Kulturë

Rruga “Marin Barleti” e degraduar ndër vite pret një kapitull të ri

Projektet ideore dhe ato zbatuese për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit dhe ai për kinemanë “Lumbardhi” janë drejt finalizimit dhe gjatë vitit të ardhshëm pritet fillimi i zbatimit te tyre. Në saje të tyre synohet mbrojtja e vlerave të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, që përgjatë viteve të shkuara kanë pësuar degradim

Projekti për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” në Qendrën Historike të Prizrenit është në prag të finalizimit dhe pas përmbylljes së procedurave të prokurimit, planifikohet që zbatimi i tij të nisë nga mesi i vitit të ardhshëm. Ky projekt, bashkë me atë për rivitalizimin e kinemasë “Lumbardhi” gjatë kësaj jave është prezantuar para hisedarëve të ndryshëm. Në saje të tyre synohet mbrojtja e vlerave të trashëgimisë kulturore të Prizrenit, që përgjatë viteve të shkuara kanë pësuar degradim.

Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha, ka bërë të ditur se “inicimi i hartimit të një projekti goxha kompleks e të ndërlikuar për rivitalizimin e rrugës ’Marin Barleti’ në zonën historike, ka ardhur si rezultat i rrethanave të krijuara nga një fatkeqësi që pati ndodhur në këtë rrugë”. Sipas tij, ngjarja tragjike që kishte sjellë vdekjen e një vogëlusheje si pasojë e rrëzimit të një shtëpie të vjetër pati mobilizuar akterët e shoqërisë civile dhe institucionet për të ideuar një plan për ndërhyrje në këtë rrugë.

“Asokohe, nisma e QRTK-së dhe OJQ-së ‘EC Ma Ndryshe’ gjeti mbështetjen e MKRS-së dhe kjo solli deri te nënshkrimi i një memorandumi shumëpalësh, i cili vuri hapat e parë për fillimin e hartimit të projektit për rivitalizimin e rrugës ‘Marin Barleti’. Ky projekt është dorëzuar në MKRS në qershor të vitit 2019 dhe ministri i atëhershëm i Kulturës ka bërë përpjekje maksimale që ta fusë në buxhet gjatë rishikimit të buxhetit. Por ngjarjet e mëpastajme sollën rrëzimin e Qeverisë së Kosovës dhe projekti mbeti me vlerë të pamjaftueshme. Gjatë kësaj periudhe është punuar edhe në një dimension tjetër që të aplikohet në fondet e IPA-s përmes mekanizmave të MKRS-së, që ka rezultuar me sukses, dhe në përputhje me standardet e tyre është tenderuar hartimi i projektit zbatues për rrugën “Marin Barleti”. Ndërsa këtë javë është bërë prezantimi i projektit final nga ana e kompanisë së angazhuar nga Zyra e BE-së dhe presim që brenda këtij viti ky projekt të përfillë të gjitha procedurat për t’u pajisur edhe njëherë me leje e pëlqime dhe diku kah mesi i vitit të ardhshëm të fillojë zbatimi i tij”, ka shpjeguar Hoxha.

Image

Përgjatë rrugës gjenden rreth 24 ndërtesa me fasadë të orientuar kah rruga, derisa Kisha e Shën Gjergjit gjendet në pjesën veri-perëndimore, kurse xhamia e Sinan Pashës në pjesën lindore, duke pasuruar diversitetin e trashëgimisë kulturore në këtë zonë. Një numër i ndërtesave janë të braktisura e të pabanuara dhe se janë në gjendje të keqe fizike, me ç’rast mungesa e mirëmbajtjes, mungesa e ndërhyrjeve konservuese dhe hapësirat e braktisura kanë krijuar rreziqe për banorët dhe kalimtarët

Ai ka thënë se jetësimi i këtij projekti është i rëndësishëm për zonën historike, dhe në këtë drejtim i ka bërë thirrje edhe lidershipit të ri komunal që të japë kontributin e duhur në këtë drejtim.

"Konsiderojmë se është njëri prej projekteve më të rëndësishme e voluminoze për rikthimin e vlerave të trashëgimisë kulturore në rrugën ‘Marin Barleti’, që ka shkaktuar një problem të jashtëzakonshëm. Vlen të theksohet se duhet të ketë një gatishmëri edhe nga ana e qeverisë lokale, sepse përmes memorandumit një pjesë të buxhetit për rregullimin e infrastrukturës e ka marrë përsipër Komuna e Prizrenit, andaj presim që në buxhetin për vitin e ardhshëm të parashihen pozicionet, pasi në 3-4 vjetët e shkuar nuk ka pasur mjete të planifikuara buxhetore dhe kësisoj bashkërisht të fillojnë punimet”, është shprehur Hoxha.

Ndërsa organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” ka njoftuar se pas procesit gjithëpërfshirës të hartimit të projekteve ideore për rivitalizimin e rrugës “Marin Barleti” dhe të kinemasë “Lumbardhi” në Prizren, të dyja “si përfituese të fondeve IPA II, të Bashkimit Evropian, kanë vazhduar me fazën e hartimit të projekteve zbatuese, nga kompania italiane ‘ArssProgetti’”.

“Projektet zbatuese janë në fazën e përfundimit dhe gjatë vitit të ardhshëm pritet fillimi i investimit të zbatimit të tyre”, thuhet në njoftim.

Edhe MKRS-ja ka bërë të ditur se projektet ideore dhe ato zbatuese janë prezantuar këtë javë para partnerëve kryesorë dhe se gjatë vitit të ardhshëm pritet fillimi i zbatimit të tyre.

“Mbrojtja e trashëgimisë kulturore përmes rivitalizimit të aseteve dhe rikthimit për shfrytëzim nga komuniteti lokal, do të mundësojë shndërrimin e saj në potencial për zhvillim ekonomik”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e MKRS-së.

Image

Shembja e një pjese të murit dhe kulmit të një shtëpie të vjetër në rrugën “Marin Barleti” më 6 qershor 2016, kishte lënë të vdekur vajzën trevjeçare

Në maj të vitit 2018, ishte nënshkruar letra e marrëveshjes për hartimin e planit për rivitalizimin dhe integrimin socio-ekonomik të komunitetit lokal në rrugën “Marin Barleti” në Prizren, ndërmjet MKRS-së, Zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësuesit special të BE-së, Komunës së Prizrenit, Ambasadës britanike në Prishtinë dhe OJQ-së “EC Ma Ndryshe”.

Rruga “Marin Barleti” gjendet në kuadër të kompleksit të Nënkalasë, Pantelisë dhe Potok Mahallës, që është pjesë e Listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme, si dhe është pjesë integrale e zonës historike.

Kjo rrugë, sipas një raporti të QRTK-së të vitit 2019, përmban vlera të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, ku trashëgimia arkitektonike është e ndërlidhur me ambientin rrethues. Përgjatë rrugës gjenden rreth 24 ndërtesa me fasadë të orientuar kah rruga, derisa Kisha e Shën Gjergjit gjendet në pjesën veri-perëndimore, kurse xhamia e Sinan Pashës në pjesën lindore, duke pasuruar diversitetin e trashëgimisë kulturore në këtë zonë. Aty theksohet se një numër i ndërtesave janë të braktisura e të pabanuara dhe se janë në gjendje të keqe fizike, me ç’rast mungesa e mirëmbajtjes, mungesa e ndërhyrjeve konservuese dhe hapësirat e braktisura kanë krijuar rreziqe për banorët dhe kalimtarët.

Shembja e një pjese të murit dhe kulmit të një shtëpie të vjetër në rrugën “Marin Barleti” më 6 qershor 2016, kishte lënë të vdekur vajzën trevjeçare, Xheneta Gashi. Para se të ndodhte kjo tragjedi, ka pasur thirrje të vazhdueshme nga shoqëria civile për nevojën e intervenimit nga autoritetet përgjegjëse.