Janë dëshmi unike që përjetësojnë kujtimet e një kohe të trishtë e që konsiderohen të domosdoshme në ballafaqim me të kaluarën. Aty është përditshmëria në ditët e luftës së fundit në Kosovë. “Shoh” është titulli i librit dhe simbolika është e shumëfishtë ashtu sikurse misioni. Njëri prej tyre – ballafaqimi me të kaluarën
Janë 22 rrëfime, aspak të lehta për t’u ndarë me publikun. I takojnë një kohe të rëndë nëpër të cilën ka kaluar gati secili qytetar i Kosovës. Si tregime a poezi vijnë të përmbledhura në librin “Shoh”, i cili u përurua të mërkurën në bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”. Vjen me përjetime personale, të cilat fillojnë në vitet 1998-1999, në kohën e luftës në Kosovë. Rrëfime për mbijetesën, ballafaqimin me frikën e dëshmi nga përditshmëria. Promovimi u pasua nga dokumentari, personazhë të të cilit janë vetë rrëfimtarët. Shumë prej tyre para 20 e ca vjetësh ishin fëmijë. Për këtë edhe rrëfimet janë me ndryshe të të rriturve, të cilët brengat i kishin më të mëdha atëkohë.
“U dogjën ëndrrat e një fëmije. Diku larg në dheun e luftës. Flakë s’u pa. Veç hi. Hi i zi, i zi“, janë vargjet e fuqishme nga Liridona Shehu, e cila atëkohë ishte e vogël. Mjafton leximi i dy-tre rreshtave të tregimeve të tjera për ta çuar mendjen tek rrugët e eksodit.
Libri vjen në kuadër të projektit “Ballafaqimi me të kaluarën në Kosovë”, nga organizata “Aksioni kundër dhunës dhe ndërtimi i paqes”.
Drejtuesi i kësaj organizate, Nexhat Ismajli, ka treguar për fillin e këtij projekti duke e vënë theksin te rëndësia e dokumentimit të së kaluarës.
“Që nga viti 2014, ANP punon intensivisht në projektin ‘Ballafaqimi me të kaluarën’ dhe deri më tani kemi realizuar shumë aktivitete e filma dokumentarë. Të gjitha këto me të vetmin qëllim, që të dokumentojmë të kaluarën në mënyrën më të sinqertë dhe të luftojmë narrativat etnocentrike në shoqërinë tonë”, ka thënë Ismajli.
“Shoh” gjurmon në kujtime që për më shumë se dy dekada kanë mbetur të parrëfyera. Protagonistët nuk kanë lënë pa e përmendur sfidën deri te shpalosja e krejt atyre përvojave. Përtej krejt kësaj, ata kanë thënë se pos ballafaqimit me të kaluarën janë ballafaquar edhe me kujtimet e ngujuara në ndërdije.
Redaktorja e librit, Emine Ismajli, ka përmendur se ndonjëherë është e vështirë edhe kujtimet e bukura të ndahen me të tjerët, e lëre më të natyrës që i përmbledh libri.
“Shpeshherë na ndodh që njerëzit thonë se tregimi ynë është më i rëndë dhe më i tmerrshëm sesa i dikujt në librin tuaj. Dua ta theksoj që nuk jemi ata që e vendosin se çka dokumentojmë. Personat që aplikojnë e vendosin se cilën pjesë të tregimit duan ta ndajnë me audiencën e gjerë. Dhe ajo është shumë në rregull për ne dhe duhet të jetë edhe për të tjerët”, ka thënë ajo.

Nexhat Ismajli ka thënë se këto rrëfime – pos ballafaqimit me të kaluarën – janë hedhur në letër edhe për ta kujtuar historinë, me qëllim që ajo të mos përsëritet. Ka tash e mbi 15 vjet prej kur organizata te cilën ai e drejton e ka këtë qëllim.
“Janë tregime të qytetarëve të Kosovës. Tema është shumë e dhimbshme për shoqërinë tonë, por si proces, dokumentimin e konsiderojmë jashtëzakonisht të rëndësishëm”, ka bërë të ditur ai.
Për titullin e librit Ismajli ka thënë se prej fillimit të këtij projekti ka qenë i vendosur. Nga secili tregim mund të shihet një pjesë e së kaluarës që si mozaik e plotëson një copë të rëndësishme historie. Çdo rrëfimi i paraprin nga një vizatim a pikturë, realizuar nga vetë autorët e tregimeve. E në rastet kur qasja në dokumente e fotografi të asaj kohe ishte më e lehtë, edhe ato janë përfshirë në libër. Edhe kopertina e librit përmban art. Një pikturë plot me ngjyra si simbolikë për secilin emocion e përjetim.
Për ditën e promovimit Ismajli ka thënë se ka ardhur pas shumë sfidave, të cilat i kanë tejkaluar edhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve.
“Ky libër është me tregime të grupit me të cilin kemi punuar në vitin 2019. Na ndodhi pandemia, na përcollën edhe pasojat dhe na e bëri të pamundur që ky libër të përurohet atëherë edhe kur ka përfunduar. Po edhe këtë për shkak të korrektësisë për grupin, por edhe për të tjerët që na kanë kontaktuar”, ka përfunduar Ismajli. Libri “Shoh” për lexuesin vjen në gjuhët shqipe, angleze dhe serbe.