Si pedagoge e pazëvendësueshme, një prej kontribuueseve më të mëdha të zhvillimit të metodologjisë autoktone për edukimin muzikor në Kosovë, idhull për gjenerata të tëra, shembull që duhet të ndiqet e emër që nuk do të harrohet kurrë, është vlerësuar të enjten profesoresha Seniha Spahiu, në akademinë përkujtimore, organizuar nga Fakulteti i Arteve në Universitetin e Prishtinës
Emri i saj u përmend si shembull i edukimit muzikor të disa gjeneratave. Gjithë jeta e saj ka qenë një përmbushje e idealit të mësimdhënies. Por, po në një trajtë e ka pasur edhe krijimtarinë muzikore. Secili nga bashkëpunëtorët e saj e ka kujtuar si njeri i përpiktë në profesion. Madje përveç që i takon brezit të parë të mësimdhënies në fushën muzikore në Kosovë, në të njëjtën kohë është ajo që i mbajti lart aspiratat e krijimit shqip në kohë lufte.
Më e rëndësishmja, pikërisht studentët e saj janë tashmë trashëgimtarë të mësimdhënies së muzikës. E vetë ajo sa ishte gjallë, për këtë kishte thënë se ndihej e përmbushur.
Në videon e ditës së pensionimit kishte thënë se njeriu duhet të ndihet i kënaqur me veten atëherë kur kishte shkruar një libër ose kur të ketë lindur një pasardhës.
“Unë shkoj plotësisht e qetë se kam lënë pasardhës në shumës të profesionit”, kishte thënë ajo. E gjeneratat që kishin dalë nga duart e saj, e kishin marrë si amanet të sajin këtë fjali.
E pikërisht “pasardhësit” e saj të Fakultetit të Arteve e kujtuan në akademinë përkujtimore të enjten në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, pesë ditë pas vdekjes. Nuk kishte se si të mungonte ajo që e bënte me shumë zell, muzika.
Pianistja Lejla Pula interpretoi “Consolation nr.” nga F. Liszt. Pas kësaj performance të shkurtër, radha ishte për veprën “Ave Maria” të G. Caccinit, të interpretuar bashkë me sopranon Besa Llugiqi.
Studentja e më vonë kolegia e saj, Besa Luzha, ka thënë se Spahiu është meritore për futjen e saj në botën e edukimit muzikor.
“Dashuria e saj për pianon e ka veçuar nga instrumentet e tjera ndoshta kjo na ka lidhur”, ka thënë ajo në fillim të fjalimit të saj.
Sipas Luzhës, mendimet të cilat i ka shprehur profesoresha universitare në botime të ndryshme janë të tilla që studiuesit mund t’i trajtojnë si “filozofi origjinale e edukimit muzikor”.
“Ajo gjithmonë thoshte që elementet shprehëse lidhen shumë me disiplinat tjera në mënyrë shumë komplekse. Pastaj muzika dhe edukimi krijojnë simbiozë të veçantë”, ka thënë ajo, duke shtuar se edhe këso qasjeje ka pasur gjatë ligjëratave me studentë.
“Fjala e saj sa herë ka folur në media, simpoziume ka qenë ligjërim”, ka thënë Luzha.
Angazhimin e Spahiut e ka ndarë në tri pjesë: angazhimin e pasurimin e së teorisë dhe praktikës së shkollimit muzikor, hartimin e planeve dhe programeve mësimore në periudhat më të vështira, hartimin e teksteve shkollore jo veç për studentët, por edhe për mësimdhënësit.
“Duke prodhuar kaseta, kur s’kishim asnjë material tjetër didaktik”, u shpreh ajo. “Në momentin kur teksti i muzikës përcillej me një CD, ajo e konsideronte si arritje”.
Në akademinë përkujtimore nuk kishte se si të mungonte muzika. Pianistja Lejla Pula interpretoi “Consolation nr.” nga F. Liszt. Pas kësaj performance të shkurtër, radha ishte për veprën “Ave Maria” të G. Caccinit, të interpretuar bashkë me sopranon Besa Llugiqi
E aspektin personal, gjithmonë ka qenë kërkuese. Asnjëherë nuk është ngopur në përmirësimin e studentëve të saj. Të njëjtën e ka bërë edhe me vetë Luzhën.
“Ajo ka mbetur sinonim i një pedagogeje e mësimdhënëseje e cila përmbajtjen e lëndës e kombinon me dashuri e ligjërim të përsosur, të përcjellë me veçanti te gjeneratat e reja”, ka thënë ajo.
E në një video të lëshuar përgjatë komemoracionit, dirigjenti dhe profesori Rafet Rudi vjet më parë kishte thënë se Spahiu kishte kontribuuar në konsolidimin e Fakultetit.
“Kontributi i saj primar është në fushën e metodikës muzikore”, kishte thënë ai në të gjallë të Spahiut.
E ka cilësuar si personalitet me modesti dhe mençuri të madhe. Ka çmuar kontributin e saj edhe në kohën kur ka pasur mundësi të përndiqej nga sistemi i pushtuesit.
“Ajo ka qenë motivuese e shkëlqyeshme që ta mbrojë së pari kulturën tonë muzikore dhe futjen e saj në jetësimin e saj në kuadër të planeve mësimore dhe mendoj se në këtë drejtim ajo ka qenë e pazëvendësueshme. Andaj, unë do të thosha se në tërë këtë ambient tonin muzikor, librat e tekstet mësimore kanë bërë një hap të madh, shumë më shumë sesa realiteti ynë nëpër shkolla”, kishte thënë Rudi.
Ndërkaq pianistja Lejla Pula, bashkëpunimin me të për 30 vjet, e ka cilësuar si personifikim të mësimit ideal.
Kolegë, miq e familjarë e kanë kujtuar me pietet, profesoreshën e shquar, Seniha Spahiu
“Ajo u ka takuar atyre mësuesve që e kanë vazhduar mësimin edhe jashtë mureve të klasës”, ka thënë Pula. “Ka qenë idhull imi i cili vlen të përcillet, duke e ndjekur gjatë gjithë jetës idealin e mësuesisë së përsosur, e që e ka arritur këtë mision me përmbajtje”.
Prorektorja e Universitetit të Prishtinës, Mimoza Ibrani, ka thënë se Spahiu njihet si një prej kontribuueseve më të mëdha të zhvillimit të metodologjisë autoktone për edukimin muzikor në Kosovë. Ndërkaq ,dekani i Fakultetit të Arteve, Hazir Haziri, ka thënë e ka njohur Spahiun nëpërmjet rrëfimeve të studentëve e kolegëve të saj.
“Ata e çmojnë si personalitet të urtë, njeri me virtyte të larta e cilësi të jashtëzakonshme akademike”, ka thënë ai. “Emër që do të mbahet mend për edukimin e shumë brezave artistësh të profileve të ndryshme muzikore”.
Mbesa e saj, Vesa Spahiu, ka thënë se gjyshja e tyre Dida, siç e thërrisnin, ka qenë shtysë muzikore edhe për anëtarët e familjes.
“Duke qenë se karriera e saj ishte pasioni i saj, Dida na çonte shumë shpesh në koncerte. Na i dha mësimet e para të pianos në shtëpi si dhe ishte shumë e lumtur kur dikush nga nipat ose mbesat merrnim pjesë nëpër festivale”, ka thënë ajo.
Për familjarët, Spahiu mbetet shembull i një jete të jetuar mirë, i një gruaje të jashtëzakonshme.
“Ishte shumë e fortë, mund të përshtatej në çdo situatë, sidomos ato sfiduese, ishte një grua shumë e dashur për të gjithë ne. Dinjiteti i saj i palëkundur ishin ato që e përcollën gjatë gjithë jetës”, ka thënë Vesa Spahiu.
Stafin e Universitetit të Prishtinës, sikurse edhe kolegët e Seniha Spahiut, i ka përshëndetur edhe i biri i profesoreshës së shquar, dr. Kelmend Spahiu.
Seniha Spahiu, e cila vdiq më 1 tetor në moshën 86-vjeçare, ishte pedagoge, studiuese e edukimit muzikor. U lind më 6 korrik 1936 në Prishtinë, mësimet për muzikë i mori në Shkup, ku kreu dhe studimet nga pedagogjia muzikore. Sipas biografisë së saj në Fjalorin Enciklopedik të Kosovës, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Spahiu i kreu studimet e magjistraturës në Akademinë e Muzikës në Beograd për metodikë të mësimit të muzikës.
Për gjysmëshekulli qe pedagoge në të gjitha nivelet arsimore. Ishte mësimdhënëse në shkollën fillore “Liria" në Prishtinë dhe drejtuese e korit të shkollës, më pas profesoreshë e metodikës së muzikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, pastaj në Fakultetin e Arteve si ligjëruese, e docente dhe profesoreshë nga viti 1987. Pas pensionimit (1991) vazhdoi punën në Fakultetin e Arteve dhe më 2002 u emërua “Profesore Emeritus”. Organizoi dhe udhëhoqi studimet pasuniversitare në periudhën 1998- 2011. Është bashkautore dhe autore e teksteve për parashkollorë dhe e teksteve të muzikës për disa klasa të shkollës fillore, si dhe autore e tekstit universitar “Metodika e mësimit të muzikës” (2009). Është marrë me studime kërkimore-profesionale për çështjet nga fusha e mësimdhënies së muzikës, që përfshijnë një sërë punimesh, si dhe këngë korale dhe për fëmijë. Publikimet e saj profesionale janë botuar në revista të ndryshme profesionale-shkencore. Ka qenë anëtare e Shoqatës se Kompozitorëve të Kosovës (nga 1980) dhe kryesoi Shoqatën e Pedagogëve Muzikorë të Kosovës. Në vitin 2016 iu nda çmimi kombëtar për veprimtari jetësore, “Niketë Dardani”.