai shënon përfundimin e përditshëm të vështirësive të agjërimit nga agimi deri në perëndim të diellit. Namazi i mbrëmjes pasohet nga aktivitete të tilla si ceremonitë e lutjes, muzikë, tregim, lojëra, përgatitje dhe servirje e vakteve tradicionale dhe lokale dhe aranzhimeve martesore”, shkruhet në faqen zyrtare të UNESCO-s.